Pakti detar me Greqinë, Panariti: Nuk ka negociata. Bisedimet do të jenë në respekt të Kushtetutës
Bisedimet me Greqinë për paktin detar do të bëhen në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe në respekt të ligjeve ndërkombëtare. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm, Edmond Panariti gjatë një komunikimi me median.
Lidhur me kohën se kur do të nisin bisedimet me shtetin grek në lidhje me paktin detar, Panaritit tha se se këto negociata do të nisin kur të jenë gati opsionet teknike, duke garantuar që ato do të jenë transparente.
Ndërkaq, Panariti mohoi zërat që të ketë negociata të fshehta mes dy vendeve në lidhje me ujërat detare mes dy vendeve. “Për marrëveshjen me Greqinë dua të jem i qartë se nuk ka as negociata, as negociatorë dhe as grupe pune. Nëse në të ardhmen do të na duhet të bisedojmë me autoritetet greke kjo do të bëhet në respekt të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare”, tha Panariti.
Referuar vizitave në Kinë dhe Australi, Panariti tha se mori mbështetje për investime në fusha me rëndësi. “Në Kinë mora mbështetje për investime në fusha me rëndësi ndërsa vizita në Australi mund të cilësohet si historike ndërsa u diskutua edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve”, tha ai.
Panariti tha se autoritetet kineze u angazhuan për rritjen e përparësisë së investimeve kineze në Shqipëri dhe se së shpejti pritet të vizitojnë Shqipërinë një grup investitorësh nga Kina. Po kështu, ai informoi se në takimet me zyrtarët në Pekin u vu theksi dhe tek rritja e bashkëpunimit akademik dhe kulturor mes dy vendeve dhe në këtë kuadër Shqipëria do të jetë përfituese e fondit vjetor prej 2 milion juanësh në këtë fushë. Pala kineze është e gatshme ndërkohë të presë studentë shqiptarë për të mësuar gjuhën kineze në Kinë. Referuar bisedimeve, Panariti tha se qeveria kineze po shqyrton me përparësi vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë fluturimi Pekin-Tiranë, për të mbështetur zhvillimet kulturore-ekonomike, por dhe ato në fushën e turizmit.



