Topi merr drejtimin e FRD: Tani mendojmë të mos bëjmë koalicion me PD-PS
Bamir Topi merr zyrtarisht drejtimin e Frymës së Re Demokratike. Ndryshe nga cfarë kishte deklaruar më parë se do t’i bashkohej FRD qoftë edhe si anëtar i thjeshtë, duket se ish-Presidenti ka marrë menjëherë drejtimin e partisë, e cila u themelua në muajt e fundit të mandatit të Topit si Kryetar Shtetit. Në këtë mënyrë, ish-Presidenti do të drejtojë FRD deri në mbajtjen e kongresit zgjedhor të kësaj partie në vjeshtën e këtij viti.
“Në përputhje me deklaratat e mia të mëparshme dua të shpreh vendimin tim politik për tu bërë pjesë aktive politike e FRD-së, për të bërë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve. Për 5 vitesh pata fatin që të përfaqësoj të gjithë qytetarët. Unë rikthehem në politikën aktive me një përvojë shumë herë më të madhe politike, me synimet e qarta në arritjen e atyre standarteve të demokracisë”, u shpreh Topi.
Me një fjalim të ngjashëm si ato që ka mbajtur gjatë mandatit si President, Topi i është shmangur artikulimit të emrave të përvecëm, që sipas tij, mbajnë përgjegjësi për situatën politike apo ekonomike në 20 vitet e transzicionit, duke fajësuar në këtë mënyrë të gjithë klasën politike. Sipas Topit, qytetarët janë të zhgënjyer nga politika e cila është ndjekur deri më tani dhe kërkojnë një ndryshim pozitiv. “Qytetarët pritën 20 vjet. Ata janë të shqetësuar për klimën e rëndë dhe zhgënjyese të tranzicionit të ndjeshëm. Me të drejtë kërkojnë një ndryshim pozitiv për veten, familjen dhe për vendin. FRD-ja ka për qëllim këtë ndyshim që s`ka të bëjë vetëm me ndryshimin e jetës së qytetarëve por me ndryshimin e sjelljes politike, me formën sesi zhvillohet politika në Shqipëri dhe cilësinë e produktit që sjell politika. Ata me të drejtë kërkojnë një ndryshim pozitiv për veten, familjen dhe për vendin. FRD-ja ka për qëllim këtë ndyshim që s`ka të bëjë vetëm me ndryshimin e jetës së qytetarëve por me ndryshimin e sjelljes politike”, tha ish-Presidenti, aktualisht kryetar i FRD-së.
Më tej, ai theksoi se Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist që s’ka marrë ftesën për anëtarësim në BE. “Kjo nuk e nderon politikën shqiptare, e cila priret të shkojë vetëm tek debatet pa vlerë që prodhojnë tension. Qytetarët shqiptarë e kanë fituar betejën për integrimin e BE, pasi më shumë se 95 % e tyre janë shprehur qartë. Ne kemi pasur të mundshme marrjen e ftesës për anëtarësim, por për shkak të kësaj politike ne ende se kemi marrë atë”, tha Topi. Në vijim të akuzave, por pa përmendur emra konkretë, Topi tha se në Shqipëri u krijua një sistem politik me pak dallime nga ai i para 1990. Dhe në këtë kuadër ai përmendi mos zgjidhjen e cështjes së pronës, administratën e politizuar apo problemet që shfaqen në sistemin e drejtësisë.
Topi gjithashtu është shprehur i prerë se nuk do të ketë koalicion me dy partitë e mëdha politike në zgjedhjet e 2013-ës. “Ne i konsiderojmë tashmë parti të vjetra të një trazicioni të mundimshëm në Shqipëri. Ne përjashtojmë në mënyrë absolute ndonëse politika ka një fjalë “kur mos thuaj kurrë”, të paktën për atë mendim që ne mendojmë sot , në zgjedhjet e 2013-ës nuk do të bëjmë koalicion me asnjë parti politike përfshirë PD-në dhe PS-në” tha Topi. Sipas tij, PD-PS mbeten përgjegjës së dështimeve të njëpasnjëshme të vendit, pasi përjashtuan qytetarët nga vendimmarrja dhe privuan ata nga të drejtat kushtetuese. Me poshte po japim te plote deklaraten e ish-Presidentit Bamir Topi.
Së pari më lejoni të falënderoj publikisht z. Oketa dhe bashkëpunëtorët e tij në komisionin nismëtar të partisë Fryma e Re Demokratike për ftesën dhe mundësinë për të drejtuar FRD deri në kuvendin kombëtar. E çmoj dhe e vlerësoj këtë ftesë si një shans dhe përgjegjësi për të çuar më përpara punën e nisur nga një grup politikanësh dhe intelektualësh të rinj, me cilësi profesionale dhe qytetare, të cilët, iu bashkuan mijëra qytetarëve që nënshkruan aktet e para themeluese të FRD.
Së dyti, në përputhje me deklarimet e mia të mëparshme, dëshiroj të shpreh sot publikisht vendimin politik për tu bërë pjesë aktive e FRD, duke e parë këtë si një sfidë personale dhe një mision qytetar për të bërë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve dhe vendit. Për pesë vite pata fatin të përfaqësoj të gjithë shqiptarët, në detyrën e lartë kushtetuese të kryetarit të shtetit. Pas përfundimit të mandatit kushtetues, unë rikthehem në politikë aktive, me përvojë shumë herë më të madhe shtetërore dhe politike, me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe me një synime të qarta për një kontribut të vazhdueshëm në arritjen e atyre standardeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të cilat ne ia premtuam qytetarëve shqiptarë në revolucionin studentor dhe qytetar të vitit 1990.
Fryme e Re Demokratike nuk është një projekt personal dhe as e një stafi të ngushtë bashkëpunëtorësh. Kudo në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, në familje dhe në komunitet, kudo qytetarët janë të shqetësuar me klimën e rëndë dhe zhgënjyese të tranzicionit të deritanishëm. Kudo, ata, me të drejtë kërkojnë një ndryshim pozitiv për veten, familjen dhe vendin; – një ndryshim që nuk ka të bëjë vetëm me raporte politike në parlament apo në qeveri, por me diçka shumë më të rëndësishme dhe më thelbësore në një shoqëri demokratike: – me ndryshim të sjelljes politike, të formës sesi zhvillohet politika në Shqipëri, të cilësisë së debatit politik dhe të produktit që politika ofron për qytetarin.
Për shumicën e qytetarëve, ashtu si edhe për mua dhe bashkëpunëtorët e mi, është e papranueshme fakti se Shqipëria prej 20 vitesh vijon të jetë vendi i vetëm ish komunist që nuk ka marrë ftesën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një vend ku nuk janë zgjidhur ende gjashtë çështjet themelore të një sistemi politik demokratik: çështja e pronës, çështja e votës, çështja e drejtësisë, çështja e administratës publike, ajo e ndarjes së drejtë me të kaluarën dhe çështja e integrimit. Njëzet vjet më parë qytetarët kishin shpresë e besim, ndaj ata mbushën sheshet e Shqipërisë duke kërkuar të bëhemi si e gjithë Evropa. Pas dy dekadash ata kanë arsye të ndjehen të zhgënjyer nga politika; të ndjehen të papërfaqësuar nga parti e klane politike që refuzojnë të numërojnë e respektojnë votën e tyre; të ndjehen të braktisur nga ata që erdhën si shpëtimtarë nga sistemi komunist por që vetë, me ndërgjegje dhe synim të qartë, krijuan një sistem politik me pak dallime nga ai që lamë pas në dhjetor 90.
