‘Brazil 2014’, Shqipëria fiton ndaj Qipros. Bogdani eurogol. Fitojnë Zvicra e Islanda

Shqipëria ka fituar 3-1 në ndeshjen e parë për eliminatorët e Kupës së Botës ‘Brazil 2014’ kundër Qipros. Nën një atmosferë të ndezur dhe festive ka nisur takimi i parë për kombëtaren shqiptare, ndërsa grupimet e tifozëve kanë mbështetur me ovacione skuadrën kuqezi përgjatë 90 minutave të takimit. Fitorja e parë e Shqipërisë në këto eleminatore është shoqëruar me festime në rrugët e kryeqytetit deri në orët e mesnatës, ndërsa skuadra e De Biazi ka marrë kryesimin e grupit E për shkak të golavarazhit.

Të besuarit e De Biazi kanë kontrolluar takimin, edhe pse 45 minutat e para u mbyllën në barazim 1-1. i riu Armando Sadiku ka kaluar kuqezinjtë në avantazh në minutën e 36, ndërsa Vincent Laban do të shënonte golin e barazimit në minutën e 3-të shtesë të pjesës së parë. Kuqezinjtë kërkuan golin e avantazhit nga minutat e para të takimit, teksa qipriotët janë mbrojtur mirë dhe kanë shfrytëzuar kundërsulmet. Salihi ka pasur një mundësi të mirë për të kaluar kuqezinjtë në avantazh në minutën e 2 të takimit, ndërsa Mehja do të provonte me një goditje pak minuta më pas për të zhbllokuar ndeshjen.

Në pjesën e dytë, skuadra qipriote do të shfaqej rrezikshëm në të paktën 3 raste, por ndërhyrjet e sakta të kapitenit Lorik Cana, një nga lojtarët më të mirë në fushë, kanë larguar rrezikun. Për minuta të tëra të dy ekipet e përqëndruan lojën në mesfushë, ndërsa shumë aksione të skuadrës shqiptare nuk janë finalizuar për shkak të pasaktësive. Në minutën e 60 të takimit, De Biazi vendos të bëjë ndryshimet e para në formacion, teksa autori i golit Sadiku do të zëvendësohej nga Jahmir Hyka. Ky i fudnit do ti jepte një tjetër impuls lojës së kombëtares kuqezi, por goli i avantazhit do të vinte nga Edgar Cani, i future si zëvendësues në fushën e lojës në minutën e 81. Tre minuta më pas, Cani do të devijonte saktësisht me kokë një top të krosuar në zonë nga Hyka, ndërsa tifozët kuqezi kanë shpërthyer në ovacione. Në minutën e 87, një tjetër zëvendësues, Erion Bogdani, do të realizonte një gol nga të paktën 30 metra, duke goditur në trekëndëshin e djathtë të portës së mbrojtur nga Georgallides.

Në takimet e tjera të këtij grupi, Zvicra e cila do të luajë kundër Shqipërisë më 11 shtator, ka marrë një fitore në transfertë ndaj Sllovenisë. Granit Xhaka do të kalonte zviceranët në avantazh në minutën e 20, ndërsa Inler do të dyfishonte avantazhin në minutën e 53.

Islanda ka marrë një rezultat surprizë ndaj Norvegjisë, e cila është mundur 2-0. megjithëse norvegjezët konsideroheshin favoritë për të fituar këtë takim, Islanda ka bërë mrekullinë duke shënuar dy herë në portën e mbrojtur nga Espen Bugge Pettersen.

Pas takimeve të para, Shqipëria kryeson Grupin E me 3 pikë, po kaq sa edhe Zvicra dhe Islanda, por me golavarazh më të mirë.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard