Nisma e PS për ndryshimet kushtetuese, shtyhet për dy javë shqyrtimi

Keshilli i Legjislacionit
Këshilli i Legjislacionit shtyu për 2 javë shqyrtimin e paketës së Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese. Këshilli vendosi me 17 vota pro shtyrjes të shqyrtimit të draftit të socialistëve ndërsa deputetët e opozitës abstenuan. “Përpara se të nisim debatin shterpë le të përpqiemi të analizojmë këtë propozim. Dua që ta kem diskutimin sa më profesional, nuk i futem thelbit të çështjes, prisja prezantim të thelluar profesional e krahasues. Ne duam kohë racionale, të mund t`i lexojmë me seriozitet, t`i vlerësojmë e të japim një gjykim profesional”, deklaroi deputeti demokrat Ilir Rusmajli, duke kërkuar kohë që përfaqësuesit e shumicës të shqyrtojnë paketën se propozuar nga socialistët.
Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka bërë me dije që në fillim të mbledhjes programin e punës për këtë paketë amendamentesh, duke i dorëzuar kërkesën kryeparlamentares. Ai ka kërkuar brenda datës 15 zhvillimin e seancave dëgjimore, më tej shqyrtimin nen për nen dhe miratimin në seancë brenda datës 30 shtator. Ndërsa deputeti Pandeli Majko ka theksuar se shqyrtimi i nismës së PS-së duhet të realizohet përmes një diskutimi të gjerë dhe të detajuar. Ai ka kërkuar që diskutimi i paketës të propozuar nga PS-ja nuk duhet të jetë politik por publik përballë qytetarëve.
“Ne jemi mbledhur pët të vazhduar atë që lamë përgjysëm në procedurë. Nisma jonë ka të bëjë me vendosjen e një varg balancash të autokontrollit të brendshëm të shtetit shqiptar. Ne kërkojmë ndryshimin e disa neneve të kushtetutës që kanë në të bëjnë me mënyrë e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të lartë. Ne deputetët, apo anëtarët e qeverisë nuk mund të gjykohemi nga anëtarët e gjykatës që zgjidhen po nga ne. Ne nuk duam që ky të jetë një diskutim politik, por pjesë e një diskutimi të gjerë të detajuar me pyetje dhe përgjigje. Ne jemi të hapur për çdo lloj propozimi, diskutimi apo ndryshimi që do të ofrohet nga ana juaj” theksoi Majko.
Ndërkohë opozita e konsideron paketën e saj për ndryshimet kushtetuese si një reformë që garanton shtetin e së drejtës. Në seancën e parë plenare për këtë sesion, shumica konfirmoi se nuk do t`i votojë propozimet e PS-së, pasi sipas saj, ato janë vetëm një pretekst për të zvarritur votimin e kufizimit të imunitetit dhe reformat e tjera të integrimit.



