Përdorimi i prefiksit të Shqipërisë nga Kosova, Berisha: Parimisht jam dakort. Toure: Vendos OKB dhe ITU

Kryeministri Sali Berisha u shpreh parimisht dakort me rezolutën e Kuvendit të Kosovës përsa i takon përdorimit të prefiksit të Shqipërisë. “Lidhur me këtë rezolutë, në parim jam plotësisht dakord dhe në parim është ide e shkëlqyer, por do të ishte mendimi im përfundim pasi të konsultohesha me ekspertët e fushës dhe ata të financave. Se në rast se, në rrafshin financiar, Kosovës, i krijon ndonjë shmangie kjo gjë, natyrisht do të mendoja që duhet të të studiohej më hollësisht. Në parim jam plotësisht dakord”, tha Berisha. Ndërkohë në lidhje me këtë rezolutë Sekretari i Përgjithshëm të ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit) Hamadoun Touré u shpreh se kodet e telefonisë së shteteve përcaktohen nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit dhe do jetë një precedent vërtetë serioz në se parlamenti vetë vendos nga ana e vet. “Kur një vend njihet nga Kombet e Bashkuara, atëherë ne ia vendosim kodin këtij vendi. Kodi i fundi që iu dha ishte ai për Sudanin Jugor . Ky kod jepet dy orë pas deklarimit që bëhet nga Kombet e Bashkuara. Ndërkohë ne marrim të njëjtin vendim në rast se ky vendim merret nga OKB-ja. Teknikisht ne përgatitemi dhe më pas nuk do të ketë asnjë problem”, tha ai. Sipas tij, përdorimi i kodit të  një vendi tjetër do të krijojë shumë probleme teknike, sepse vetëm tani janë 6 bilion telefonë celularë dhe secili nga ato është unik .

Këto komente Berisha dhe Toure i bënë gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp në selinë e Këshillit të Ministrave, pas përfundimit të konferencës së parë rajonale për internetin me bandë të gjerë, e cila zhvilloi punimet në Tiranë dhe u organizua nga Ministria për Inovacionin dhe TIK, në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU). Më poshtë po japim të plotë konferencën për shtyp të Kryeministrit Sali Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm të ITU-së, Hamadoun Toure.

Kryeministri Berisha:  Zonja dhe zotërinj, në përfundim të konferencës së parë rajonale për internetin me bandë të gjerë, kam kënaqësinë të shpreh këtu falënderimin më të përzemërt Sekretarit të Përgjithshëm të Telekomunikacioneve z. Hamadoun Touré, një mirënjohje te veçante për të gjithë ndjenjat e tij miqësore, mbështetjen  e madhe inkurajimin e tij personal dhe të ITU që i bënë vendit  tonë, në përpjekjen për realizimin e njërit prej projekteve më kryesore në historinë  tij, projektit te Shqipërisë dixhitale. Në në te gjithë këto vite kemi patur tek dr.Toure dhe agjencia ndërkombëtare  e telekomunikacionit, një partner te shkëlqyer ku jemi drejtuar për ndihmë dhe partneritet dhe kemi vendosur një bashkëpunim shumë te frytshëm.

Shqipëria është një anëtare themeluese e Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit dhe unë dua të garantoj shqiptarët se kjo agjenci ka qëndruar gjithnjë në shërbim dhe në mbrojtje të interesave të tyre në këtë fushë. Raportet  e tyre mbi situatën  e telekomunikacionit kanë qenë të  një rëndësie të veçante në ndërtimin e politikave në interes të qytetarëve shqiptarë. Pa këto raporte, kjo fushë nuk do të mund të ishte ne situatën pozitive që ndodhet sot. Ju jeni dëshmitarë, se pak vite më parë shqiptarët paguanin impulsin sa frëngu, pulën, pra paguanin çmime stratosferike, ndërsa sot shqiptarët paguajnë çmime normale ose disa herë më të ulëta se ato që ishin vite më parë. Sot shkalla e penetrimit të telefonisë mobile nga 38 % që ishte ne fund të vitit 2005, ka arritur në 187 % dhe tregu i këtyre sipërmarrjeve, tregu i komunikimeve është një nga tregjet më dinamike me një potencial të madh ndikimi në zhvillimin e këtij vendi në të gjitha fushat. Por me mbështetjen, ndihmën dhe inkurajimin e dr. Toure dhe agjencisë që ai kryeson ka qëndruar një nga faktorët dhe mbështetjet e fuqishme të qeverisë  për realizimin  e një ëndrre të vërtetë të të rinjve shqiptarë dhe shqiptarëve në tërësi, të Shqipërisë dixhitale.

Zoti Toure ka dëshmuar një interes dhe angazhim personal të vazhdueshëm në ndjekjen e ecurisë së këtij projekti dhe kam kënaqësinë që së bashku konstatojmë një progres do të thosha të jashtëzakonshëm, për sa i përket harkut të shkurtër kohor. Konstatojmë se në vitin e kaluar Shqipëria u rendit e dyta në botë për sa i përket treguesit të gadishmërisë së rrjetit. Shqipëria ka marrë pjesë në një seri veprimtarish dhe ka përfituar nga shkalla  e lartë e ekspertizës  të të dërguarve të ITU në Shqipëri. Por dua të theksoj se konferenca për internetin me bandë të gjerë që u organizua në tiranë ishte një nder shumë i veçantë që dr. Toure dhe ITU i bëri Shqipërisë. Interneti me bandë të gjerë përbën forcën më të shpejtë lëvizëse të zhvillimit dhe në këtë proces nuk kemi të bëjmë vetëm me një shpejtësi e cila sic do të thoshte dr. Toure i shuan distancat, por kemi të bëjmë me një fluks të pakufishëm informacioni që qytetari merr nëpërmjet këtij interneti.

Konferenca ishte një sukses i vërtetë dhe një nxitje  e madhe e jona që në kuadrin e 100 vjetorit ti intensifikojmë të gjitha përpjekjet për të shndërruar ëeb-in për çdo qytetar shqiptar në një levë të fuqishme Arkimedi për realizimin e ambicieve të tij pozitive në një burim të pashtershëm informacioni dhe ndarje të tij. Shqiptarët kanë një pasion të veçantë për Face book-un dhe në mënyrë të përsëritur mendoj se sa të lumtur janë duke ndarë informacionin, dijet me njeri-tjetrin. Konektiviteti është një faktor shumë i rëndësishëm për psikologjinë  e njeriut. Pa Facebook mund të komunikosh me një numër fare te kufizuar, kurse me Facebook ke  nje numër shumë e shumë herë më të gjerë, me te cilat ti ndan mendimet, idetë, pikëpamjet, shijet ndikon dhe ndikohesh nga të tjerët. Me dr. Toure ne ramë dakord të vazhdojmë këtë bashkëpunim të frytshëm, Shqipëria të anëtarësohet në Qendrën e vendeve të internetit me bandë të gjerë. Ne ramë dakord që Shqipëria të japë kontributin në forumet e kësaj organizatë të nderuar, ramë dakord që ITU të asistojë Shqipërinë në hartimin e politikave strategjike te fushës në mënyrë që ne të ruajmë ritmin e kohës, të ndjekim zhvillimin e saj. Zoti Toure edhe njëherë ju falënderoj me shumë mirënjohje dhe se ne ndihemi krenarë nëbashkëpunimin me organizatën që ju drejtoni.

Sekretari i Përgjithshëm të ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit) z. Hamadoun Touré:

