Berisha falenderon opoziten per imunitetin, akuza për drejtësine. Ruci: Të tjera bën, të tjera thua
Shmangët referendumin për imunitetin dhe ju falenderoj për këtë. Më këto fjalë iu drejtua kryeministri Sali Berisha deputetëve të opozitës gjatë seancës plenare në Kuvend ku po diskutohet heqja e imunitetit. Berisha e konsideruar një akt madhor, ndërsa ka ironizuar lidhur me propozimet e Partisë Socialiste për reformën në drejtësi.
“Kjo është një seancë parlamentare e një rëndësie historike, seancë e cila sipas një ujdie paraprake do të bëjë zhveshjen nga imuniteti të zyrtarëve të lartë, ashtu si dhe në vende të tjera të lira. Për mua personalisht, kjo është një ditë e një rëndësie të jashtëzakonshme, finalizimi i një beteje shumëvjecare për finalizimin e këtij akti madhor kushtetues, nga i cili fiton cdo qytetar shqiptar, rendi kushtetues, Kushtetuta e vendit. Kjo histori 10 vjecare është histori e gjatë, por më në fund u arrit të bihet dakord konsensualisht për teksin e votuar. Ndihem i lehtësuar se kemi iniciuar këtë nismë që kur ishim në opozitë, e kemi vazhduar fort gjatë në kohës në pushtet, pavarësisht konsensusit të munguar. Sot shqiptarët hedhin themelet e një kapitulli të ri në qëndrimin e zyrtarëve të tyre ndaj ligjit. Duke mos humbur asnjë herë durimin për të kërkuar konsensusin e opozitës, bëmë gjithcka për gjetjen e ujdisë me të. Drafti që paraqitëm vlerësuam se ishte më i miri, por më i miri është ai që votohet nga të gjitha palët. Opozita ka të drejtë në cdo rrethanë të kërkojë disa garanci më shumë se qeveria. I kërkova zotit Paloka të bëjë të gjitha lëshimet në këtë drejtim. Dua t`ju falenderoj sot jo se po votoni, por nga të gjitha proceset demokratike për mua më i vështiri është referendumi, por këtë cështje madhore unë kisha vendosur të shkoja, sikur isha i vendosur të pranoja cdo lloj verdikti. Kjo u shmang, për këtë ju falenderoj”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek propozimet e PS për reformën në drejtësi, Berisha ironizoi opozitën, duke u shprehur se nuk ka rëndësi shumë ajo që flet, por ajo që bën dhe për çfarë besohesh. “Ju keni paraqitur një seri amandamentesh për reformën në drejtësi, ju pretendoni se shtetësimi juaj kryesor është pavarësia e këtyre institucioneve, por më duhet t’u them se nuk ka rëndësi shumë ajo që flet, por ajo që bën dhe për c’ka besohesh”.
Berisha tha se nisma e PS për ndryshimet kushtetuese në mbrojtje të institucioneve të pavarura bie ndesh me emërimet në krye të institucioneve gjatë kohës që ata ishin pushtet. Po keshtu, Berisha akuzoi PS se nuk kërkoi reformat në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese më parë, pasi i duhej Kreshnik Spahiu se do krijonte partinë e tij dhe Bamir Topi partinë e vetë. “Pavarësisht se Topi ka hyrë në qyp dhe ju po përpiqeni ta nxirrni nga qypi dhe vetëm tani që u iku Topi kërkoni pavarësi”, tha Berisha. Ndersa shtoi se “drejtësia nën drejtimin e Topit tuaj dhe ‘faqeziut’ ishte në periudhën më të errët të saj. Flisni me gjykatësit dhe do të shihni që transferimi i një gjyqtari nga Durrësi në Tiranë ishte një aferë korruptive prej 500 mijë eurosh”.
Duke sjellë një sërë faktesh, Berisha tha se “nëse i shohim gjërat jashtë propagande, ardhja juaj në pushtet çfarë vendosi në krye të institucioneve. Në rast se sot në krye të Kushtetueses gjendet një person që ka të njëjtën kurrikulum me zotin Majko për lëvizjen e dhjetorit, por që nuk numëron më pas asnjë ditë në parti, krahasojeni pak me kohën tuaj në pushtet. Nëse ju e krahasoni kryetarin aktual me Fehmi Abdiun, i cili ishte anëtar i kryesisë së PS. Po në gjykatën e lartë a nuk shkoi ish anëtari i PS dhe ish Ministër juaji, Thimio Kondi. Apo ish-ministrin tuaj zëvendës kryetar të KLD. Koncepti juaj ishte që cdo institucion të kishte në krye një lider të kësaj partie”. “Ne pranuam çdo propozim tuajin për imunitetin, rrëzuam teza që i kishim mbrojtur për vite. Kemi qenë të vendosur për mos ndryshim të kushtetueses, u tërhoqëm, por nuk mund të pranojmë kurrë shkatërrimin dhe paralizën e institucioneve kushtetuese, siç ndodhi me avokatin e popullit. Demokracia humbet çdo kuptim. Nuk mund ta bëjmë këtë që të vendosim sundimin e pakicës. Ju të cilët emëruat të gjithë kryesinë e PS në krye të institucioneve kushtetuese, heshtët kur u krijuan partiçka, ju tani dilni kalorës të pavarësisë së tyre, jo as komshia juaj nuk iu beson”, tha më tej Berisha.
Ne replike ndaj deklaratave të kryeministrit Berisha, kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi, akuzoi kryeministrin për uzurpim të sistemit të drejtësisë dhe se paketa e tyre synon ta çlirojë këtë sistem nga politika. “Sa për imunitetin nuk e japim për ju, por për qytetarët dhe vendin”, tha Ruci, duke shtuar se “por nuk kemi besim që korrupsioni juaj do të ndëshkohet me heqjen e imunitetin. Kjo sepse nuk funksionon sistemi i drejtësisë”. Ruci konsideroi nismën e PS për ndryshimet kushtetuese si “shpëtimi i Shqipërisë për cështjen e së drejtës”.
Duke iu drejtua kryeministrit, Ruci tha se “në veprimtarinë tëndë të shkon shumë mirë kënga ‘të tjera bën, e të tjera thua’”. Ruci u pergjigj gjithashtu akuzave te Berishes per arsyet e opozites per ndryshimet kushtetuese pikerisht tani, duke u shprehur se opozita ka të gjitha arsyet për të kërkuar këto garanci dhe këto ndryshime kushtetuese. “6 muaj rresht pas një konsensusi 4 vjeçar që të dhamë për ndryshimet kushtetuese që çështja e Presidentit të mos ishte shkak për një krize, duke iu referuar kushtetutës, që me pjekuri, me maturi, ai të zgjidhej me konsensus, sipas kushtetutës. Jemi të shqetësuar për arsye se perceptimi i publikut për drejtësinë është ku thërret qameti. I bëmë tani se rekomandimet e ekspertëve janë që duhet të bëhen ndryshime në sistemin e drejtësisë. I bëmë se andrrimit me pe të bardhë në rrobë të zezë, që kërkon të bësh reforma, jo vetëm që nuk e përmirësojnë por e përkeqësojnë”, tha Ruçi
Seanca e sotme është shoqëruar më parë me debate edhe mes Ruçit dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ruci akuzoi mazhorancën se ndërsa kërkon bashkëpunimin e opozitës në Kuvend, jashtë tij ka kapur gjykatat, duke mos zbatuar vendimet e tyre duke sjellë shqetësimin për Qarkun e Fierit, që ka lënë pa konstituar Këshillin e këtij Qarku. Ruci argumentoi dhunimin e opozitës përmes drejtësisë se kapur nga pushteti, edhe me dhunën për shkaqe politike ndaj Drejtorit të Ujësjellësit Tepelenë një ditë më parë.
***
Replika
Ruci-Berishes: Në veprimtarinë tëndë të shkon shumë mirë kënga ‘të tjera bën, e të tjera thua
Berisha-Rucit: Vargu i dyte i kenges eshte “Mamanë t’i mos e dëgjo, fillo të bësh të mira”. E kupton vete ti
***
Ruçi-mazhorances: Mbrëmë në Tepelenë, megjithëse pushtetin vendor e fitoi një forcë tjetër politike, që është PS, është rrahur në mënyrë barbare dhe ndodhet në spital, Drejtori i Ujësjellësit i porsaemëruar nga bordi. Zotërinj të mazhorancës, po ua deklaroj hapur në emër të PS-së, nëse ju do të vazhdoni të kapni kështu sistemin e drejtësisë, mos kërkoni mbështetjen e opozitës për reformë në drejtësi. Nëse nuk zbatohen në këtë vend, vendimet e gjykatave të Shkallës së Parë, dytë dhe të tretë, po ua deklaroj zyrtarisht sot, nëse ju do të vazhdoni të përdorni dhunën ndaj opozitës, mos kërkoni bashkëpunim me të. Këto janë prioritetet dhe kërkesat e Brukselit. Mos kërkoni që anëtarët tanë të Komisionit të Ligjeve të japin kontributin e tyre për reformë në drejtësi kur Gjykata e Lartë, gjykatat nuk zbatojnë vendimet si rezultat i kapjes nga mazhoranca.
Topalli-Rucit: Sistemi i drejtësisë duhet forcuar. Reforma në sistemin e drejtësisë është prioritet dhe ne si kemi detyrim të kryejmë detyrat që sjellin nga Brukseli, përvec atyre që na duhen ne si shqiptarë. Lista e 12 prioriteteve nuk është për qeverinë, është për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe këtu ne nuk mund të ndahemi. Të dy bashkë duhet të punojmë që drejtësia të jetë e pavarur nga paraja, jo nga politika, zoti Ruçi. Nga korruptimi dhe jo nga politika zoti Ruçi!





