Berisha: Nisni përgatitjet për fushatën e 2013! Imuniteti, pranojmë të diskutojmë nismën e PS

Berisha ne mbledhjen e grupit te PD
Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, e para pas pushimeve të verës për deputetët, Berisha tha se energjitë e ripërtërira të kësaj vere do të jenë energjitë më të fuqishme të fushatës së ardhshme elektoral, energji me të cilat ne do të fillojmë më të bukurën, më intensiven, më të gjerën të të gjitha fushatave që kemi zhvilluar deri më sot. “Asgjë nuk i shëmbëllen më shumë ky mandat sesa një peme që jep frutat e saj. Në të gjitha zonat tuaja elektorale, kudo që ju shkoni, gjeni projekte të realizuara, apo në realizim e sipër të kërij mandati që është edhe ai i transformimit të Shipërisë”, iu drejtua Berisha deputetëve të Partisë Demokratike.
Duke rikthyer në vëmendje debatin për heqjen e imunitetit, Berisha përshëndeti qëndrimin e Partisë Socialiste, që sipas tij, është shprehur për votimin e heqjes së imunitetit, pavarësisht qëndrimit që do të mbajë mazhoranca në lidhje me propozimet e saj për ndryshimet e tjera kushtetuese. “Vera u dominua në rrafshin politik nga debatet për imunitetin. Kjo nismë për të cilën Partia Demokratike ka luftuar 10 vite me rradhë nuk ka asnjë qëllim krijimin e kapitalit politik. Heqja e imunitetit, vendosmëria për heqjen e tij, nuk kanë të bëjnë aspak për përpjekjen tonë për përfitim politik. Ky është një akt që i intereson shqiptarëve dhe ne nuk kemi kushtëzuar në asnjë rrethanë heqjen e tij apo rrugën e heqjes së tij. Në rast se ne vendosëm ti drejtohemi sovranit, e bëmë pasi në 6 gusht socialistët nuk pranuan të votojnë draftin e përbashkët. Por këto ditë, Edi Rama dhe deputetë tëPartisë Socialiste janë shprehur në mënyrë të përsëritur se ata do të votojnë heqjen e imunitetit, pavarësisht qëndrimit tonë ndaj nismës së tyre për ndryshimet që propozojnë. Ato kanë kërkuar seanca dëgjimi për propozimet e tyre, ne kemi shprehur qëndrimin tonë, por meqënëse shtatori është një afat kritik për vlerësimin e arritjeve të Shipërisë, do t’ju lutesha që të bëjmë gjithcka për të ofruar në përputhje me rregullat datën e ofrimit në Kuvend të heqjes së imunitetit, natyrisht edhe propozimeve të kërkuara nga opozita. Në rast se kjo procedurë do të kompjetohej brenda afatit kohor, ky do të ishte lajmi më i mirë që ne do ti dërgonim partnerëve tanë kudo në Europë dhe në botë”, vijoi më tej Kreministri. Sipas tij, mazhoranca duhet ë bëjë gjithca që të realizojë heqjen e imunitetit, ndërsa shtoi se hapat që do të ndërmarrë opozita në këtë drejtim i takojnë asaj. Në këtë kuadër, Berisha paralajmëroi se nuk do të hiqet dorë nga mbajtja e referendumit, nëse opozita nuk do të votojë në Kuvend draftin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit.
Një tjetër cështje për të cilën Berisha u ndal është situata ekonomike në vend, të cilën e cilësoi si optimiste. “Të dhëna optimiste, inkurajuese në këtë krizë që ka pllakosur në Europë dhe Botë vijnë nga ekonomia shqiptare. Sipas statistikave të fundit, rezulton se shitjet, tregëtia, shërbimet, që të gjitha kanë një rritje domethënëse. Tregëtia u rrit me 20 %, shërbimet me 6 %, eksportet kanë rritje dyshifrore. Pra këto të dhëna dëshmojnë se modeli ynë ekonomik po funksionon edhe në kushtet e një krize të rëndë”, tha Berisha. Sipas tij, një nga revistat më prestigjoze në botë për temat ekonomike, ‘Ora Globale e Borxhit’, Shqipëria vendoset në zonën jeshile. “Kjo revistë njoftonte borxhin që ne e kemi përsëritur gjithmonë, nën 60 %. “Por ata që do të lexojnë ‘Orën Globale të Borxhit’ në rastin e Shqipërisë do të gjejnë një dukuri shumë të vecantë, në Shqipëri borxhi me gjithë ndikimet e pamohueshme të krizës dhe problematikën e euros, nga viti 2005 në 2012 lëviz me 2-3 %, si në asnjë vend tjetër. Nuk jemi angazhuar në politikën e uljes së borxhit, por i jemi përmbajtur rregullit, nuk kemi marrë asnjë qindarkë borxh për qëllime të tjera, përvec investimeve në rrugë, shkolla, ujësjellësa, kanale vaditëse, teknologjinë e informacionit. E vërteta është që megjithëse këto investime kanë qenë ndër më të lartat që ndonjë qeveri mund të ketë ndërmarrë, ka patur vite që vetëm rrugët kanë pasur 10 % të prodhimit të brendshëm, borxhi nuk është rritur, pasi ekonomia shqiptare është rritur”, theksoi Berisha. Sipas tij, Shqipëria ka mbajtur në kontroll të plotë borxhin e saj dhe nuk ka rënë në asnjë moment në zonën e kërcënuar nga viti 2005 deri më sot.
