Trajneri i Shqipërisë De Biasi: Dua të arrij të pamundurën

Gianni De Biasi, trajner i Kombetares

Të martën zhvillohet në Lucernë ndeshja Zvicër – Shqipëri për eliminatoret e Kampionatit Botëror të Fubollit Brazil 2014. Në radhët e kombëtares zvicerane luajnë 5 lojtarë me prejardhje shqiptare.

Nga sportdashësit shqiptarë po pritet me padurim përballja midis Zvicrës dhe Shqipërisë të martën në Lucernë. Ndeshja është e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror Brazil 2014. Dy ekipet vijnë në këtë ndeshje të dytë për to në grupin E pas fitoresh: Zvicra 0:2 jashtë kundër Sllovenisë dhe Shqipëria në Stadiumin Qemal Stafa 3:1 ndaj Qipros. E veçanta e këtij takimi është se në radhët e kombëtares zvicerane luajnë pesë futbollistë me rrënjë shqiptare. Atmosfera në prag të takimit ka prodhuar madje në të dy krahët edhe akuza lënduese të llojit “tradhëti ndaj atdheut” (si në hapësirën shqiptare ashtu edhe në Zvicër).

E ndërsa Shqipëria ka hyrë mirë në këto eliminatore, trajneri i saj italian Gianni De Biasi shprehet se edhe arritja e vendit të katërt në grup është një rezultat i mirë. Në një intervistë për të përditshmen zvicerane Neue Zürcher Zeitung ai i sheh favoritët për zënien e vendit të parë në grup në këtë renditje: Zvicër, Slloveni, Norvegji. Me gjithë fitoren ndaj Qipros të premten e kaluar, loja e Shqipërisë zbuloi edhe mangësi të shumta. Në futbollin shqiptar trajneri i ri i kombëtares konstaton mangësi në infrastrukturë, organizim, disiplinë (taktike) dhe know how. De Biasi synon të ruajë natyrën luftarake të futbollistëve shqiptarë duke i displinuar ata në të njëjtën kohë. Me biografinë dhe përvojën time nga kategoria e parë italiane më jepet vlerësimi i nevojshëm në Shqipëri, është shprehur më tej De Biasi.

Aktualisht Shqipëria nuk ka futbollistë të spikatur

Në lidhje me vendimin e futbollistëve të emigruar shqiptarë për të luajtur për kombëtaret e vendeve të huaja De Biasi ka thënë: Ne kemi shumë futbollistë të mirë, që luajnë për federata të tjera. Është gjynah, por më duhet ta pranoj.” Faktin që talente të jashtëzakonshme vijnë shpesh nga rajone të varfëra trajneri e lidh me rrethanën që i vetmi kalim kohe që kushton pak dhe me të cilin mund të argëtohen 22 fëmijë është topi. Sipas tij, aktualisht shqipëria nuk ka futbollistë të spikatur, por shumë futbollistë të mirë.

1/3 e stadiumit të Lucernës mund të jetë ‘në dorë shqiptare’

Interesimi i tifozëve shqiptarë për takimin në Zvicër është i jashtëzakonshëm. Edhe trajneri De Biasi llogarit me një prani të madhe të përkrahësve të Shqipërisë në Lucernë, siç thotë, deri në një të tretën e stadiumit dhe me zhurmë edhe më të madhe nga ana e tyre. Dy lojtarë të kombëtares zvicerane, Xhemaili dhe Inler, De Biasi i njeh mjaft mirë nga Seria A. Të parin e tërhoqi në Torino nga Boltoni dhe kapitenin e Zvicrës Inler e njeh nga koha e tij në Udine. Në radhët e kombëtares zvicerane luajnë 5 lojtarë me prejardhje shqiptare (tre nga Kosova: Valon Behrami, Xhardan Shaqiri, Granit Xhaka; dhe dy nga Maqedonia: Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi). Pjesa dërrmuese e lojtarëve të kombëtares zvicerane kanë origjinë migrimi. Në grupin E marrin pjesë: Shqipëria, Zvicra, Norvegjia, Sllovenia, Islanda. (DW)

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard