Saninno: Imuniteti, sprint final përpara daljes së raportit të KE

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në BE, Stefano Sannino
Politika shqiptare duhet të gjejë konsensusin për heqjen e imunitetit. Apeli këtë rradhë është bërë nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin, Stefano Saninno, i cili gjithashtu kërkoi bërjen e përpjekjeve maksimale për arritjen e konsensusit në dy javët e ardhshme. Në një konference për shtyp në sallën e Qendrës Politike Europiane në Bruksel, Saninno ka vlerësuar se një marëveshje mes maxhorancës dhe opozitës për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe nëpunësve të lartë civilë do të ishte një sprint final përpara daljes së raportit të Komisionit për statusin.
“Ashtu si miratimi i reformës zgjedhore, në shpresojmë se përpjekje të mëtejshme do të bëhen në dy javët e ardhshme dhe për heqjen e imunitetit”, theksoi Saninno. Sipas tij, Shqipëria ka arritur rezultate të mira , por ajo ende mbetet problematike pasi, çdo vendim duhet të shoqërohet me një betejë politike”. “Në procesin e integrimit lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është thembra e Akilit në Ballkan, përfshirë edhe Shqipërinë”, tha Saninno, teksa e cilësoi heqjen e imunitetit si një moment shumë të rëndësishëm për luftën ndaj korrupsionit.
Heqja e imunitetit është një cështje për të cilën politika shqiptare ka gjetur dakordësinë, por mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me mënyrën sesi duhet realizuar kjo. Opozita ka kërkuar që paralelisht me heqjen e imunitetit, Kuvendi të realizojë ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë zgjedhjeve e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, asaj Kushtetuese dhe Prokurorit të Përgjithshëm me 3/5 e votave në Kuvend. Gjithashtu, opozita ka propozuar që zyrtarët ti nënshtrohen një gjykimi ashtu sikundër të gjithë qytetarët, pra që nga Gjykatat e Rrethit.
Në anën tjetër, Partia Demokratike ka hedhur si opsion referendumin popullor, nëse opozita do të kushtëzojë procesin e heqjes së imunitetit me ndryshime të tjera Kushtetuese. Kryeministri Berisha, ka deklaruar se heqja e imunitetit nuk bëhet për të fituar kapital politik, por është një çështje madhore.