Ju faleminderit zoti kryeministër,

zonja dhe zotërinj,

Unë jam shumë i nderuar që ndodhem këtu në Shqipëri në vizitën time të parë dhe unë ndihem mjaft i emocionuar. Ne organizojmë një simpozium këtu në Tiranë, duke sjellë të gjithë të gjithë aktorët e kësaj fushe në rajonin tonë, ministritë  e komunikacionit dhe teknologjisë së informacionit, të gjitha autoritet e sektorit privat dhe organizatat ndërkombëtare dhe rajonale së bashku. Jemi vërtet të lumtur që në hapjen e kësaj ceremonie u nderuam me pjesëmarrjen e shkëlqesisë së tij, kryeministrit Berisha. Unë mund të shprehem se vizioni dhe pasioni që ai ka manifestuar është i jashtëzakonshëm. ITU është pjesë e OKB dhe ne këtë vit festojmë 47 vjetorin. Ne merremi me sektorin  e Teknologjisë së informacionit, i cili është njëri prej sektorëve më të fuqishëm që njerëzimi ka hasur. ICT sot është përgjegjëse për të gjitha zhvillimet në sektorin ekonomik, social dhe kulturor. Në sajë të teknologjisë së informacionit, fëmijët tanë, brezi i ri do të jenë të mirëedukuar dhe të mirëformuar. Spitalet do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët tanë, gjithashtu qeverisja do të jetë më e hapur për qytetarët dhe më demokratike.

Zhvillimi i qëndrueshëm dhe i vijueshëm sot varet nga teknologjia e informacionit. Pra ne sot diskutuam bazat ligjore rregullatorë për të lëvizur nga shoqëria e informacionit dhe teknologjisë që është sot, në atë të cilën do të shërbejë si forcë shtytëse për të ardhmen.

Vërtetë unë jam shumë i impresionuar nga vizioni i Shqipërisë dixhitale të viti 2020 që parashtroi kryeministri. Ne e dimë shumë mirë që për të zhvilluar këtë sektor kemi nevojë së pari për vizion, së dyti ju duhet të keni kornizën e duhur ligjore dhe rregullatorë për të ftuar sektorin privat që të investojë dhe së treti, ju duhet që qeveria të bëjë përgatitjet e duhura për ti konkretizuar këto gjëra, në mënyrë që të jenë të gatshme për të ardhmen.

Në vitin 2020 mendohet që do të jenë 50 bilion mjete elektronike të shpërndara. Kjo do të bëhet në një mënyrë të tillë që do të lehtësoje dhe përmirësoje jetën tonë. Dhe kjo do të jetë  e mundshme, e arritshme dhe  e sigurt.

Këto janë shtytësit kryesorë që ne diskutojmë si Union Ndërkombëtar i Telekomunikacionit dhe në forumin ndërkombëtar që diskuton sot në Shqipëri.

Ne jemi të gatshëm të ndajmë eksperiencën e vendeve fqinje, eksperiencën nga të gjithë vendet e botës, nga sektori privat, në mënyrë që askush të mos përsërisë të njëjtat gabime që mund të jenë bërë në ndonjë vend tjetër, ose që askush të mos jetë i detyruar të rishpikë diçka që është shpikur diku tjetër më parë. Ky samit sot pothuajse ia ka arritur qëllimit, pasi shumë marrëveshje janë nënshkruar midis sektorit privat dhe qeverisë, një prej të cilave ishte nënshkrimi i marrëveshjes mes INTEL dhe qeverisë. Ne po punojmë edhe me qeverinë shqiptare për të parë çështjet rregullatore në mënyrë që të na shërbejë si një rast studimor të realitetit shqiptar. Sfidat para nesh janë shumë të larta , por unë jam i bindur se baza tashmë është shtruar dhe ne një periudhë 5 vjeçare, Shqipëria arriti të kishte një futje të telefonisë celulare 100 %, penetrim prej 50 % të internetit dhe kjo është mbi mesataren evropiane. Dhe kjo tregon se pas këtyre arritjeve ka një vizion dhe pasion të madh. Dhe ne ndajmë këtë vizion me kryeministrin për Shqipërinë e vitit 2020.

Arsyeja pse ne jemi këtu është që të punojmë së bashku me sektorin privat dhe atë shtetëror, si dhe me organizatat rajonale dhe ndërkombëtare për të arritur atë vizion që zoti kryeministër parashtroi.

Edhe njëherë më lejoni tu falënderoj për mikpritjen e ngrohtë që unë kam hasur këtu mes popullit shqiptar.

Pyetje: Si do ta ndihmojë shtrirjen e internetit projekti për fibrat optikë dhe kur do të mbarojë ai?

