Ndërtimet pa leje, Hoxha: Qytetarët të denoncojnë rastet
Inspektoriati i Ndërtimit pranë Bashkisë së Tiranës kërkoi sot mbështetjen e qytetarëve për të denoncuar rastet që sipas tyre kanë të bëjnë me ndërtime të paligjshme. Përmes një prononcimi për mediat. Drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit, Florenc Hoxha, theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur për të mos lejuar ndërtimet pa leje në kryeqytet, sikundër ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve, për të denoncuar çdo rast të konstatuar si ndërtim pa leje.
“Inspektoriati i Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës ka ndërmarrë sot një aksion, për t’i dhënë fund kësaj shkelje flagrante që u bëhet kushteve dhe kondicioneve të ndërtimeve, pra kjo banesë momentalisht është rrezikuar nga kjo ndërhyrje flagrante në themelet e saj. Ne po i themi “stop” këtij ndërtimi, duke e kthyer në gjendjen e mëparshme. Pra, edhe njëherë shprehim vendosmërinë tonë, për t’i thënë “stop” njëherë e mirë të gjithë ndërtimeve pa leje në Bashkinë e Tiranës”, tha Hoxha. Në vijim ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës, të mos ndërtojnë pa leje por t’i drejtohen zyrave përkatëse pranë Bashkisë së Tiranës për të marrë lejen përkatëse.




