Heqja e mbikqyrjes së Pavarësisë së Kosovë, Nishani-Berisha: Arritje historike

Heqja e mbikqyrjes së Pavarësisë së Kosovës u cilësua nga drejtuesit e shtetit shqiptar si një moment i shënuar për cdo shqiptar, një arritje historike. Presidenti Bujar Nishani dhe Kryeministri Sali Berisha në mesazhe të vecanta kanë përcjellë urimet më të përzemërta për qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj.

“Ju drejtohem në një moment solemniteti dhe reflektimi, kur e ardhmja dhe e shkuara e Kosovës ndahen dhe bashkohen njëherësh. Ndahen e shkuara e hidhur nga e ardhmja e sigurtë plot begati për të gjithë qytetarët e Kosovës, të çfarëdo etnie dhe përkatësie fetare. Bashkohen përpjekjet dhe përkushtimi për liri, demokraci dhe prosperitet”, e nis mesazhin e tij, Presidenti Bujar Nishani. Kreu i Shtetit thekson se përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës është kurorëzimi i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë.

“Republika e Kosovës sapo ka nisur udhëtimin e saj të gjatë si një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran që ka tërësisht në duart e saj të ardhmen e qytetarëve dhe të brezave që do të vijnë. Më lejoni t’ju uroj në këtë ditë ogurbardhë, gëzimi i të cilës bëhet pjesë e festimit tonë të 100-vjetorit të shtetit të parë shqiptar. Kjo është një ditë e mbushur me entuziazëm, por edhe me një përgjegjësi të madhe”, shprehet Nishani.

Sipas tij, qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të kenë përgjegjësinë e plotë për të punuar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euro-atlantike të shtetit më të ri në moshë, por që ka fituar tashmë pjekurinë falë përkushtimit dhe urtësisë së të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërisë civile.

“Ne jemi të gjithë bashkë për të përballuar sfidat dhe gëzuar sukseset e së ardhmes, sepse kemi të njëjtin destinacion dhe të njëjtën aspiratë, të bashkohemi në familjen evropiane, ku liria ka dimensionet më të mëdha dhe e ardhmja është më e begatë. Por, gjithçka me punë dhe përkushtim. Ne do t`ia dalim, sepse kemi dëshmuar se dimë të luftojmë, të punojmë dhe të fitojmë. Gëzuar lirinë! Zoti e bekoftë Kosovën!”, përfundon mesazhi i Presidentit të Republikës.

Ndërkohë më herët, Kryeministri Sali Berisha theksoi se “këto dy ditë komuniteti ndërkombëtar në Kosovë po heq  mbikëqyrjen mbi pavarësinë e vendit, një arritje historike kjo  e qytetarëve të Kosovës në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor dhe institucioneve të tyre”. Sipas tij, kjo është një arritje historike në ndërtimin dhe konsolidimin e  plotë të saj demokracie që po ndërtojnë në përkushtim, vendosmëri të një Kosove të qytetarëve të lirë para ligjit. “Kjo përben një ngjarje madhore jo vetëm për qytetarët e Kosovës dhe Kosovën, por edhe për shqiptarë kudo që janë  dhe për popujt  e tjerë të rajonit. Ndaj dhe unë në emrin tuaj dhe të qeverisë formuloj urimet më të përzemërta për qytetarët e Kosovës në këtë ditë  shumë të rëndësishme të vendit dhe shtetit të tyre, për qeverinë e Kosovës, presidenten e Kosovës dhe të gjitha institucionet e këtij vendi”, theksoi Berisha.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard