Kuvendi miraton heqjen e imunitetit, rrëzon nismën e PS për ndryshimet kushtetuese

Kuvendi ne seance plenare
Kuvendi miratoi me konsensus, me 130 vota pro, heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët, anjë kundër dhe asnjë abstenim.Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka vlerësuar një ngjarje të rëndësishme miratimin e projektligjit për kufizimin e imunitetit, ndërsa ftoi deputetët që nesër të votojnë edhe ligjin për Gjykatën e Lartë. “Pas 10 viteve përpjekjesh, Kuvendi arriti të vendoste një prej standardeve evropiane të kërkuara prej kohësh”, tha ajo.
Ndërkohë, në seancën e sotme është hedhur në votim dhe nisma e Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese, e cila është rrëzuar me 63 vota kundër, 60 pro dhe 6 abstenim.
Propozimet e PS për drejtësinë jane shoqeruar me akuza te ashpra mes mazhorances dhe opozites.
Ndërkaq heqja e imunitetit është përshëndetur nga kreu i Prezencës së OSBE, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi. Nderkohe, Presidenti Bujar Nishani ka pershendetur gjithashtu nga Brukseli ku ndodhet per vizite zyrtare heqjen e imunitetit.
Wollfarth shprehet se ”I përgëzoj të gjitha palët politike që miratuan sot këtë ligj të rëndësishëm. Të gjithë duhet t`i nënshtrohen Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës, përfshirë zyrtarët publikë. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri kur shkelet ligji”, tha Wollfarth. “Ndryshimet e miratuara sot nga Kuvendi heqin një pengesë të madhe në hetimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare të krijojnë një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit. Gjithashtu, ftoj për debate dhe konsultime të plota dhe gjithëpërfshirëse, me të gjitha palët e interesuara, në fusha të tjera të rëndësishme, që prekin zemrën e reformës në drejtësi dhe pavarësinë e gjyqësorit. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj në këtë proces”.
Ne nje mesazh nga Brukseli, Presidenti Bujar Nishani thekson se;
“Dëshiroj të përshëndes dhe të vlerësoj aktin e përgjegjshëm të ndërmarrë sot nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për votimin dhe miratimin me konsensus të heqjes të imuniteteve. Miratimi i këtij ligji të rëndësishëm përveçse përmbush pritshmëritë dhe kërkesat legjitime të qytetarëve shqiptarë, forcon edhe më tej parimin themeltar të barazisë së të gjithëve para ligjit si dhe të paanshmërisë së drejtësisë.
Përmes këtij akti, klasa jonë politike dëshmoi maturi, përgjegjësi dhe aftësi në përmbushje të angazhimeve në interes të procesit të integrimit Europian të Shqipërisë. Angazhimi i përbashkët i maxhorancës dhe opozitës në këtë proces evidentoi qartë përgjegjshmërinë dhe vlerat e konsensusit në çështje të rëndësishme për interesat e vendit”.
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, mirëpriti miratimin e ligjit që amendon nenet kushtetuese për imunitetin e deputetëve dhe gjykatësve. “Miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit. Mbështetja që i është dhënë këtij ligji si nga ana e qeverisë ashtu edhe e opozitës është një shenjë inkurajuese për angazhimin më të gjërë për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Ne kemi parë se kur forcat politike shqiptare punojnë së bashku, ato mund të arrijnë rezultate domethënëse për të plotësuar kërkesat e vendosura në Opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke vazhduar të punojnë së bashku, udhëheqësit politikë të Shqipërisë mund të bëjnë të mundur që vendi të arrijë një masë kritike rezultatesh të nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Unë i inkurajoj të gjitha forcat politike të përdorin sa më mirë të jetë e mundur kohën e mbetur përpara publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian që vlerëson përparimin e Shqipërisë”.
Edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani ka përshëndetur votimin e projektligjit për kufizimin e imunitetit në Parlament. Avokati i Popullit vlerëson se ky ndryshim i Kushtetutës respekton parimin e barazisë pëpara ligjit për të gjithë qytetarët, si dhe përmirëson ndjeshëm përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër korrupsionit.Si një plotësim i detyrimeve në kuadër të integrimit në BE, ky vendim shënon një përpjekje reale për përparim në rrugën evropiane të Shqipërisë. Avokati i Popullit shpreh besimin se ky akt do të ketë ndikim pozitiv në prezantimin e raportit të vlerësimit për Shqipërinë këtë tetor, raport i cili do të shoqërohet edhe me propozimet konkrete për statusin e vendit kandidat.





