Dhuna ndaj mjekëve, UMSH fajëson keqqeverisjen e sistemit

Urdhri i Mjekut ka denuar dhunën ndaj bluzave të bardha në detyrë, pas rastit të ndodhur në Korçë, ku u sulmua dhe u godit me karrige në kokë nga një pacient. Urdhri i Mjekut kërkoi që raste të tilla dhune të mos kalohen në heshtje, por të ndëshkohen përgjegjësit. Presidenti i UMSH, Din Abazaj, tha se keqqeverisja e sistemit shëndetësor ka bërë që figura e mjekut nuk shihet më “si një njeri që iu gjendet pranë në momentet më të vështira dhe kritike për shëndetin dhe jetën e tyre, por si një kriminel vrasës e ordiner”.

Abazaj tha se;

“Brenda një harku kohor prej më pak se një muaj, detyrohemi të dalim përsëri para jush për të protestuar dhe shprehur indinjatë dhe keqardhje të thellë për dhunën fizike që në mënyrë sistematike të përsëritur po ushtrohet ndaj mjekëve të veshur me bluza të bardha në detyre.

Pas atij të Kukësit, një tjetër mjek në Korçë, sulmohet e goditet me karrige në kokë.

Ne solidarizohemi me protestën e kolegëve tanë të Spitalit Rajonal të Korçës dhe ndjejmë trishtim kur vërejmë pasigurinë dhe rrezikshmërinë për jetën që iu kanoset bluzave të bardha në krye të detyrës.

Ndjehemi të trishtuar dhe të dëshpëruar kur konstatojmë se dhuna fizike ndaj mjekëve është tashmë një fenomen që si askund në botë, po ndodh në vendin tonë, dhe aq më tepër të mjeruar ndjehemi kur ndonëse të përsëritura këto raste, po përcillen me indiferencë dhe në heshtje nga shoqëria, politika dhe nga institucionet që duhet t’i ndëshkojnë dhe parandalojnë ato.

Asgjë nuk dimë ne, dhe besoj as ju që jeni më të informuarit e këtij vendi, se ç’është bërë gjer tani me autorët e këtyre krimeve të përsëritura e të shëmtuara. E ndërkohë, ndërsa vrasësi i vërtetë i të riut nga qyteti i Durrësit lëvizte në liri, mjekët të cilët bënë ç’është e mundur e siç ditën për ta shpëtuar, me shumë bujë u prangosën dhe u futën mbrapa hekurave të burgut.

Shtrohet pyetje:

Pse mjeku, dikur i nderuar dhe i adhuruar i shoqërisë deri në çdo vatër shqiptare, në ditët tonë nga disa njerëz dashakeq, të paditur dhe ordinerë në shoqëri parafytyrohet dhe shihet jo si një njeri që iu gjendet pranë në momentet më të vështira dhe kritike për shëndetin dhe jetën e tyre, por si një kriminel vrasës e ordiner?!

Është komplekse përgjigja e kësaj pyetje, por më duhet të përsëris për të disajtën herë veten time duke sjellë ndërmend edhe shprehjet e një kolegut tonë para disa kohësh për një rast të tillë ku mund ta rendisim shkurtimisht:

Së pari, dhe më e rëndësishmja, është keqmenaxhimi apo e thënë më shqip, keq qeverisja e këtij sistemi në të gjitha nivelet e tij ku nuk kërkohet as nuk jepet llogari, ku financimet e alokura, ndonëse të pakta, katandisen në mizerabilitet nga keqpërdorimi i tyre. Për rrjedhojë, gjithkush duhet të kuptojë se, nëse  qytetari nuk gjen shërbimin që i duhet, por e blen jashtë, nuk kryen dot analizat dhe ekzaminimet e tjera që i kërkohen, por detyrohet të shkojë në privat, ku paguan sa qimet e kokës, nuk gjen çarçafë por i sjell nga shtëpia, nuk gjen ujë apo ngrohje, etj. Për të gjitha këto, nuk është faji i mjekut por i keq qeverisjes pa përgjegjësi të sistemit shëndetësor.

Së dyti, në qoftëse i referohemi mitmarrjes dhe korrupsionit, fajin përsëri nuk e kanë vetëm mjekët, por edhe ata që bëjnë zhurmë e bërtasin për korrupsion, siç janë kategoria e qytetarvë që, për të përfituar atë që nuk i përket, duan patjetër ta përfitojnë përmes parave, dhunës, siç ishte rasti i Korçës. Kategoria tjetër që kërkojnë të përfitojnë atë që normalisht iu përket, por për arsye të mangësive që përmendëm më lart në sistemi nuk janë të sigurut se mund të përfitojnë dhe, paguajnë me synimin për të përfituar maksimumin e mundshëm. Një kategori e fundit janë ata të cilët për hir të opinionit “që nuk përfiton asngjë duke shkuar me duar bosh tek mjeku” ofrojnë para.

Së treti, pasqyrimi vetëm i anëve negative të sistemit dhe stigmatizimi i mjekëve në mënyrë të veçantë, nga mediat, duke mos pasqyruar edhe anët pozitive për mjekët dhe shërbimet mjekësore, kanë çuar në krijimin e një opinioni dhe psikologjie negative dhe të rrezikshme.

Së katërti, mangësitë në edukimin dhe formimin profesional dhe etik të mjaftueshëm të mjekëve, mungesa e profesionalizmit dhe përkushtimit të një pjese prej tyre, qëndrimet indiferente ndaj këtyre fenomeneve të masës tjetër të mjekëve, si dhe mungesa e kërkimit të llogarisë dhe llogaridhënies në institucionet shëndetësore, janë  fenomene për të cilat bluzat e bardha me përgjegjësi e përkushtim duhet t’i kërkojnë brenda vetes dhe mos behën shkas i kësaj lufte të ftohtë midis tyre dhe shoqërisë, midis mjekut dhe të sëmurit, si edhe dhunës fizike që po ushtrohet ndaj tyre”.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard