Jansa takon Berishën: Integrimi, opozita të mos bllokojë reformat! Votë europiane për imunitetin
Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, i ka bërë thirrje klasës politike në Shqipëri të miratojë sa më parë reformat që mundësojnë integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, Jansa ka qëndruar një votë europiane në të gjitha rastet kur kërkohet një shumicë e cilësuar votash në Kuvend për miratimin e ligjeve. “Besojmë se opozita nuk do ta shfrytëzojë këtë si një tendencë të brendshme politike. Por do të ofrojë bashkëpunimin aty ku duhet 3/5 e votave. Ajo duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme. Këtu nuk kemi të bëjmë aspak me çështje që kanë të bëjnë vetëm me marrëdhëniet e brendshme të shtetit. Bëhet fjalë për kërkesa të cilat BE i ka përcaktuar, jo vetëm karshi Shqipërisë, por për çdo vend që synon t’i bashkëngjitet BE-së për të realizuar standardet evropiane. Edhe kur kemi të bëjmë me heqjen e imunitetit, po ashtu, kjo është një gjë që duhet të respektohet, sepse në kuptimin evropian, kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë një matje e forcës mes mazhorancës dhe opozitës, por duhet të jetë një bashkëpunim i të gjitha forcave politike që ky hap të arrijë sa më parë”, tha Kryeministri slloven. Këto komente Jansa i bëri gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij shqiptar, Sali Berisha, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Slloveni. Në vijim të deklaratës, Kreu i Qeverisë sllovene tha se “nëse BE vendos disa kushte të cilat duhet të plotësohen, atëherë shteti kandidat, sa më parë t’i plotësojë këto kushte aq më afër pikësynimit të saj është. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Slloveninë. Edhe Sllovenia ishte e detyruar të ndryshonte shumë gjëra në legjislacionin e vet. Ka qenë e detyruar që ajo të harmonizojë edhe çështje të politikës së brendshme gjatë periudhës së aspirimit të saj për integrim evropian”.
Në takimin mes dy kryeministrave u vlerësuan marrëdhëniet midis dy vendeve, sikundër u vu theksi në rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri slloven ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, teksa u shpreh se këto reforma bënë të mundur anëtarësimin në NATO në kuadër të së cilës Shqipëria po jep kontributin e saj shumë të vlerësuar në shërbim të paqes ashtu edhe hapat e rëndësishëm në procesin e integrimit në BE dhe aspektet e lidhura me të si liberalizimin e vizave. Kjo e fundit përbën një arritje madhore ë Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare. Gjithashtu, Jansa i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Sllovenisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu vlerësoi rolin e moderuar e konstruktiv të Shqipërisë në rajon.
Nga ana e tij kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht kryeministrin slloven Jansa për ftesën dhe për mikpritjen e ngrohtë në këtë vend mik si dhe i uroi 20 vjetorin e pavarësisë së Sllovenisë duke theksuar se pas kësaj arritjeje madhore në një kohë shumë të shkurtër Sllovenia u shndërrua në shembullin më të mirë të konsolidimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe zhvillimit me ritme të shpejta të ekonomisë së lirë të tregut. “Gjate gjithë historisë sonë, Sllovenia ka qenë një mik i mirë dhe një mbështetës i fuqishëm i Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Sot anëtare e BE-së Sllovenia vijon të dëshmojë të njëjtin qëndrim miqësor e mbështetës ndaj Shqipërisë e kombit shqiptar për të cilin shqiptarët ju mbeten përherë mirënjohës!”, theksoi kryeministri Berisha.
Me tej Kryeministri Berisha ri konfirmoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të punuar ngushtësisht me qeverinë e Sllovenisë për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat duke theksuar se investitorët sllovenë janë të mirëpritur në Shqipëri.
Më poshtë po japim të plotë konferencën për shtyp të dy kryeministrave.
Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, zoti Janez Jansa: i uroj mirëseardhjen kryeministrit të Shqipërisë zotit Sali Berisha në këtë vizitë që shënon një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Gjatë takimit identifikuam se ekzistojnë interesa të përbashkëta për shkëmbime ekonomike e tregtare. Këto shkëmbime midis dy vendeve, tani për tani, janë relativisht të ulëta. Ne kemi biseduar për bashkëpunimin në fushën e energjetikës, turizmit, ujit, si dhe për rrugët e forcimit të këtij bashkëpunimi. Qeveritë e të dy vendeve do të bëjnë gjithçka që të krijojnë kushtet e favorshme të bashkëpunimit. Gjithashtu, ne bashkëpunojmë dhe jemi mbështetës në çdo hap që Shqipëria bën drejt rrugëtimit të saj në Bashkimin Evropian.
Një pjesë të bisedës ne ia dedikuam edhe marrëdhënieve në rajon. Sllovenia vlerëson fuqishëm hapat që ka bërë Shqipëria për zgjidhjen e problemeve në rajon. Me kënaqësi, ne dëgjuam me vëmendje analizën që ka bërë zoti Berisha lidhur me zhvillimet në Kosovë, në Shqipëri e rajon në tërësi. Pikëpamjet e tij janë shumë konstruktive, praktike dhe Sllovenia ndan të gjitha këto propozime e mendime me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që stabiliteti në rajon të përforcohet dhe pikat që janë ende të hapura për vite me radhë dhe që duan zgjidhje e të arrijnë një epilog pozitiv. Por ne të gjithë e shohim se korniza evropiane do të thotë edhe shpejtësi në ecjen përpara të shteteve që dëshirojnë të bëhen anëtare të BE dhe në këtë aspekt, është një sinjal shumë pozitiv për zgjerimin, zgjidhja e ë të hapura mes vendeve në rajon.
Së fundi, dua t’i shpreh mirënjohjen kryetarit të qeverisë shqiptare, zotit Berisha për reformat ë rëndësishme politike që Shqipëria ka bërë kohët e fundit , si ajo për miratimin e reformës zgjedhore. Po ashtu vlerësojmë edhe të gjitha përpjekjet e qeverisë për sa i përket ndryshimeve të sistemit të imunitetit në vendin tuaj. Çështja e imunitetit duhet të zgjidhet në Shqipëri ashtu siç kërkohet nga standardet e BE-së. Ne i dimë përpjekjet e shumta e të fuqishme, ndaj ne i shprehim kryeministrit mbështetje të plotë në këtë drejtim.
Qeveria sllovene është që nga fillimi një mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përsa i përket Shqipërisë, Sllovenia ka qenë një mbështetëse e fuqishme edhe për zgjerimin në NATO. Ky pikësynim tashmë është arritur. Ndërsa pikësynimi tjetër i saj është anëtarësimi në BE. Në të gjitha këto hapa që janë bërë në Shqipëri vitet e fundit dhe që kanë marrë mirënjohjen evropiane, edhe me vendimin e pranimit të liberalizimit të regjimit të vizave nga BE, Shqipëria bën hapa të mëdha para drejt integrimit evropian. Kjo është në interesin më të mirë të përbashkët , në interesin më të mirë të Shqipërisë, të Sllovenisë dhe të integrimit evropian.
Shqipëria, po ashtu, ka drejtimin e presidencës së KiE dhe ka një axhendë shumë ambicioze gjatë kryesimit të saj. Ne kemi dëgjuar se në vëmendjen e këtij programi është edhe fokusimi në diversitetet kulturore që ndihmojnë në dialogun ndërkulturor dhe ky ka qenë edhe një nga prioritetet e Sllovenisë kur ajo ka kryesuar këtë Këshill. Ne jemi të kënaqur që edhe vende të tjera që drejtojnë Këshillin e Evropës kanë disa prioritete të ngjashme.
Ne dhe njëherë shprehim kënaqësinë për vizitën zyrtare të Kryetarit të qeverisë së Shqipërisë në Slloveni, që behet në 20 vjetorin e krijimit të marrëdhënieve diplomatike dhe po ashtu, edhe kur Shqipëria feston 100 vjetorin e Pavarësisë së saj. Me këtë rast, i urojmë këtë festë kaq të rëndësishme.
Kryeministri Berisha: Së pari dëshiro jt’ju falënderoj ju shumë përzemërsisht për ftesën, për pritjen e ngrohte dhe miqësore, bisedimet e sinqerta të frytshme që patëm, sikundër një mirënjohje të thellë ju dhe vendit tuaj, për të gjithë mbështetjen e madhe që i keni dhënë Shqipërisë këto 20 vite në përpjekjet për ndërtimin e sistemit demokratik të bazuar në vlerat e tregut si dhe për integrimin e saj euro-atlantik dhe evropian.
Shqiptarët kremtojnë këtë vit 100 vjetorin e pavarësisë së tyre. Këto 100 vite kanë qenë vite të mbushura më drama, pushtime, diktatura të egra, por në 100 vite sërish ne jemi një komb i lirë, anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe kryeson sot Këshillin e Ministrave të institucionit më të vjetër demokratik të Evropës, Këshillit të Evropës dhe po bën përpjekje serioze për të ecur drejt integrimit evropian.
Në të gjitha këto përpjekje, Sllovenia ka qenë një avokat i shkëlqyer i interesave tonë evropiane. Ajo që në fillim të themelimit të saj ka luajtur një rol madhor në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, ndaj dhe unë shfrytëzoj rastin t’ju jap Ju zoti Kryeministër dhe kombit mik slloven, urimet më të përzemërta në këtë 20 vjetor, një histori e madhe dhe suksesi të shkëlqyer, sikundër t’ju ftoj ju të festojmë së bashku 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë me datën 28 nëntor.
Me Kryeministrin diskutuam në të gjitha aspektet dhe marrëdhëniet tona. Diskutuam për zgjerimin e tyre në të gjitha fushat dhe potencialet që ekzistojnë. Unë e falënderova Kryeministrin dhe për ndihmën e këtyre ditëve, pasi vendi im është në një gjendje realisht inkandeshente nga koha e nxehtë dhe e thatë që vazhdon prej muajsh. Pilotët slloven po luftojnë me zjarret, krah për krah me zjarrfikësit dhe punonjësit e emergjencës civile të Shqipërisë.
Në diskutimet tona ne diskutuam për të gjitha potencialet që ekzistojnë në këtë bashkëpunim, në fushën e turizmit, në fushën e energjisë së rinovueshme, në fushën bankare, minierave, arsimit, kulturës dhe fushën e sigurisë.
E sigurova Kryeministrin se Shqipëria ka një projekt madhor dhe ky projekt është integrimi në Bashkimin Evropian dhe se ne po bëjmë përpjekjet më serioze, për të përmbushur çdo detyrim që vjen nga ky proces, pasi ato vetëm e vetëm bëjnë qytetarët shqiptarë më të lirë më të sigurt. E njoha gjithashtu me klimën e qetë krijuar muajt e fundit në Parlament dhe bashkëpunimin midis forcave politike për përfundimin e reformës zgjedhore dhe një seri ligjesh të tjera, si dhe me vendosmërinë e forcimit politik për të bërë që Shqipëria, zyrtarët në Shqipëri, të mos kenë imunitet.
Ne mbetemi të vendosur të procedojmë me këtë forcë me te tjera vendime të rëndësishme strukturore në ekonominë shqiptare, të cilat deri tani kanë dëshmuar efiçencë në mbrojtjen e kësaj ekonomie nga kriza. Shqipëria ka një borxh rreth 58-59%, por ky borxh prej katër vitesh mbahet në të njëjtin nivel . Ne kemi një deficit buxhetor vitin e kaluar rreth 2%, por nga viti 2005deri më sot, ne nuk kemi shpenzuar një dollarë të vetëm apo një euro të vetme, për qëllime të tjera veçse për investime. Ne jemi të detyruar të bëjmë investime për të kapërcyer prapambetjen e tmerrshme të trashëguar nga kohërat e tjera.
Me kryeministrin diskutuam gjerësisht për gjendjen në rajon dhe konstatoj një ndryshim shumë të madh, sikundër problemeve dhe sfidat për tu zgjidhur mbeten, por besojmë se dialogu midis palëve është rruga më e mirë për zgjedhjen e tyre. Qeveria shqiptare ka mbështetur dhe mbështet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Ka mbështetur marrëveshjen e arritur mes këtyre dy vendeve në Bruksel , uroj dhe shpresoj, që kjo marrëveshje të zbatohet, të implementohet si dëshmi e një vullneti të këtyre vendeve për të thelluar më tej paqen, stabilitetin në Rajon. Ne ndjekim me shumë vëmendje të gjitha zhvillimet dhe jam i bindur se e ardhmja evropiane është përgjigja më e mirë e problemeve sfidave më të cilat përballet sërish Ballkani Perëndimor.
Mbetem i angazhuar të bëjmë gjithçka që kompanitë sllovene në Shqipëri, të kenë një histori të vërtetë suksesi, ato janë të pranishme në një seri fushash, në fushën e energjetikës, në fushën sigurimeve, në fushën e ndërtimit, por hapësira dhe potenciali që ofron Shqipëri është shumë herë më i madh. Në këto vite ne me reforma të thella ia kemi dalë të krijojmë një mjedis miqësor, ndaj në këtë rast unë i bëj thirrje biznesit slloven të konsiderojnë në mënyrën më serioze investimet në Shqipëri, pasi aty do të gjejnë potenciale shumë të madhe në fushën në energjisë, turizmit, minierave, por do të gjejnë dhe krahun e punës më fleksibël, më të lirë, të mirë shkolluar, ndaj dhe kam besim se ardhja e tyre do të shënojë një histori të vërtetë suksesi për ata dhe për Shqipërinë.
Dhe njëherë zoti Kryeministër, ju falënderoj për ftesën dhe për të gjithë mbështetjen miqësore që i keni dhënë kombit tim. Shpreh mirënjohjen time të thellë, sepse në Kryesinë e Bashkimit Evropianë në vitin 2007, vendi juaj luajti një rol jashtëzakonisht pozitiv në njohjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe kontribuat që Gadishulli i Ballkanit të bëhej me i lirë më i sigurtë.
Faleminderit.
Më pas të dy kryeministrat iu përgjigjën interesit të mediave të pranishme:
Pyetje për Kryeministrin Slloven: Zoti Kryeministër i Sllovenisë, ju konfirmuat sërish mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE, por sipas jush, çfarë i takon klasës politike të bëjë për të përshpejtuar procesin? A duhet të jete opozita bashkëpunuese me mazhorancën për reformat, pasi ajo është pozicionuar kundër disa nismave të rëndësishme, si psh imuniteti?
Kryeministri Sllovenise, Jansa: Siç thashë më parë, Sllovenia vlerëson proceset e reformave që janë realizuar vitet e fundit. Po ashtu, edhe reformat politike që Shqipëria ka realizuar këtë vit. Ne vlerësojmë të gjitha arritjet, marrëveshjet që janë realizuar mes mazhorancës e opozitës. Nga eksperienca ime personale, e di që marrëveshje të tilla nuk janë të lehta dhe ne ketë e vlerësojmë si hap shumë të fuqishëm të rëndësishëm përpara.
Vlerësojmë edhe që BE pret që ky trend do të ecë edhe më tej dhe opozita në Shqipëri, në vendimmarrjet ku është zëri i saj, kur kjo nevojitet për ecjen përpara të vendit në BE, vota e saj mund të jetë evropiane. Besojmë se opozita nuk do ta shfrytëzojë këtë si një tendencë të brendshme politike. Por do të ofrojë bashkëpunimin aty ku duhet 3/5 e votave. Ajo duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme. Këtu nuk kemi të bëjmë aspak me çështje që kanë të bëjnë vetëm me marrëdhëniet e brendshme të shtetit. Bëhet fjalë për kërkesa të cilat BE i ka përcaktuar, jo vetëm karshi Shqipërisë, por për çdo vend që synon t’i bashkëngjitet BE-së për të realizuar standardet evropiane. Edhe kur kemi të bëjmë me heqjen e imunitetit, po ashtu, kjo është një gjë që duhet të respektohet, sepse në kuptimin evropian, kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë një matje e forcës mes mazhorancës dhe opozitës, por duhet të jetë një bashkëpunim i të gjitha forcave politike që ky hap të arrijë sa më parë. Nëse BE vendos disa kushte të cilat duhet të plotësohen, atëherë shteti kandidat, sa më parë t’i plotësojë këto kushte aq më afër pikësynimit të saj është. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Slloveninë. Edhe Sllovenia ishte e detyruar të ndryshonte shumë gjëra në legjislacionin e vet. Ka qenë e detyruar që ajo të harmonizojë edhe çështje të politikës së brendshme gjatë periudhës së aspirimit të saj për integrim evropian. Sllovenia e ka ndryshuar Kushtetutën për qëllimin e anëtarësimit në BE dhe këto nuk ishin vendime të lehta. Por ne kemi arritur marrëveshjet e duhura mes mazhorancës e opozitës dhe rezultat është fakti se sot Sllovenia është vend anëtar i BE-së. Besoj se të njëjtat standarde do të përdoren për të gjitha vendet e tjera kandidate.
Pyetje: Si i vlerësoni reformat ekonomike të Shqipërisë, që bënë që vendi të mos bjerë në recesion dhe a e shihni mundësinë e rritjes se investimeve sllovene në Shqipëri?
Kryeministri i Sllovenisë, Jansa: Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, më duhet të them se gjatë takimit me Kryeministrin kemi biseduar edhe për prokurimet publike në Shqipëri për investimet e huaja. Po ashtu edhe për hapësirat që ofrohen në Shqipëri për bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këto prokurime. Kryeministri më informoi se këto janë të favorshme dhe arrijnë standardet evropiane. Nga kjo pikëpamje, rrethanat ekonomike dhe administrative janë në favorshme për të thithur investime të firmave sllovene. Tani për tani këto investime janë të vogla, por besoj se në një të ardhme të afërt këto investime do të rriten.
Pyetje: Zoti Kryeministër çfarë do të bëjë Sllovenia për tu bërë më tërheqëse për këto vende që aspirojnë për në BE?
Kryeministri i Sllovenisë, Jansa: Bashkimi Evropian bën përpjekje që për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e të rajonit dhe më tutje proceset të zhvillohen normal dhe të mos kenë ngecje. Ajo që më shumë se gjithçka kërcënon apo shantazhon përgatitjen apo interesin për zgjerim nga vendet aspirante, është pikërisht ngecja e procesit. Ne kemi dy raste në rajon që kjo ka ndodhur dhe kemi edhe pasojat dhe të këqijat e kësaj gjëje. Sllovenia mundohet që të tërheqë vëmendjen që, edhe kur institucionet evropiane, në shumicën e rasteve, merren me krizën ekonomike e të euros, ne të mund ta mbajmë vëmendjen lart edhe te procesi i zgjerimit dhe te problemet me të cilat ballafaqohet zgjerimi.
Shqipëria, lidhur me këtë gjë, ka një përparësi të madhe duke pasur parasysh se 90 përqind e popullsisë mbështesin anëtarësimin në BE. Kjo është përqindja më e madhe në rajon dhe nuk ka asnjë forcë politike që nuk duhet ta mbështesë pasi është një përfaqësi shumë më ë fuqishme e Shqipërisë krahasuar me vende të tjera në rajon ku qëndrimi i publikut është më shumë i shpërndarë dhe kjo patjetër ndikon edhe në proceset e brendshme që janë të nevojshme që vendet aspiruese të plotësojnë kushtet e duhura.
Shqipëria është në rrugën e duhur edhe me reformat që janë arritur atje, që janë shumë të vështira të realizohen. Ky është një hap domethënës dhe Sllovenia edhe më tej do ta ndihmojë e mbështesë me të gjitha mjetet e mundshme Shqipërinë në këtë drejtim. Shqipëria drejt këtij rrugëtimi ka edhe një përparësi shumë të rëndësishme sepse ka një qëndrim shumë konstruktiv në rajon që Evropa e vlerëson dhe gatishmëria e saj që të ndihmojë aty ku mundet. Në një farë mënyre BE është një familje e vendeve anëtare, ku ndahen detyrat dhe çdo hap që bën çdo vend i caktuar, nga pikëpamja e përgatitjes së saj që është një faktor i zgjerimit të paqes e stabilitetit, është një vlerë e shtuar kur respektohen ato çështje, kur merret parasysh dhe vlerësohet nëse një vend i ka plotësuar kushtet për anëtarësim apo jo.
Pyetje për Kryeministrin Berisha: Sot nisi sesioni parlamentar. A sheh mazhoranca mundësinë e bërjes se ofertave te tjera opozitës për konsensus dhe tejkalimin e situatës?
Kryeministri Berisha: Lidhur më pyetjen tuaj, sot parlamenti fillon punimet. Parlamenti është vendi kryesor i debatit të kombit dhe natyrisht imuniteti është një çështje madhore. Siç e kam bërë të qartë në mënyrë të përsëritur, heqja e imunitetit nuk bëhet për të fituar kapital politik, kjo apo ajo forcë politike. Heqja e imunitetit bëhet për të bërë politikën shqiptare, zyrtarët shqiptarë, më civil të barabartë para ligjit me qytetarët e tjerë. Heqja e imunitetit është kërkesa ndër më të drejtat dhe legjitimet të Bashkimit Evropian. Vendet e lira nuk mund të pranojnë që zyrtarët e tyre të jenë imun për keq veprimet që bëjnë në drejtim të korrupsionit dhe krimit të zakonshëm. Ka 10 vjet që ne kemi kërkuar një gjë të tillë, kemi qenë në opozitë dhe në mënyrë të përsëritur e kërkojmë. Theksoj këtu se për mua nuk kanë rëndësi rrugët, rëndësi absolute ka heqja e imunitetit. Natyrisht pas një serie dështimesh për ta hequr në rrugë parlamentare për shkak të kundërshtimit të palës tjetër, ne kemi vendosur ti drejtohemi popullit për referendum dhe absolutisht opsioni i referendumit mbetet në këmbë dhe operativ që në momentin që parlamenti nuk do të votojë heqjen e tij, sepse unë e gjykova që ky është një parim i madh i vlefshëm për të luftuar me të gjitha mjetet demokratike.
Pyetje: Zoti kryeministër si është reflektuar kriza në rajon në ekonominë e vendit tuaj?
Kryeministri Berisha: Kriza evropiane është një krizë multidimensionale, afatgjatë, e cila në mënyrë të padiskutueshme ka pasur pasojat, pasqyrimin dhe ndikimin e saj negativ në Shqipëri. Në vitin 2008 ne kemi pasur një rritje ekonomike 8.2% dhe pas atij viti rritja jonë ndonëse ka mbetur 4 herë më e lartë se mesatarja e rajonit ka zbritur në shifrat 3-4 %. Pra kriza ka ndikim. Në rast se në vitin 2009-2011 eksportet e vendit u dyfishuan, me thellimin e krizës në Itali, eksportet me Italinë ranë në mënyrë të ndjeshme. Kriza në Greqi përbën një problem, pasi janë zvogëluar në mënyrë të ndjeshme shkëmbimet e fuqishme tregtare që kishim me këtë vend mik, por edhe remitancat e emigracionit shqiptar, të cilat kapnin së paku shifrën 1 miliard lekë në vit janë pakësuar ndjeshëm.
Numri i emigrantëve që kthehen nga Greqia është rritur. Jemi dëmtuar nga një fakt tjetër, një zhvillim i cili pak vite më parë ishte ndër më pozitivët në vendin tim, tani ka humbur tendencë. Ne kemi një sistem bankar i tëri nga vendet anëtare të Eurozonës. Disa instruksione të dhëna nga autoritet bankare evropiane bankave, janë të dëmshme për ekonominë tonë dhe unë mund t’ju jap një shembull. Në qoftë se ju është thënë që kufizojmë kreditimin, çfarë situate është krijuar? Bankat kanë një likuiditet të plotë, por nuk kanë kredituar as gjysmën e kursimeve që ato kanë, çka do të thotë se dëmtojnë vetë krijimtarinë e tyre. Por ne kemi një dialog me autoritet bankare evropiane për tu dhënë përgjigje këtyre problemeve. Pra kriza pasqyrohet.




