Ambasadori i SHBA në OSBE: Zgjedhja e Nishanit e njëanshme! Kujdes me zgjedhjet e 2013
“Shqipëria ka parë shumë suksese në vitet e fundit dhe raportimi për këtë vit nuk përbënte përjashtim. Fatkeqësisht, zgjedhjet presidenciale të përfunduara në qershor shënuan njëanshmëri të hidhur dhe nuk patën transparencën e duhur, por megjithatë ato ishin shembull paqësor i një praktike themelore demokratike të zgjedhjes së presidentit”. Kështu u shpreh Ambasadori amerikan pranë OSBE-së, Ian Kelly, në lidhje me raportin e paraqitur në Vienë nga Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëollfarth një ditë më parë.
Në komentet e tij në lidhje me raportin, Ambasadori i SHBA-së theksoi se afirmimi i mekanizmave të demokracisë kërkon akoma shumë punë përtej zgjedhjes së një presidenti të ri. “Për këtë qëllim, shprehim përgëzimet tona për miratimin e reformave të Kodit zgjedhor, dhe në veçanti për ekspertët dhe bashkëdrejtuesit nga dy partitë kryesore të cilët punuan fort në këto përpjekje. Megjithatë, paralajmërojmë se miratimi nuk do të jetë shumë domethënës nëse politikat e reja nuk zbatohen me mirëbesim. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme të sigurohet që zgjedhja e një kryetari të ri për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të bëhet me proces konsultimi, sa më të paanshëm e transparent që të jetë e mundur”, vijoi më tej diplomati amerikan.
Në fjalën e tij, Ambasadori Kelly shprehu shqetësimin se “mos njëanshmëria që mbizotëroi gjatë gjithë procesit të zgjedhjes së Presidentit mund të vazhdojë, apo edhe të shtohet, teksa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm”. “Ndërkohë që çdo fushatë zgjedhore pa dyshim kryhet energjikisht dhe me luftë të fortë, të gjitha partitë politike duhet të përpiqen të bëjnë fushata konstruktive dhe të bazuara në çështje që Shqipëria duhet të vazhdojë t’i zgjidhë, çështje kritike për vazhdimin e rrugës së integrimit euroatlantik të vendit. Lufta politike që u bë vitin e kaluar për fat të keq zbehu pikëpamjen e botës për Shqipërinë dhe shërbeu të lihej në hije përparimi i madh që ka bërë vendi në 20 vitet e kaluara. Drejtuesit politikë të Shqipërisë duhet të kenë në mendje interesat më të mira të vendit gjatë fushatës zgjedhore që po troket, në mënyrë që të sigurojnë që përparimi i reformave të mos lihet mënjanë për 12 muajt e ardhshëm”, theksoi diplomati amerikan.
Më tej, Kelly vijon “na inkurajoi emërimi i Avokatit të Popullit për të vazhduar punën për sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të popullit shqiptar. Ai deri tani ka bërë punë që vlen të përgëzohet dhe i nxisim autoritetet shqiptare t’iu kushtojnë vëmendje deklaratave e rekomandimeve të tij”.
“Përgëzojmë Praninë e OSBE-së në Shqipëri teksa vazhdon të ofrojë mbështetje të rëndësishme për përparimin që po bën Shqipëria. Populli shqiptar ka meritë të madhe për përparimin që ka parë vendi në vitet e kaluara. Tani është koha që ata të dyfishojnë përpjekjet dhe të realizojnë në maksimum potencialin e vendit të tyre”, përfundoi komentet e tij, Ambasadori amerikan pranë OSBE-së në lidhje me raportin mbi situatën në Shqipëri.





