Lojrat e fatit dhe bastet sportive, ja zonat ku do të grupohen
Grupi i punës, i cili po shqyrton grupimin në një zonë të vetme, të të gjithë lojrave të fatit që shtrihen në territorin e bashkisë u mblodh sot nën drejtimin e Kryebashkiakut, Lulzim Basha.Në përbërje të grupit janë gjithashtu dy zv/kryetarët, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtoresha e Tatim – Taksave.
Grupi i punës ka klasifikuar si zonat më të mundshme për grupimin e lojrave të fatit dhe kazinove, zonën e Bregut të Lumit, Yzberishtin, Uzinën e Autotraktorëve e Tufinën. Grupi i punës do i propozojë Këshillit Bashkiak, vendosjen e një tarife të veçantë, e cila mund të arrijë në 50% të xhiros për lojrat e fatit.
Aktualisht, në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 56 njësi qendrore, kazino elektronike dhe baste sportive, të cilat kanë 1012 salla lojrash. Me këto masa, Bashkia e Tiranës ka për qëllim të sigurojë një monitorim më të mirë të këtij aktiviteti dhe frenimin e problemeve sociale, komunitare dhe të kriminalitetit të lidhur me këtë aktivitet.





