Topi sulmon Berishën dhe Ramën: Unë jam ndryshe!

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, sulmoi nga qyteti i Lezhës Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama, ndërsa premtoi një politikë të re që bazohet në një program të konsultuar dhe me pjesëmarrje qytetare. Topi ishte i pranishëm në ngritjen e degës së FRD-së në Lezhë, ku theksoi se “mazhoranca nuk qeveris sepse nuk ka mbështetje dhe as projekte konkrete, ndërsa opozita ka tendencën prej vitesh të bëjë opozitë por fatkeqësisht ajo nuk po e realizon misionin e saj”. “Të dy së bashku, kreu i maxhorancës dhe i opozitës brenda një nate bënë ndryshime fatale në Kushtetutë. Dhe tani njëri është penduar thellë dhe tjetri ka azurpuar të gjithë pushtetet. Ne nuk u kemi absolutisht asnjë borxh. FRD nuk është në shërbim të askujt përvec të qytetarëve”, theksoi ish-Presidenti.

Duke nënvizuar se FRD mbetet parti e djathtë qytetare, Topi akuzoi Kryeministrin Berisha se ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin komunist dhe që pas 22 vitesh vijon të shfaqë mentalitete e sjellje komuniste, duke i bërë një dëm të madh politikës, qytetarëve dhe vendit. “Jemi një parti moderne të hapur dhe të kundërt me modelin e mbyllur të partive të vjetra. Ftoj qytetarët të mos frikësohen përpara asnjë presioni, por të flasin me zë të lartë dhe të marrin pjesë në procesin e ndryshimit historik”, vijoi më tej kreu i FRD-së.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Topi tha “ju nuk jeni konsumatorë të politikës por promotorë të politikës së re që vjen nga Fryma e  Re Demokratike dhe jam i bindur që së bashku do të përcjellim një politikë të re”.  Më tej Topi u ndal në situatën politike në vend, ku theksoi se është lehtësisht e konstatueshme që betejat politike janë të ashpra dhe të mërzitshme. “Në politikë kemi aktorë sepse dinë të mbushin leksikun e tyre politik me shumë mashtrime. Ndaj sot konsumojmë politikë jorealiste. Ndërkohë që funksioni i Parlamentit ka dalë nga normaliteti dhe institucionet janë vendosur njëra pas tjetrës nën varësinë e Kryeministrit”, theksoi Topi.

Në takim përshëndetën përfaqësues të ish përndjekurve politikë, të rinisë, të gruas, të diasporës, të biznesit dhe të qytetarisë lezhjane, të cilët duke shprehur mbështetjen për forcën e re politike risollën aspekte të ndryshme të premtimeve të pambajtura nga mazhoranca e sotmë dhe akuzuan dy partitë e vjetra politike si shkaktare të gjendjes ku ndodhet vendi.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard