Cannon: Imuniteti,kriter kyc për integrimin! Plotësoni kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat
Reforma në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, cilësohen nga Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon, si kushtet kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria për marrjen e statusit të vendit kandidat. Cannon i ka drejtuar një apel klasës politike për të përmbushur 12 kriteret e vendosura nga Komisioni Europian për Shqipërinë, ndërsa shprehu interesimin e vendeve të BE-së që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.
“Edhe ne si një prej vendeve të BE jemi të interesuar që Shqipëria të marrë vendin e statusit kandidat.Shpresojmë që kjo të ndodhë këtë vit ose në të ardhmen e afërt. Ajo që ka të bëjë me çështjen e drejtësisë këtu, korruspionin dhe rastet specifike që gjykohen gjithashtu dhe çështjet e krimit të organizuar hyjnë mes 12 kritere të cilat duhet të plotësohen për marjen e statusit kandidat. Ne mendojmë që këto kritere të vendosura nga Komisioni Evropian kanë nevojë akoma të plotësohen. Këto janë aspekte të rëndësishme të kritereve dhe të gjitha vendet anëtare janë të interesuara të shikojnë më shumë progres rreth këtyre çështjeve”, tha diplomati britanik.
Ndërkohë, Cannon e cilësoi cështjen e heqjes apo kufizimit të imunitetit si një kriter kyc, pas atij të reformës zgjedhore. “Reforma zgjedhore ishte një pikë kyçe dhe tjetra sigurisht ka qenë çështja e imunitetit të deputetëve dhe gjithashtu imunitetit për gjyqtarët. Kjo është një çështje që ka kërkuar një konsesus të gjerë dhe konsesusi i mëtejshëm do të jetë në interes të klasës politike këtu dhe reformave në Shqipëri. Ndaj këtyre aspekteve anëtarët e BE janë shumë të vëmendshëm dhe të dyja këto çështje duhet të marrin zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë në mënyrë urgjente për ti paraprirë vlerësimit të ardhshëm që do të vijojë nga BE”, tha ai.
Reagimi i Ambasadorit të Britanisë së Madhe vjen në një kohë kur klasa politike, mazhoranca dhe opozita, ndodhen në pozicione shumë të largëta për gjetjen e një kompromisi në votimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese që do të mundësojnë heqjen e imunitetit për zyrtarët. Megjithëse ka një draft të hartuar me konsensus, palët nuk bien dakort, për shkak se opozita kërkon që krahas këtij ndryshimi të Kushtetutës të realizohen edhe ndryshimet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e drejtuesve të disainstitucioneve, përfshi këtu edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.