Fryma e Re Demokratike është përçuese e kësaj kërkese të gjerë qytetare për një frymë të re, për sjellje e mentalitete të reja, për politikë të re dhe një agjendë të re për zhvillimin e demokracisë dhe progresin e vendit. Ne kemi marrë përsipër misionin ta përfaqësojmë zyrtarisht këtë frymë që përfshin tri breza qytetarësh:
- të rinjtë, të cilët sistemi i sotëm politik i ka përjashtuar nga vendimmarrja, shanset e karrierës, fjalës, organizimit apo integrimit real në strukturën politike e shoqërore;
- shtresën e mesme e cila mbajti peshën kryesore në ngjarjet e 20 viteve dhe që sot ndjehet e braktisur, e kërcënuar nga papunësia dhe mungesa e respektit dhe dinjitetit social; e papërfaqësuar dhe e plagosur në idealet e saj, në shpresat e saj, në shanset për një të ardhme më të mirë për familjet e tyre;
- një moshë të tretë aktive dhe me kontribute të mëdha për vendin, që qeveritë e majta dhe aleatët e tyre në të djathtë e kanë braktisur duke e konsideruar barrë për buxhetin shtetëror dhe shoqërinë.
Midis këtyre tri brezave qytetare FRD mbetet portë e hapur, partnere dhe zëdhënëse e vendosur e qytetarëve aktivë të këtij vendi, të shtresës së ish përndjekurve politikë, të biznesit të brishtë shqiptar, të familjeve fisnike dhe të traditës, të elitës së re intelektuale dhe të gjithë atyre që kanë një zë, një projekt apo një mendim në dobi të zhvillimit dhe demokracisë dhe përparimit të vendit.
FRD është parti e qendrës së djathtë, me respekt të thellë për parimet konservatore të shtetit dhe ligjit, të kushtetutës dhe drejtësisë, të lirive politike qytetare dhe pronës private, të përgjegjësisë shtetërore ndaj qytetarëve dhe në mbrojtje të interesave kombëtare, të respektit ndaj vlerave fetare dhe kultivimit të trashëgimisë pozitive të së kaluarës historike e kulturore, të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve kudo ata ndodhen dhe përfaqësimin e drejtë e cilësor të tyre në politikën vendimmarrëse.
Në këto vite ne kemi parë sesi interesat politike të ditës, pazaret e fshehta e të hapura personale midis politikanëve e partive, kanë krijuar një sistem partiak me legjitimitet të cunguar, të pabesueshëm nga publiku dhe të pandjeshëm ndaj kërkesave qytetare. Ajo çfarë na dallon dhe e bën identitetin tonë më të plotë, përfaqësues dhe afatgjatë është vizioni ynë për shtetin dhe qytetarët.
FRD nuk kërkon dhe nuk synon pushtetin si qëllim më vete; ne refuzojmë dhe nuk do të pranojmë asnjë rast dhe për asnjë arsye marrëveshje individuale apo politike të ndërtuara mbi baza amorale e antikushtetuese.
- Ne ndahemi nga dy partitë e vjetra të tranzicionit për shkak se ato, të vetme dhe së bashku, janë e mbeten përgjegjëset kryesore të dështimeve të deritanishme të tranzicionit shqiptar, parti që e kufizuan konkurrencën demokratike dhe sa herë erdhën në pushtet synuan të njësojnë veten e tyre me shtetin, duke përjashtuar qytetarët nga vendimmarrja dhe duke i privuar ata nga të drejtat e tyre kushtetuese, – një model i vjetër i papranueshëm në demokraci.
- Ne ndahemi nga shumë prej partive të tjera politike për shkak se ne refuzojmë ta ndjekim politikën e parcelizimit të shtetit dhe pushtetit, sic ka ndodhur deri më tani, sic ne, ndryshe nga këto forca politike, refuzojmë të humbasim identitetin e vlerat tek të cilat besojmë e të cilat promovojmë.