Por, gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha, në emër edhe të deputetëve demokratë, ka përcjellë një urim për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, mësueset dhe mësuesit, prindërit e tyre, për fillimin e vitit të ri shkollor. “Uroj që ky vit të ngjisë gjithnjë e më lart shkollarët e këtij vendi, sikundër dua të zotohem se si përparësi absolute e jona që është arsimi do të ketë edhe në vazhdim mbështetjen e plotë dhe totale të kësaj qeverie. Shqipëria e zhvilluar do të jetë vetëm Shqipëria e dijes, pasi promotori më kryesor i zvillimit të një kombi ka qenë dhe mbetet shkolla dhe shkollimi”, tha Berisha. Sipas tij, “ajo cka na inkurajon shumë në këtë vizion, në këtë përpjekje, ndonëse ne akoma nuk jemi një vend i zhvilluar, por me qëndrimin tonë serioz dhe të vendosur ne kemi arritur në këto dy vitet e fundit të regjistrojmë disa nga arritjet shumë të rëndësishme të vendeve të zhvilluara”.
Duke paraqitur disa shifra mbi sistemin arsimor, Berisha tha se “sot në sistemin parauniversitar të vendit janë ulur në bankat e shkollës 560 mijë nxënës, nga të cilët 36 mijë ulen për herë të parë”. Në këtë kuadër ai tha se në mbarë vendin janë sot dhe funkionojnë 2980 shkolla, publike dhe private. “Numri i shkollave private në arsimin parauniversitar është 256 , ndërsa pë moshën parauniversitare në shkallë vendi funksionojnë 1907 kopshte. Klasat e arsimit parashkollor janë hapur në 400 shkolla të vendit. Pra në total në funksion të arsimit në Shqipëri funksionojnë 4983 shkolla e kopshte. Ajo cka përbën një arritje madhore të projektit tonë për arsimin, 71 % e të gjitha shkollave të vendit janë të reja ose të rindërtuara. Ne po shkojmë drejt përmbushjes së objektivit tonë shkolla moderne për fëmijët shqiptarë”, vijoi Kryeministri.
Ai premtoi vazhdimin e investimeve me përparaësi të madhe derisa të gjithë fëmijët shqiptarë të ulen në banka dhe shkolla me infrastrukturë të njëjtë me atë europiane. “Në përpjekjen tonë për modernizimin e arsimit, kabinetet e kompjuterave dhe internetit funksionojnë sot në cdo shkollë shqiptare dhe po ecet me shpejtësi që të funksionojnë në cdo klasë. Kurrikulat kanë pësuar dhe po pësojnë ndryshime të rëndësishme. Gjuha dhe matematika përbjnë shtyllat kryesore të sistemit parauniversitar. Për një sistem arsimor bashkëkohor ne kemi përcaktuar mësuesit, trajtimin e tyre, si një faktor kryesor. Cdo mësues paguhet 120 deri në 145 % më shumë sesa janë paguar nga qeveritë e mëparshme socialiste. Nuk ekziston asnjë vend tjetër që të ketë realizuar një rritje kaq të shpejtë të mësuesve sa kjo që kemi bërë ne”, tha Berisha.
Sipas tij, mbi 91 % e atyre që kanë mbaruar arsimin 9 vjecar kanë hyrë në shkollat e mesme, dhe kjo është një statistikë për ta vendosur Shqipërinë në rrugën e dijes.
Në lidhje me shkollat private, Berisha shprehu qëndrimin se “mbetemi të palëkundur për nxitjen dhe inkurajimin edhe në këtë fushë, sikundër garantoj se dyert e arsimit publik do të mbeten të hapura. Por kontributi i arsimit privat e mirëpresim dhe e inkurajojmë, pasi ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e sistemit arsimor, nxit garën midis arsimit publik e privat, që ndikon në përmirësimin e cilësisë së tyre”.





