PD-Ramës: Alternativa e vetme, blloku dhe bllokimi
Partia Demokratike akuzoi sot kreun e opozitës, Edi Rama, si shkaktarin e bllokimit të punës në Komisionin parlamentar të Ligjeve ku do të diskutohej mbi ligjin e funksionimit të Gjykatës së Lartë. Përmes një deklarate për mediat, Zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, tha se “pa u mbushur 24 orë nga mesazhet qartësisht pozitive, por natyrisht dhe kërkesat që duhen përmbushur për marrjen e statusit të vendit kandidat, nga zyrtarë të lartë të KE dhe KiE, Edi Rama urdheroi dje përfaqësuesit e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të largoheheshin për vakanca e të mos merrnin pjesë në shqyrtimin amendimeve të ligjit për Gjykatën e Lartë”.
“Ky bllokim i rradhës nga kreu i PS-së Rama i ligjeve me 3/5 që kërkohen nga Brukseli për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë pas votimit konsensual të amandamenteve kushtetuese për kufizimin e imunitetit, tregon se kryetari i Partisë Socialiste është penduar thellë që lejoi deputetët e tij të votonin kufizimin e imunitetit të cilin Partia Socialiste e kishte bllokuar 10 vite me rradhë për interesa personale të deputetëve të saj miliardierë”, u shpreh Bardhi.
Sipas saj, me urdhrin e tij të djeshëm për largimin e deputetëve socialistë nga shqyrtimi i amandamenteve të ligjit, Rama fakton se alternativa e tij e vetme është Blloku dhe bllokimi i çdo hapi që afron shqiptarët me Bashkimin Europian. “Me këtë akt ai deshmoi se në rast se u detyrua nën presionin e fortë të socialistëve të thjeshtë të votonte zhveshjen nga imuniteti të deputetëve socialistë miliarderë, ai mbetet i vendosur të përdorë verbërisht dhe në kundërshtim me interesat jetike të çdo qytetari shqiptar pushtetin që i kanë dhënë zgjedhësit e tij, për të bllokuar rrugën e shqiptarëve drejt Bashkimit Europian”, tha Bardhi.
Në qëndrimin zyrtar të PD-së thuhet se “Kryetari i Partisë Socialiste politikën bllokatore në votimin e ligjeve me 3/5 e konsideron si levën më kryesore për demtimin e qeverisë, ndonëse në të vërtetë ai shkelmon para së gjithash interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të Shqipërisë”. Në vijim të akuzave ndaj kreut të opozitës, Zëdhënësja e PD-së theksoi se “Rama beson verbërisht se për bllokimin e votimit të ligjeve me 3/5 në Parlament zgjedhësit shqiptare do të bëjnë pergjegjes jo Partinë Socialiste që nuk voton këto ligje madje edhe kur ajo i propozon vetë, por shumicën qeverisëse që është e gatshme t’i votojë ato në çdo kohë”. “Rama beson se me bllokimin e reformave që kërkojnë tre të pestat në Parlament do të ulet më shpejt në karrigen e amshuar të pushtetit.
Mirëpo me këtë qëndrim ai nga njëra anë dëshmon se për karrigen dhe pushtetin e tij personal është i gatshë m të dhunojë edhe ëndrrën më të bukur të rinisë dhe mbarë shqiptarëve dhe nga ana tjetër tregon se e ka lexuar së prapthi leksionin e zgjedhjeve lokale të vitit që shkoi në të cilat ai personalisht dhe politika bllokuese e tij, përjetuan disfatën më të thellë dhe të hidhur të jetës së tij politike”, theksohet në deklaratë.
Deklarata zyrtare e PD-së erdhi rreth dy orë pasi Kryeministri Sali Berisha i drejtoi një apel opozitës për të votuar ligjet në Kuvend që kërkojnë 3/5 e votave, ndërsa vlerësoi votën e saj përsa i takon ndryshimit kushtetues për heqjen e imunitetit të zyrtarëve.





