‘Brazil 2014’, ndalet Italia! Bosnja shënon fitoren më të thellë. Rezultatet per cdo grup
Bosnja Hercegovina shënoi fitoren më të thellë në takimet e para eliminatore për ‘Brazil 2014’, zona e Europës, teksa mundi 8-1 modestët e Liechtenstein. Ndërsa Italia është ndalur në një barazim 2-2 në transfertë ndaj Bullgarisë, Anglia, Gjermania e Holanda kanë marrë fitoret e para në grupet respektive.
Grupi A
Kroacia mundi 1-0 Maqedoninë në takimin e parë për Grupin A, ndërsa goli i vetëm u shënua nga Nikica Jelavic në minutën e 69 të takimit. Kroatët kanë dominuar ndeshjen, megjithëse maqedonasit janë mbrojtur mirë dhe kanë rezistuar për gati 70 minuta. Në takimin tjetër të këtij grupi, Belgjika fitoi në transfertë ndaj Uells 2-0. Golat për ekipjn belg u shënuan nga Vincent Kompany dhe Van Vertonghen. Me këtë fitore, Belgjika renditet e para në grupin A me 3 pikë, po kaq sa edhe Kroacia, por me golavarazh më të mirë.
Grupi B
Bullgari-Itali ishte ndeshja më e rëndësishme e Grupit B në mbrëmjen e djeshme, teksa të dyja skaudrat kanë ndarë nga një pikë në barazimin 2-2. Të parët që kaluan në avantazh ishin bullgarët me anë të Gadjev në minutën e 16 të takimit. Por ekipi i drejtuar nga Prandeli do të shënonte dy gola të shpejtë duke marrë avantazhin brenda 45 minutave të para, me anë të Osvaldo. Sulmuesi i Romës tregoi edhe njëherë formën e mirë sportive që po kalon, duke shënuar në portën e mbrojtur nga Mihailov në minutat e 36 e 40 të pjesës së parë të takimit. Në pjesën e dytë, bullgarët do të kërkonin golin e barazimit, i cili do të vinte pas një kombinimi të bukur brenda zonës italiane. Milanov do të mposhte portierin Buffon, ndërsa bullgarët do ti gëzoheshin golit të barazimit. Në takimin tjetërnë këtë grup, Armenia fitoi në transfertë ndaj Maltës me rezultatin 1-0. Armenia kryeson këtë grup me pikë të plota, e ndjekur nga Italia e Bullgaria me nga 1 pikë secila.
Grupi C
Gjermania ka munduar 3-0 Ishujt Faroe, në një ndeshje e cila i ka ngjasuar më shumë një miqësoreje. Panzerat kaluan në avantazh në minutën e 28 me anë të yllit të Borussia Dortmund, Mario Gotze. Mesut Ozil do të realizonte dy golat e tjerë për Gjermaninë në minutat e 54 dhe 71 të takimit. Irlanda ka marrë një fitore në transfertë ndaj Kazakistanit, ndonëse ky i fundit ka kryesuar takimin deri në minutën e 88. Kazakistani do të kalonte në avantazh në minutën e 30 me anë të Nuserbaev dhe kur mendohej se vendasit do të merrnin 3 pikë, kanë ardhur edhe dy golat që kanë përmbysur gjithcka. Keane dhe Doyle do të shënonin në harkun e 120 sekondave në portën e Kazakistanit, duke përmbysur gjithcka dhe duke i dhënë Irlandës fitoren e parë në eliminatoret e Kupës së Botës. Grupi C kryesohet nga Gjermania dhe Irlanda me nga 3 pikë.
Grupi D
Rumania, Hungaria dhe Holanda kanë marrë fitoret e para në ndeshjen e Grupit D të luajtura përkatësisht ndaj Estonisë, Andorra dhe Turqisë. Kryendeshja e këtij grupi ishte ajo mes Holandës e Turqisë, e fituar nga tulipanët me rezultatin 2-0. Van Persie dhe Narsingh shënuan golat për ekipin e drejtuar nga tekniku Van Gal, ndonëse ekipi turk ka shpërdoruar shumë raste të pastra shënimi. Holandezët janë treguar më të saktë në mesfushë dhe kanë shfrytëzuar më mirë rastet e pastra të shënimit të paraqitura, teksa ekipi turk është ndëshkuar edhe nga mungesa e fatit.
Grupi F
Rusia dhe Portugalia fituan takimet e para ndaj Irlandës së Veriut dhe Luksemburg, ndërsa Izraeli u ndal në barazim 1-1 nga Azerbaxhani. Rusi-N.Ireland ishte takimi i parë në Grupin F, të cilin rusët e fituan 2-0. Golat u shënuan nga Fauzulin dhe Shirokov, ndërsa Rusia dominoi takimin përgjatë 90 minutave. Portugalia morri një 3 pikësh pa shkëlqim ndaj modestëve të Luksemburg. i pari që kaloi në avantazh ishte ekipi luksemburgas me anë të Daniel Da Mota në minutën e 13 të takimit. Goli i barazimit për portugezët do të shënohej 15 minuta më pas nga Ronaldo, ndërsa golin e fitores për Portugalinë do e shënonte Postiga në minutën e 54.
Grupi G
Bosnia-Herzegovina fitoi me një rezultat tenistik në transfertë ndaj Liechtenstein me rezultatin 8-1. Boshnjakët janë treguar të papërmbajtshëm në këtë takim, teksa shënuan nga 4 gola për secilën pjesë loje. Tripletat e Ibizevic dhe Dzeko dhe një dygolësh i Misimovic i kanë mjaftuar boshnjakëve për të vendosur rezultatin më të thellë të të gjitha takimeve eliminatore të luajtura mbrëmjen e së premtes. Greqia ka arritur të fitojë në transfertë ndaj Latvia, megjithëse vendasit kaluan në avantazh në minutën e 42 me anë të Cauna. Mungesa e eksperiencës, por edhe forca fizike e ekipit grek, i dhanë 3 pikëshin e parë në këto eliminatore Greqisë, me golat e shënuar nga Spiropouolos dhe Gekas. Ndërsa në takimit tjetër të Grupit G, Lituania dhe Sllovakia u ndalën në barazimin 1-1. Ky grupi kryesohet nga Bosnia dhe Greqia me 3 pikë, të ndjekura nga Sllovakia e Lituania me nga 1 pikë.
Grupi H
Anglia fitoi 5-0 në transfertë ndaj Moldavisë, ndërsa Mali i Zi dhe Polonia u ndalën në një barazim 2-2. Dy golat e Lampard, Defoe, Milner e Bainas do ti mjaftonin anglezëve për të marrë fitoren e parë në eliminatoret e Kupës së Botës. Anglezët kanë zhbllokuar rezultatin qysh në minutën e 4-të, pasi Lampard shndërroi në gol një 11 metërsh. Vendasit kanë qenë të pafuqishëm për të përballuar ‘Tre Luanët’ që shënojnë fitoren e parë zyrtare që prej eleminimit në 1/8 e Euro 2012 nga Italia. Ky grup kryesohet nga Anglia me 3 pikë.
Grupi I
Francës i ka mjaftuar një gol i Diaby për të marrë 3 pikëshin e parë në ndeshjet e Grupit I. Franca luajti në transfertë ndaj Finlandës, një takim i ekujlibruar por që në fund rezultati ka folur për ‘gjelat’. Takimi tjetër në këtë grup ishte ai mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, të cilin gjeorgjianët e fituan me rezultatin 1-0. Grupi kryesohet nga Franca dhe Gjeorgjia me nga 3 pikë.





