Nisma e PS për ndryshimet kushtetuese, Këshilli i Legjislacionit cakton relatorët

Keshilli i Legjislacionit
Këshilli i Legjislacionit është mbledhur sot pasdite për propozimet e Partisë Socialiste ndryshimet kushtetuese. Mbledhja e sotme ka zgjatur vetëm pak minuta, vetëm 2 minuta e 40 sekonda, duke thyer cdo rekord kohëzgjatjeje për një cështje që konsiderohet e rëndësishme.
Në një kohë kur priteshin diskutime nga të dyja palët, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që drejtonte mbledhjen njoftoi që palët kishin rënë dakord për caktimin e 2 relatorëve; Pandeli Majko nga PS dhe Paulina Hoti për Partinë Demokratike. Ndërkaq, u ra gjithashtu dakort për zhvillimin e seancës dëgjimore me konstitucionalistë dhe përfaqësues të institucioneve kushtetuese, që preken nga propozimet e Partisë Socialiste, ditën e premte.
Në paketën e propozuar nga opozita, mes të tjerash perfshihet dhe emërimi me 3/5 të Prokurorit të Përgjithshëm, të kryetarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, si dhe të gjithë anëtarëve të këtyre gjykatave. Propozimet e PS për këtë shoqërohen me argumentimin se sistemi i drjetësisë fiton një pavarësi më të madhe nga politika.
PD ka deklaruar me pare voten kunder, duke i cilesuar si propozime që synojnë vendosjen e “Kushtetutës së pakicës”. Më 6 shtator, mazhoranca shtyu me dy javë diskutimin e nismës së propozuar nga Partia Socialiste për ndryshimet kushtetuese, vendim qe u konsiderua nga kjo e fundit ‘i papargjegjshem’. Por, kryeministri Sali Berisha kërkoi afrimin e mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit, në mënyrë që kufizimi i imuniteteve dhe ligji për Gjykatën e Lartë, dy nga 12 prioritetet për marrjen e statusit, të miratohen brenda shtatorit.




