Berisha firmos krijimin e fondit grant për bizneset artizanale dhe uljen e pagesës për kasat fiskale
Kryeministri Sali Berisha firmosi sot vendimin për krijimin e Fondit Grant të Qeverisë për financimin e bizneseve artizanale në Shqipëri, si dhe ndryshimet në vendimin për kasat fiskale. Zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli, tha se këto dy vendime i shërbejnë politikave të krijimit të vendeve të punës nëpërmjet nxitjes së biznesit dhe lehtësimit të klimës së tij.
“Artizanati është një nga traditat më të çmuara kulturore dhe ekonomike të Shqipërisë dhe ka një potencial të madh të vetëpunësimit dhe punësimit në të gjitha zonat e vendit. Prodhimet artizanale shqiptare po bëhen gjithnjë e më të preferuara për shqiptarët dhe të huajt. Ndaj, me këtë Fond fillestar prej rreth 50 milionë lekësh, qeveria synon të krijojë një burim të ri financimi direkt të veprimtarive artizanale në të katër anët e vendit, por edhe zbutjen e interesave të kredive”, tha Mëhilli. Sipas saj, Qeveria u bën thirrje të gjitha qeverive vendore që në interes të punësimit të qytetarëve të bashkive dhe komunave ku ata qeverisin, të krijojnë dhe ata, brenda mundësive që kanë, fonde të tillë dhe të parashikojnë të gjitha lehtësirat e mundshme logjistike për këtë degë të rëndësishme për punësimin e qytetarëve.
Ndërkohë, ndryshimet në vendimin për kasat fiskale parashikojnë uljen me rreth 60 përqind të pagesës vjetore që paguan çdo biznes në Shqipëri për mirëmbajtjen e pajisjes fiskale. “Nga 9400 lekë që është paguar deri më tani, pagesa vjetore e mirëmbajtjes bëhet vetëm 4000 lekë. Pra, e theksoj, do të jetë më pak sesa gjysma e pagesës që bëhej më parë”, tha Zëdhënësja e Kryeministrit. Sipas saj, me këtë vendim të ri, biznesit do t’i kërkohet certifikimi i funksionimit të kasës fiskale vetëm një herë në vit dhe jo çdo 6 muaj, siç kërkohej deri tani.
Qeveria bëri të ditur se ky vendim u mor për t’i ardhur në ndihmë biznesit, duke ulur kostot dhe lehtësuar procedurat administrative, me të cilën biznesi përballet.




