Ivanov-Nishani: Integrimi në BE, rëndësi për stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit
Integrimi shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është me rëndësi esenciale për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal, madje duke e konfirmuar mbështetjen e ndërsjellë në këtë plan. Kështu u shprehën sot gjatë një takimi të zhvilluar në vilën ‘Biljana’ në Ohër mes Presidenti maqedonas George Ivanov dhe homologu i tij shqiptar Bujar Nishani. Gjatë takimit, të dy Presidentët kanë shkëmbyer mendime mbi proceset integruese dhe reformat që duhen ndërmarrë në funksion të integrimit të dy vendeve në BE. Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin një tjetër pikë e bisedës mes dy Presidentëve, e para kjo që kur Bujar Nishani u zgjodh në pozicionin e Kreut të Shtetit shqiptar. Gjithashtu u theksua se mes Shqipërisë dhe Maqedonisë ekzistojnë ende potenciale të pashfrytëzuara për bashkëpunim.
Ivanov dhe Nishani theksuan se marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë në nivel, i cili mundëson që energjia dhe kapacitetet e përgjithshme në të ardhmen do të jenë të përqëndruara në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, lidhjes infrastrukturore dhe energjetike, bashkëpunimin ndërkufitar, zhvillimin e turizmit, bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, në sferën e kulturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si dhe në sferën e mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Presidenti Ivanov ka konfirmuar angazhimin e Republikës së Maqedonisë për vazhdim dhe zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore përmes rrugës së dialogut të hapur. Presidenti Ivanov, shprehu falënderim për mbështetjen e deritanishme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si dhe pritje që e njejta të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Të dy presidentët në takim kanë këmbyer mendim edhe për çështjet aktuale në rajoni, me qëndrim të ndarë se të gjitha çështjet kontestuese dhe të hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe respektimit të ndërsjellë. Avancimi i bashkëpunimit bilateral dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal, duhet të jenë vegla me të cilat do të afirmohet realiteti i ri në rajon, përkundër percpektimeve të vendosura në të kaluarën”, theksoi Ivanov. Sipas tij, kjo do të thotë kultivim i marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunim dhe mbështetje e ndërsjellë në proceset integruese euroatlantike dhe përforcim i sferave të bashkëpunimit nga të cilat dobi konkrete do të kenë qytetarët e të gjitha vendeve në rajon. Presidenti Nishani dhe Presidenti Ivanov ranë dakort që të punojnë për zbatimin e projekteve rajonale të “Korridorit 8” dhe lidhjen e autostradës “Adriatiko-Joniane” me “Korridoret 8 dhe 10”.
Presidenti Ivanov shprehu keqardhje të thellë për aksidentin e trafikut, i cili mëngjesin e sotëm ndodhi në rrugën midis Pejës dhe Elbasanit, në të cilën një pjesëtar i shoqërimit të Presidentit Nishani tragjikisht e humbi jetën. Presidenti i Maqedonisë e luti kolegun e tij shqiptar t’i transmetojë ngushëllimet më të thella familjes së të ndjerit.
Të dy presidentët takimin e vlerësuan si të suksesshëm, me angazhim të përbashkët dhe që mëtej së bashku dhe me përkushtim të punojnë në përforcimin e lidhjeve midis qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë dhe të ardhmes së përbashkët në kuadër të Evropës
Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë fqinje dhe vlerëson se ato janë solide, dinamike në planin dypalësh dhe shumëpalësh. Presidenti i Republikës vuri në dukje se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë procesin integrues të Maqedonisë në NATO dhe BE dhe inkurajoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit nga të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë në vend.
“Marrëveshja e Ohrit përbën një themel të sigurtë ligjor për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë”, – shprehu bindjen Presidenti Nishani dhe theksoi se Shqipëria dëshiron të shohë më shumë progres në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Presidenti Nishani u shpreh gjithashtu se dialogu politik, përgjegjshmëria institucionale dhe veprimi i shtetit ligjor për të gjithë njëlloj, duhet të ndihmojnë në shmangien e incidenteve dhe ruajtjen e harmonisë etnike dhe fetare në vend. Presidenti Nishani kërkoi mbështetjen e Maqedonisë për përfshirjen e Kosovës në nismat dhe forumet rajonale.



