SHBA, në prag të kuvendit të Partisë Demokrate

Presidenti amerikan Barack Obama
Presidenti amerikan Barack Obama, ne prag të kuvendit të Partisë Demokrate u shkëput nga fushata për të vizituar banorët e Luizianës të prekur nga uragani Isak
Obama vizitoi mbrëmë qytetin rural të Shën Gjon Pagëzorit – St. John the Baptist - rreth 50 kilometra jashtë New Orleansit. Ai u takua me banorët, disa prej të cilëve u detyruan të shpërngulen si pasojë e përmbytjes duke pritur shpëtim. Presidenti tha se banorët e Luizuanës dijnë se si të veprojnë në raste të tilla të vështira dhe janë mësuar të ngrihen mbi vështirësitë.
Obama vlerësoi gjithashtu guvernatorin republikan të Luizianës, Bobi Jindal, dhe të gjithë zyrtarët shtetërorë dhe federalë për ndihmën në përpjekjet e rimëkëmbjes.
“Kur katastrofë si kjo ndodhë, ne lëmë mënjanë mosmarrëveshjet. Askush nuk është vetëm demokrat apo republikan. Ne jemi të gjithë vetëm amerikanët në ndihmë të njëri-tjetrit.”
Më parë dje gjatë ditës, Obama u takua me punëtorët në Ohio. Ai përmendi rimëkëmbjen e industrisë së automobilëve si një sukses për administratën e tij.
“Unë qëndrova me punëtorët amerikanë. Unë qëndrova me prodhim amerikan. Kam besuar në ju. ”
Në të kundërtën, rivali i tij, kandidati presidencial republikan Mitt Romney tha dje se Dita e Punës ishte “një shans për të festuar etikën e fortë amerikane të punës.” Por ai tha se për shumë amerikanë të papunë kjo është “një ditë tjetër të shqetësuese” kur paga e tyre mungon.
Kuvendi i Partisë Demokrate – ku Obama do të emërohet zyrtarisht kandidat për një mandat të dytë – hapet sot (të martën) në Charlotte të shtetit Karolina e Veriut.
SHBA ka ekonominë më të madhe në botë, por është përpjekur për të rifituar stabilitetin e saj ekonomik. Niveli i papunësisë në vend mbetet mbi 8 për qind dhe ekonomia e ngadaltë ka vënë në rrezik shanset e zotit Obama për rizgjedhje. Sondazhet e opinionit tregojnë se të dy kandidatët – Obama, Romney – parapëlqehen thuajse njësoj.
Pse U zgjodh Charlote?
Partia Demokrate mban kuvendin kombëtar në qytetin jugor Charlotte të Karolinës së Veriut për të emëruar zyrtarisht Barak Obamën si kandidatin e saj për president në zgjedhjet e nëntorit. Partia vendosi ta mbajë kuvendin në Charlotte, duke menduar se kjo ishte një zgjidhje e logjikshme, por tani disa analistë thonë se kjo mund të mos jetë një zgjedhje ideale për demokratët.
Qyteti Charlotte i Karolinës së Veriut me 750,000 banorë ka çdo gjë për të cilën është i njohur jugu amerikan: akcentin jugor, ushqimet e fërguara të jugut dhe sharmin jugor.
“Ne kemi mikpritjen jugore dhe këtu ka shumë vende që mund të vizitosh. Jemi edhe një qytet shumë familjar”.
Charlotte është e njohur në botë për bananet Chiquita dhe për garat automobilistike NASCAR, ndërsa dikur ka qenë e njohur për ethet e arit. Në një farë mënyre, e tillë është edhe sot. Ajo është qendra e dytë më e madhe financiare e vendit pas Nju Jorkut, me banka që kanë asete prej më shumë se 2 trilion dollarësh.
Demokratët janë përpjekur ta etiketojnë biznesin e bankave të mëdha si diçka negative në fushatën e këtij viti. Për shembull, ata nuk pranuan para nga korporatat për financimin e këtij kuvendi. Por Partia Demokrate nuk arriti të sigurojë paratë e duhura dhe iu desh ta shkurtojë kuvendin e saj nga 4 në tri ditë. Presidenti Obama do ta mbajë fjalimin e pranimit të enjten në stadiumin e futbollit profesionit, i cili mban emrin e korporatës së dytë më të madhe financiare të Amerikës.
Për të shmangur përshtypjen se ka lidhje me këtë korporatë, demokratët po e quajnë stadiumin Bank of America stadiumi Panther, pra me emrin e ekipit të futbollit të këtushëm.
Në zgjedhjet e 2008-s zoti Obama fitoi me vështirësi në Karolinën e Veriut, duke u bërë demokrati i parë që fitonte në këtë shtet pas më shumë se 30 vjetësh. Ky shtet është mjaft i çmuar në këto zgjedhje. Ja ç’thotë Peter Brown, anketues i Universitetit Quinnipiac.
“Eshtë njëri nga ato shtete që, nëse fitohet nga presidenti, Mitt Romney nuk e merr dot Shtëpinë e Bardhë.”
Anketat e fundit tregojnë se presidenti gëzon të njëjtën mbështetje në këtë shtet si edhe republikani Romney dhe kjo i shqetëson disa nga përkrahësit e tij më të fortë si Dwight Price.
“Mendoj se do të jetë shumë e vështirë. Në zgjedhjet e kaluara pjesmarrja e të rinjve ishte shumë e lartë. Shpresoj që edhe këtë herë do të jetë kështu por nuk jam i sigurt.”
Të njëjtën gjë thonë edhe të tjerë. Niveli prej 9.6 përqind i papunësisë në Karolinën e Veriut është mbi mesataren e vendit. Guvernatorja demokrate e këtushme Beverly Purdue është mjaft jopopullore aq sa nuk do të përpiqet të rizgjidhet, ndërkohë që drejtori ekzekutiv i Partisë Demokrate për këtë shtet dha dorëheqjen për shkak të një skandali seksual.
Por qyteti Charlotte po i pret mirë të 35,000 njerëzit që marrin pjesë në këtë kuvend dhe demokratët shpresojnë se Karolina e Veriut do të bëjë të njëjtën gjë me zotin Obama në zgjedhjet e nëntorit. (VOA)





