Ndryshimet kushtetuese, Këshilli i Legjislacionit rrëzon PS. Propozimet në seance
Këshilli i Legjislacionti ka rrëzuar në parim propozimet e Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese, vetëm me votat e mazhorancës. Ndërsa paketa e propozuar nga PS për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, atë të lartë, në Këshillin e Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, në bazë të Rregullores, do të kalojë për shqyrtim në seancë parlamentare.
Këshilli i Legjislacionit rrëzoi paketën e PS në përfundim të seancës dëgjimore me grupet e interesit, si dhe debatit mes anëtarëve, mbledhje që ka zgjatur më shumë se 9 orë. Relatori i PS, Pandeli Majko, në fjalën e tij kërkoi nga demokratët t’a shohin nismën si një mundësi që u jep palëve avantazhin për të miratuar së bashku dekretin e Presidentit, duke çuar në krye të Prokurorisë së Përgjithshme apo në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese personat e duhur dhe me cilësitë më të mira. Ndërkaq, demokratët e cilësuan kërkesën për votimin me 3/5 të këtyre personaliteteve të drejtësisë jo si mundësi për zgjidhje, por si nje spirale qe prodhon krize. Ne relacionin e hartuar nga deputetja Paulina Hoti, PD thekson se nisma e PS ul legjitimitetin e rendit kushtetues, dobëson rolin e opozitës dhe krijon mundësi për pazare. Gjithashtu, PD mendon se ndryshimet e kërkuara nga opozita ofrojnë bllokim institucional. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, solli ne vemendje rastin moldav duke hequr paralele me sjelljen e opozitës gjatë 3 viteve të fundit, që, sipas tij, ka bllokuar sa herë i është dhënë rasti.
Palet kane debatuar gjithashtu për elementin kohë, qe këtë herë u kërkua nga Partia Socialiste, me qellim zbardhjen e opinioneve te ekspertëve nga administrata qe te dilet ne konkluzionet perkatese. Per demokratet, koha kete here ishte e panevojshme, pasi, sipas tyre, nuk duhet humbur më kohë, në mënyrë që materiali të jetë gati sa më shpejt për votim në Parlament.
Me pare, ne seance degjimore konstitucionalistët i kanë kërkuar klasës politike që të marrë kohën e nevojshme për të bërë ndryshimet kushtetuese, për propozimet e PS për ndryshimet kushtetuese.
Gjatë seancës dëgjimore dhanë qëndrimet e tyre për heqjen e imunitetit drejtuesit e institucioneve që raportojnë në Kuvend si KLD dhe Gjykata e Lartë. Ndërsa Gjykata Kushtetuese refuzoi të japë mendim. Avokati i Popullit dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk u paraqitën në seancën dëgjimore.
Partia Socialiste ka propozuar një paketë ndryshimesh kushtetuese, të cilat synojnë realizimin e një reforme në sistemin e drejtësisë në kuadrin e nismës për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Në thelb paketa e PS-së propozon zgjedhjen me shumicë të cilësuar në Kuvend, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë.





