Nishani: Prokurori i Përgjithshëm në momentin e duhur! Imuniteti, debate për referendum i takon partive
Presidenti Bujar Nishani ka shmangur komentet mbi zëvendësimin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, në përfundim të mandatit të saj në detyrë, ndërsa e ka cilësuar këtë cështje si jo në kohën e duhur për tu diskutuar. Nishani tha se aktualisht në axhendën e Presidentit të Republikës nuk është cështja e Prokurorit të Përgjithshëm, sikundër ka përjashtuar mundësinë e një diskutimi me forcat politike parlamentare mbi emërimin e Prokurorit të ri. “Në monemin kur Presidenti, do të ketë në axhendë mandatin e Prokurorit të Prgjithshëm, pa dyshim edhe në konsultë me këshilltarët e tij juridik dhe specialistët, do të ndërmarë të gjithë hapat e duhur. Për momentin ne e kemi një Prokuror të Përgjithshëm në përmbushje të misionit dhe përgjegjësive të saja ligjore dhe kushtetuese”, tha Kreu i Shtetit në një intervistë televizive. Nishani gjithashtu ka shmangur komentet mbi mundësinë e ri-mandatimit të Ina Ramës, por nuk ka nguruar të shpresë rezerva për institucionin e akuzës. “Institucioni i prokurorisë, ka nevojë për një rritje shumë të madhe të profilit profesional, për një rritje të forcës dhe të integritetit të të gjithë pjestarëve të prokurorisë në luftën ndaj kriminalitetit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. E shoh institucionin e prokurorisë në një moment, i cili duhet të ridimensionojë shumë fort profilin profesional, angazhimin dhe kurajon e saj”, tha Nishani. Ndërkohë në lidhje me ndryshimin e Kreut të SHISH, Presidenti ashtu sikundër edhe më parë e cilësoi si një cështje që s’ka lidhje me Presidencën.
Në lidhje me përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, Nishani tha se nga informacionet e tij, nuk ka asnjë negociatë mes dy palëve.
Përsa i takon cështjes së heqjes apo kufizimit të imunitetit, Nishani tha se heqja e imunitetit është mesazhi më i mirë që u jepet qytetarëve shqiptarë përsa i takon ruajtjes së konceptit për barazi para ligjit. Ndërsa debatin në lidhje me mbajtjen ose jo të një referendum popullor në lidhje me imunitetin, Presidenti e ka cilësuar si një cështje që i takon partive politike. “Është paraparë nga Kushtetuta momenti në të cilin Presidenti duhet të veprojë dhe të shfaqet me vendimet e tij që do të jetë pas një gjykimi që i vjen nga Gjykata Kushtetuese”, tha Nishani.
Në lidhje me akuzat e opozitës, e cila e cilësoi Nishanin si një noter të mazhorancës, Kreu i Shtetit tha se nuk ka asnjë tension me opozitën, përkundrazi ka respektin maksimal për pozitën politike. “E shoh atë si një nga vlerat më të rëndësishme të demokracisë në vend. Por nga ana tjetër dua të garantoj qytetarët se Presidenti nuk do të bjerë pre e asnjë platforme politike apo taktike elektorale të partive politike, por gjithmonë do të jetë në përmbushje të misionit dhe detyrës së tij”, tha ai.