Kryeministri Berisha: Cili ishte qëndrimi ynë ndaj problemit. Ne vendosim të ecim në dy drejtimet kryesore, në drejtimin e partneritetit publik privat, por edhe në një drejtim tjetër tërësisht publik. Ne kemi një terren shumë të veçantë. Ne nuk duam që për shkak të terrenit, fshatra, qyteza, qytete të mos kenë, të diskriminohen në praninë  e internetit me bazë të gjerë, vetëm e vetëm se sektori privat nuk ka interes ta shtrijë në këtë drejtim. Ndaj dhe duke licencuar kompanitë private për të ndërtuar rrjetin e tyre transmetues, qeveria ndërkohë shtriu rrjetin transmetues në të gjitha shtyllat  e tensionit të lartë, të cilat janë pantotenike në Shqipëri. Çështja  e miljes së fundit, ajo edhe mund të vazhdohet në partneritet publik, privat, mund ti jepet sektorit privat, sikundër mund të ofrohet edhe nga posta shqiptare, e cila është në mision publik, sepse ju e dini që ne shumë shpejt do të kemi 1250 pika të shpërndarjes së internetit falas për qytetarët shqiptarë. Ky është qëndrimi ynë dhe me këtë ndërhyrje ne ndihmojmë tregun që të normalizohet, sepse më duhet të them këtu në qoftë se çmimet e impulseve celulare janë normalizuar nuk mund të them se është normalizuar tregu i internetit. Dhe ne do ta normalizojmë atë, do të  bëjmë që çmimet të jenë afër normës, nuk kontrollojmë tregun, kërkojmë që një kod etik fitimi të udhëheqë bizneset në tërësi.

Pyetje: Si e ka pritur qeveria shqiptare rezolutën e parlamentit të Kosovës, që i kërkon qeverisë së republikës së Kosovës të vendosë për përdorimin e prefiksit të Shqipërisë në komunikimin mes dy vendeve dhe si i ndihmon shqiptarët në të dy anët e kufirit ky vendim?

Kryeministri Berisha: Lidhur me këtë rezolutë, në parim jam plotësisht dakord dhe në parim është ide e shkëlqyer, por do të ishte mendimi im përfundim pasi të konsultohesha me ekspertët e fushës dhe ata të financave. Se në rast se, në rrafshin financiar, Kosovës, i krijon ndonjë shmangie kjo gjë, natyrisht do të mendoja që duhet të të studiohej më hollësisht. Në parim jam plotësisht dakord.

Sekretari i Përgjithshëm të ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit) z. Hamadoun Touré: Kodet e telefonisë së shteteve përcaktohen nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit dhe do jetë një precedent vërtetë serioz në se parlamenti vetë vendos nga ana e vet. Kur një vend njihet nga Kombet e Bashkuara, atëherë ne ia vendosim kodin këtij vendi. Kodi i fundi që iu dha ishte ai për Sudanin Jugor . Ky kod jepet dy orë pas deklarimit që bëhet nga Kombet e Bashkuara. Ndërkohë ne marrim të njëjtin vendim në rast se ky vendim merret nga OKB-ja. Teknikisht ne përgatitemi dhe më pas nuk do të ketë asnjë problem. Unioni ynë nuk është organizatë politike dhe kemi mbijetuar mes këtyre 47 viteve, kjo do të thotë mes dy luftërave botërore dhe luftën e ftohtë që kaluam. Dhe prandaj satelitët janë lëshuar dhe u janë dhënë mundësi të gjitha vendeve. Përdorimi i kodit të  një vendi tjetër do të krijojë shumë probleme teknike, sepse vetëm tani janë 6 bilion telefonë celularë dhe secili nga ato është unik . Kemi një rregull mjaft të qartë në këtë drejtim dhe unë do ti këshilloja të gjithë palët të punonin  në këtë mënyrë transparente dhe në bashkëpunim.

Pyetje: Gjatë fjalës së djeshme në forum ju përmendët krijimin  e një parku të IT, pra krijimin  e një zone të lirë ekonomike për bizneset  e IT në Tiranë. Mund të jepni më shumë hollësi rreth modaliteteve dhe afateve se si do të krijohet një gjë e tillë. Edhe në shkuarën ka patur diskutime për zona të lira ekonomike, por deri tani nuk është krijuar asnjë zonë  e tillë.

Kryeministri Berisha: Tirana Hightech Park nuk do të jetë si të gjitha zonat e tjera ekonomike. Ajo do të jetë  e përjashtuar nga të gjitha taksat si asnjë zonë tjetër. Do të jetë një zonë në të cilën të rinjtë shqiptarë, por jo vetëm, do të kenë mundësi të punojnë në mënyrë që me kushtet më lehtësuese të shpalosin gjeninë  e tyre krijuese në interes të Shqipërisë, por edhe më gjerë.

Pyetje: Tenderi për rrjetin ndërkombëtar brezgjerë është anuluar nga autoriteti kontraktor, besoj se jeni në dijeni se ka patur një kontradiktë me njërin nga ofertuesit. Komisioni i prokurimeve Publike i ka dhënë të drejtë subjektit ankues dhe çështja është në gjykatë. A ka ndonjë zhvillim rreth kësaj teme?

Kryeministri Berisha: Përsa i përket kësaj çështje nuk është në tagrin  e kryeministrit për ta interpretuar.

Pyetje: Në vitet  e fundit përdoruesit e internetit në Shqipëri janë rritur me ritme të shpejta. Por penetrimi i lidhjeve fikse është në nivele realativisht të ulëta. A do të kishit ndonjë sugjerim rreth veprimeve rregullatorë për nxitjen e penetrimit të mëtejshëm të lidhjeve Broadband në Shqipëri?

Sekretari i Përgjithshëm të ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit) z. Hamadoun Touré: Së pari, dua të them dhe unë dy fjalë lidhur me këtë Parkun high-tech. Është një ide brilante dhe tregon për mënyrën se si një strategji kombëtare mund të evolojë. Kjo është ajo strategji që qëndron pas Luginës Silikon të SHBA-ve dhe kjo është një nga ato strategji që në vende të tilla si Koreja, Japonia ka funksionuar me sukses. Dhe pse mund të them që kjo aplikohet në një vend të vogël siç është Shqipëria, jo vetëm në sipërfaqe, por edhe në popullatë? Sepse ne ndodhemi në botën e komunikimit, kur roli i superfuqisë mbaron. Sepse çdo qytetar këtu është vetë një superfuqi, sepse është truri ai që përbën superfuqinë. Këtu pra nuk hyn as rraca dhe as roli sepse çdo njeri është i barabartë. Shqipëria ka një popullatë të re, një sistem të shumë të mirë arsimimi dhe njerëz të zgjuar dhe inteligjentë. Dhe kjo është një mundësi për të futur edhe sektorin privat dhe për ti dhënë atyre mundësi për novacion. Prandaj ne qëndrojmë pas rritjes së këtij projekti në Shqipëri. Dhe kjo më çon në pyetjen që ju bëtë për rritjen e Broadband në Shqipëri dhe përmirësimin e tij. Teknopark është një nga mënyrat për të shtuar jo vetëm hapësirën, por edhe veprimtarinë  e kësaj fushë. Për Broadband-in ju keni nevojë për një sërë kushtesh, unë përmenda së pari vizionin dhe kornizën rregulluese ligjore. Keni nevojë për kapacitet në mënyrë që ta drejtoni sektorin drejt krijimit të vendeve të punës për brezin  e ri.  Dhe së fundi edhe vetë qeveria do të bëjë disa shërbime elektronike që do të nxisin në këtë drejtim dhe këto janë arsimimi elektronik, shëndetësia elektronike dhe të gjithë qytetarët duhet të kenë akses në kompjutera, laptop apo smartphone dhe këto të jenë të lidhur. Pra në se të gjitha kushtet po krijohen, rritja do të vijë gjithnjë e më e fuqishme. Kjo është formulë që ka dhënë fryte në vende të tjera dhe që mund ti adoptojmë edhe në realitetin këtushëm, bazuar në vizionin e drejtimit.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard