KVV: Anëtarët e KQZ, u shkelën afatet!

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë ligjin në lidhje me kandidaturat që duhet të paraqesin për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përmes një letre drejtuar Kryetarëve të partive parlamentare, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë konstaton se pikërisht fillimi i procesit zgjedhor të ardhshëm me rindërtimin e KQZ, sipas afateve të përcaktuar në ligjin e miratuar bashkarisht, është cënuar duke shënuar një precedent aspak pozitiv në lidhje me respektimin dhe zbatimin e ligjit në vijimësi.

“Nga informacionet e marra, edhe në mbledhjen e djeshme të datës 17 shtator të Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, ende nuk ka asnjë datë të përcaktuar për futjen në rendin e ditës së miratimit të 6 anëtarëve të rinj të KQZ-së. Duke vlerësuar prononcimet publike të partive politike në lidhje me domosdoshmërinë e respektimit të ligjit në gërmë dhe në frymë, Koalicioni vëren me shqetësim se nuk është marrë asnjë hap institucional apo publik nga partitë politike parlamentare në lidhje me propozimet e tyre për gjashtë anëtarët e KQZ-së, ndërkohë që ky proces duhet të ishte mbyllur më datën 15 Shtator 2012”, thuhet në letrën e KVV.

Më tej në të theksohet se “pavarësisht se zgjedhja e anëtarëve të rinj të KQZ-së është një kompetencë eskluzive e Partive Politike, Koalicioni në frymën e ligjit në lidhje me pavarësinë dhe integritetin e tyre si edhe me synim rritjen e transparencës dhe të besimit të publikut, i sugjeron partive politike që të shpallin sa më parë kandidaturat e tyre si dhe të bëjnë publike vlerësimin e tyre në lidhje me integritetin dhe aftësitë e këtyre kandidaturave në përmbushje të detyrës si administrator të lartë të zgjedhjeve, në mënyrë të pavaruar, të paanshme dhe vetëm në zbatim të ligjit”.

“Përsa i përket Kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Koalicioni e konsideron procedurën e zgjedhjes së tij dhe sidomos heqjen e së drejtës së partive politike për të propozuar kandidatura, si një mundësi mjaft të mirë për të vënë në rrugën e duhur depolitizimin dhe funksionimin në mënyrë të paanshme dhe jo partizane të KQZ-së. Në lidhje me këtë proces, Koalicioni i sugjeron Kuvendit të Shqipërisë që të bëjë sa më transparent dhe sa më jopolitik procesin e përzgjedhjes së Kryetarit të ardhshëm të KQZ-së. Në këtë frymë, Koalicioni i sugjeron Kuvendit që të bëjë publike të gjitha kandidadurat e paraqituar në sekretarinë e Kuvendit si dhe të organizojë një proces sa më të drejtë, konkurrent dhe aspak të ndikuar nga anësitë partiake”, theksohet në letrën që KVV i drejton Kuvendit dhe partive politike.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard