Rama kërkon mbështetjen e Internacionales Socialiste
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkon mbështetjen e Internacionales Socialiste për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.I shoqëruar nga deputeti Taulant Balla, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, mori pjesë në Kongresin e 24 zgjedhor të Internacionales Socialiste, zhvilluar në Cape Toën, Afrikë e Jugut. Gjatë qëndrimit të tij në Cape Toën, lideri i opozitës shqiptare zhvilloi takime me Kryeministrin belg Elio di Rupo, Kryeministrin rumun Victor Ponda dhe drejtuesit e partisë Socialdemokrate gjermane dhe socialiste franceze.
Një takim të veçantë lideri socialist pati edhe me Phil Angelides, Kryetar i Komitetit për hetimin e krizës financiare në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, emëruar nga Presidenti Obama me miratimin unanim të Kongresit. Gjatë këtij takimi, biseda mes Ramës dhe Angelides u përqendrua në situatën ekonomike që po kalon Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë. Një temë e rëndësishme që u diskutua ishte edhe programi i Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”, duke u përqendruar në çështjet më delikate si punësimi dhe taksimi i ndershëm. Angelides u shpreh jo vetëm në mbështetje të programit të Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”, por gjithashtu u angazhua për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e mëtejshëm të programeve që kanë të bëjnë me taksimin e ndershëm.
Në kongresin e Internacionales Socialiste, u rizgjodhën në detyrën e Presidentit të Internacionales, Jorgo Papandreu dhe në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, Luis Ajala. Në përfundim të seancës zgjedhore, lideri socialist Edi Rama zhvilloi takime me të dy drejtuesit më të lartë të internacionales, të cilët i përgëzoi për detyrën e re.