Ne nuk i urrejmë kundërshtarët tanë politikë, ne nuk përjashtojmë apriori askënd të japë një kontribut modest për zhvillimin real të demokracisë, ne nuk mohojmë asnjë arritje pozitive të së kaluarës, por ne nuk pajtohemi dhe nuk mund të pajtohemi me ata politikanë apo parti politike, për të cilat luksi i pushtetit të pakufishëm mbetet synim i përhershëm. Brenda sistemit politik konkurrues ne do të bashkëpunojmë e dialogojmë me çdo forcë politike, ndryshe nga praktikat formale të tranzicionit, vetëm për ato çështje e parime mbrojtja e të cilave përbën për ne detyrim publik, elektoral dhe kombëtar. Gjithçka tjetër mbetet në dorë të sovranit, votës së tij të fshehtë dhe vullnetit të tij për të mandatuar qeverisjen e ardhshme të tij.
Në aktivitetin tonë legal politik ne duam të ofrojmë një program politik konkret dhe përfaqësues, që nuk synon të mbledhë vota, por mbi të gjitha të përfaqësojë e marrë përsipër zgjidhjen e problemeve reale që shqetësojnë qytetarët. Oferta e jonë është konkrete dhe në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm ajo do të jetë prezente për çdo familje shqiptare, të interesuar për të ardhmen e saj.
Ne kemi projekt konkret për nevoja urgjente të përmirësimeve të sistemit politik e qeverisës në vend, sesi demokracia të bëhet më përfaqësuese dhe më cilësore, sesi sovraniteti qytetar të ushtrohet më drejt dhe më me besueshmëri, sesi standardet tona të demokracisë të bëhen më maksimale dhe të krahasueshme me vendet e BE-së.
- Synimi ynë është zgjerimi i demokracisë direkte, rritja e rolit të qytetarëve në vendimmarrje, kontroll më të madh të qytetarëve mbi organet politike si dhe një sistem politik funksional në cilësi, ku marrin vlerë idetë, projektet dhe strategjitë zhvilluese dhe jo politikat konfliktuale, përjashtuese e denigruese, siç ka ndodhur deri më sot.
- Për ne është e papranueshme aktualiteti politik me një parlamenti jofunksional, një pushtet ekzekutiv që kontrollon parlamentin dhe me një pushtet politik që tenton e po zgjeron çdo ditë kontrollin e tij edhe mbi pushtetet e tjera dhe institucionet e pavarura kushtetuese.
FRD synon një klimë të re dhe kuadër ligjor të përmirësuar në lidhje me sistemin ekonomik dhe social në vend. Nuk mund të vijohet më që ekonomia publike shqiptare të falet e privatizohet nga klane të ngushta të lidhura me pushtetin. Shqipëria nuk mund të trajtohet si një pronë pa zot e këmbyeshme me një euro apo me kufij që ndryshojnë nga orekset politike të ditës, një pronë – dhuratë për biznese të dyshimta të atyre që marrin vendime dhe miqve të tyre të dyshimtë nga ndonjë vend rajonal.
- Kushtetuta e Shqipërisë na detyron të respektojmë integritetin dhe territorin e shtetit shqiptar, të mbrojmë pronën private dhe të krijojmë kushte konkurruese të barabarta dhe me transparencë për zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë së tregut të lirë, të krijojmë një sistem social me fytyrë njerëzore dhe një sistem arsimor që përzgjedh cilësinë përpara sasisë së diplomave, një sistem shëndetësor që i vjen në ndihmë efektive çdo qytetari shqiptar kudo që ai jeton, si dhe një sistem drejtësie që prodhon drejtësi, përçon siguri dhe ofron kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
- Ne mendojmë dhe angazhohemi se çdo qytetar ka të drejtë të dijë paraprakisht, përpara se të votojë dhe të zgjedhë parlamentin e qeverinë, se çfarë do të ndodhë me asetet publike, me pronën private, me sistemin shëndetësor dhe arsimor, me politikat sociale dhe kontributet shoqërore, me investimet e huaja dhe kapitalin formal dhe informal të biznesit shqiptar.
Për FRD-në nuk ka dilemë se integrimi evropian dhe angazhimi në NATO përbëjnë interesin madhor dhe konsensual të gjithë shqiptarëve.
- Ky koncept bashkues meriton të trajtohet me respekt dhe frymëzim për një politikë më konkrete, aktive dhe rezultateve për rritjen e peshës dhe dinjitetit të shtetit shqiptar, për forcimin dhe zgjerimin e rolit të tij këshillues dhe aktiv në të gjitha hapësirat shqiptare në rajon, për një politikë të brendshme që rrit imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe një politikë të jashtme që forcon faktorin euroatlantik shqiptar në rajon, miqësinë tonë historike me SHBA dhe vendet e BE-së, angazhimet tona për bashkëpunim e fqinjësi aktive edhe me shtetet e tjera rajonale.
- Brenda këtij kuadri ne angazhohemi për një politikë më aktive rajonale, për akte politike e institucionale që rrisin kredencialet shtetërore të Shqipërisë, për integrimin real edhe përmes votës të gjithë emigracionit shqiptar kudo ndodhet si dhe për një hapësirë ndër-shqiptare në rajon jashtë populizmit dhe rastësive të deritanishme, ku të njësojmë vlerat, sjelljet e përgjegjshme, angazhimet atlantike dhe parimet e demokracisë evropiane.
Të nderuar miq,
Ekipi drejtues i FRD përbëhet nga njerëz me përvojë të gjatë politikë, profesionistë në fusha të ndryshme, individë me identitet të qartë politikë, që e nisën karrierën pa urdhrin e askujt, por nga sheshi “Demokracia” në qytetin Studenti; nga politikanë të rinj në moshë dhe të rinj në mentalitet, që refuzuan të shërbejnë symbyllurazi dhe t’i bashkohen politikës së keqe të tranzicionit; pra nga njerëz që patën kurajo të refuzojnë karrierën e sigurtë në mbrojtje të integritetit qytetar, në mbrojtje të bindjeve dhe parimeve politike ku besojnë. Janë pjesë e Frymës së Re sepse mbrojnë parime e vlera që përbëjnë frymë të re në këtë vend, ku 20 vjet ju kanë keqqeverisur të njëjtit individë, të njëjtat politika të gabuara. Na lejoni të dëgjohemi, të takohemi, të flasim dhe na gjykoni nga gjërat që bëjmë dhe alternativa që paraqesim. Premtimi ynë është se do të jemi zëri juaj më i besuar, do të mbetemi ngë parti qytetare, për qytetarët dhe me qytetarët.
Së fundi, apeli im është për të gjithë ata qytetarë të cilët janë skeptikë ndaj politikës në tërësi, janë të lodhur nga politika dhe kanë humbur besimin se gjërat mund të ndryshojnë. Dua tu kujtoj se edhe më 1990 ka pasur qytetarë të tillë, por atëherë pasioni e kurajë e madhe e qytetarisë së Tiranës, studentëve dhe elitës universitare solli ndryshimin duke rrëzuar një nga regjimet më staliniste në Evropë. Fatin tonë e vendosim çdo ditë vetë ne, duke marrë përgjegjësi dhe duke mbajtur përgjegjësi, duke menduar të lirë dhe duke vepruar të lirë, duke treguar kurajë e forcë për të mbrojtur parimet ku besojmë dhe duke punuar pa u lodhur për realizimin konkret të tyre. Apatia dhe refuzimi janë në interes të atyre që për interesa politike e pushteti kanë rikthyer kohën e presionit, frikës, sundimit, fyerjes dhe braktisjes qytetare.
Vendi ka nevojë për qytetarë aktivë, aty ku janë, me zërin dhe pjesëmarrjen e tyre. Nëse të tjerët ju duan vetëm për fushata e mitingje, ne duam që ju të jeni pjesë e vendimeve politike të rëndësishme. FRD ju ofron të jetë një portë hyrëse e ideve tuaja, tribunë e mendimit tuaj të lirë, për të punuar së bashku për ndryshimin e madh, për një shoqëri qytetare, të përgjegjshme, të lirë, krenare, kurajoze dhe evropiane.





