Chelsea-Juventus, të vecantat e përballjes
Chelsea nis mbrëmjen e nesërme aventurën në Champions League në mbrojtje të titullit në përballjen kundër Juventus. Të dy skuadrat kryesojnë kampionatet respective duke shfaqur një formë të mirë në këtë fillim sezoni.
Në përballjen ndaj Juventus, tekniku italian i bluve të Londrës, Roberto Di Matteo, do të ketë në dispozicion edhe John Terry dhe Ashley Cole, të cilët nuk u grumbulluan me kombëtaren e Anglisë gjatë ndeshjeve të grupeve të vlefshme për Kupën e Botës ‘Brazil 2014’. Po kështu në dispozicion të teknikut italian do të jetë edhe spanjolli Juan Mata, i cili mungoi në ndeshjen e fundjavës që Chelsea luajti në transfertë kundër QPR-së.
Në anën tjetër, kampionia e Italisë, Juventus do të vuajë mungesën e ish-mbrojtësit të Interit, Lucio që mund të humbasë pjesën më të madhe të sezonit për shkak të dëmtimit. Por në dispozicion të ‘Zonjës së Vjetër’ do të jetë Asamoah që ka bërë një paraqitje të mirë, ndërsa Sebastian Giovinco do të qëndrojë në stol. Po kështu edhe Nicklas Bendtner, i cili u transferua nga Arsenal, nuk pritet të jetë pjesë formacionit kundër Chelsea.
Sezonin e kaluar në Champions League, Chelsea fitoi të gjitha ndeshjet e luajtura në Stamford Bridge, ndërsa u renditën të parët në grupin e tyre duke fituar 7 nga 9 sfidat. Gianluigi Buffon do të bëjë mbrëmjen e nesërme paraqitjen e 400 me fanellën e Juventus. Kampionia e Italisë vjen në këtë përballje pas 42 ndeshjesh që nuk njeh humbje në SeriaA.





