Berisha apel opozitës: Dëshmoni vullnet për miratimin e ligjeve me 3/5
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje sot opozitës që të mbështesë me votë në Kuvend miratimin e ligjeve dhe reformave që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Qeveria ka në përmbushje e sipër një seri obligimesh, të cilat duhet që me shpejtësi t’i votojë e t’i zbatojë. Ndërkohë, janë sërish ligje që kërkojnë 3/5 dhe kjo varet nga vullneti i opozitës. Por ne shpresojmë se, siç dëshmoi vullnet për reformën zgjedhore, siç dëshmoi vullnet për kufizimin e imunitetit, opozita të dëshmojë vullnet dhe për ligjin e Gjykatës së Lartë, Ligjit të Shërbimit Civil, por edhe ligje të tjera që, pavarësisht se kërkojnë shumicë të thjeshtë, do të ishte shumë mirë që ato të kishin konsensusin e të gjitha palëve, miratimin e të gjitha palëve”, u shpreh Berisha. Këtë deklaratë, Kreu i Qeverisë e bëri gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit, ku u shqyrtua realizimi dhe zbatimi i Planit të Veprimit për Integrim.
Kryeministri vlerësoi se këto 6 muaj, që nga miratimi i Planit të Veprimit në datën 21 mars të vitit 2012, është bërë një punë intensive dhe janë realizuar reforma të thella e të mëdha, ndër të cilat, më kryesorja është reforma e imuniteteve, si dhe reforma zgjedhore. Sipas Berishës, fati që këto reforma u miratuan tërësisht me konsensus, përbën një arritje të vërtetë.
Duke iu referuar vizitës zyrtare të Presidentit Bujar Nishani në Bruksel dhe takimeve të tij atje me personalitetet më të larta të BE-së, Kryeministri Berisha tha se në këto takime është diskutuar gjerësisht mbi reformat e realizuara në Shqipëri, progresin e tyre dhe perspektivën evropiane të vendit, janë parashtruar të gjitha arritjet në zbatimin e Plantit të Veprimit, sikundër edhe çështje të tjera që duhet të realizohen më tej në këtë proces.
Duke u ndalur në votimin në Kuvend për heqjen e imunitetit, Berisha tha se me këtë votim Shqipëria renditet ndër vendet me standard të përparuar për sa i përket imuniteteve të zyrtarëve të saj, pra kufizimit të tij. “Të pakta janë vendet që kanë standarde më të avancuara, të tjera vende, fatkeqësisht ruajnë standardin që ne e lamë pas dje, ndërsa ne renditemi, në tërësi, në grupin e vendeve me standard të larta në këtë fushë. Kushtetuta e vendit është bërë një Kushtetutë më e drejtë, më demokratike, më qytetare. Natyrisht, për koecidencë, kjo reformë u lidh edhe me statusin, edhe pse kjo është një betejë e hershme, e nisur 10 vjet më parë. Por lidhja me statusin ishte gjëja më logjike, sepse të pretendosh të afrohesh me vendet e tjera dhe të refuzosh kufizimin e imunitetit, ky është edhe sinjali më negative që u dërgon këtyre partnerëve dhe bashkëpunëtorëve”, theksoi Berisha.
Ndërkohë një tjetër arritje sipas Kryeministrit ishte miratimi i reformës zgjedhore. “Kjo reformë u miratua tërësisht me konsensus, çka përbën edhe kjo një arritje të vërtetë për bazën ligjore të zgjedhjeve të ardhshme. Opozita kishte iniciativën e të gjitha propozimeve dhe u shpreh shumë e kënaqur kur përfundoi kjo reformë, bëri vlerësim pozitiv. Unë e ndjej detyrë të qeverisë që gjithnjë t’i japë garancitë më maksimale opozitës për zhvillimin e zgjedhjeve, pasi nëse ka një fushë në të cilën ajo ka interesa jetike, këto janë zgjedhjet”, tha ai.




