Berisha përuron dy segmente rrugore: Do asfaltojmë cdo kilometër në zonat ku banojnë njerëz

Kryeministri Sali Berisha përuron dy segmente rrugore: Do asfaltojmë cdo kilometër në zonat ku banojnë njerëz.
Kryeministri Sali Berisha përuroi sot segmente rrugore, Uzina e Autotraktorëve-Lanabregas dhe Ura e Surrelit-Frakë, rrugë të cilat, sipas tij, do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së 20 mijë banorëve të Komunave të Dajtit dhe Farkës. “Investimet në këto zona nuk do të ndalen. Ju keni nevojë për shkolla të reja, infrastrukturë më të gjerë, dhe ju garantoj se do të ndërtojmë deri sa ju të jeni me infrastrukturë të njëjtë me çdo lagje të kryeqytetit të vendit”, tha Berisha.
Sipas tij, gjatë viteve të fundit në Qarkun e Tiranës janë ndërtuar e asfaltuar 950 km rrugë, por Berisha theksoi vendosmërinë për të asfaltuar çdo kilometer rrugë aty ku banojnë banorët e qarkut. “Vendosmëria jonë për ndërtimin e një infrastrukture moderne është faktuar para shqiptarëve, pasi në këto vite janë ndërtuar dhe asfaltuar mbi 10 mijë km rrugë. Së shpejti hapen dhe 500 km të tjera, ndërkohë janë në ndërtim e sipër mbi 1500 km rrugë”, tha ai.
Duke theksuar se në vitin 2005 në vend ishin asfaltuar 2430 km rrugë, Berisha tha se “zona të tëra të vendit ishin të dënuara për t’u injoruar pasi konsideroheshin zona të asgjësë, por politika jonë është krejt tjetër. Ne do të shkojmë me infrastrukturë moderne aty ku banojnë shqiptarët”.
“Shqipëria është vend i pasur, ka pasuri përrallore, ato duhet të shndërrohen në vlera për qytetarët. Kushti më themelor për këtë është infrastruktura rrugore. Është faktuar që çdo dollar i investuar në rrugë kthehet në 4.6-5 herë në vlerën e insvestimit, sepse rruga është punësim, sepse është korridor i energjisë së tregut, bën të mundur që prodhimet të dalin me shpejtësi më të madhe në treg, bën të mundur që biznesi të lulëzojë aty ku është rruga, ndaj dhe jemi përqëndruar në një infrastrukturë moderne”, tha Berisha.
Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal tek raporti i Komisionit Evropian, duke theksuar se “një muaj më parë Komisioni Evropian deklaroi se Shqipëria ka ndërtuar më shumë se gjithë rajoni marrë së bashku dhe këto u ndërtuan duke mbajtur në vend borxhin në nivel të palëvizshëm, duke luftuar korrupsionin me zero tolerancë, duke bërë që ekonomia shqiptare të mos zhytet në krizë, për shkak të klimës së favorshme që kemi krijuar”.
Berisha tha se këto u bënë të mundura nga përkushtimi i madh i mazhorancës, i qeverisë së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj për të zgjidhur në mënyrën më të shpejtë dhe më të mirë problemet e qytetarëve shqiptarë aty ku jetojnë. Kryeministri Berisha garantoi se investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë me ndërtimin edhe të rrugëve e rrugicave, shkollave dhe çdo lehtësi tjetër.
Duke u ndalur më tej tek kriza ekonomike dhe ndikimi i saj në Shqipëri, Berisha tha se “nuk mund të mohohet se kjo krizë që pllakosi fqinjët dhe Evropën nuk ka pasoja mbi Shqipërinë, por e vërteta është se me gjithë ndikimin e saj ky model ekonomik që kemi vendosur ka bërë që ekonomia shqiptare të rritet 4 herë më shumë se mesatarja e rajonit, ka bërë që kjo ekonomi pas përgjysmimit të taksave të dyfishojnë të ardhurat në buxhetin e shtetit për rrugë, shkolla, etj”.
Kryeministri u ndal tek privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, duke theksuar se kjo bëhet për dy arsye, pasi menaxhimi privat ka rezultuar më i sukseshëm se ai publik edhe se të ardhurat nga privatizimet po investohen për ndërtimin e rrugëve, shkollave, po rriten rrogat, pensionet. “Ne çdo vit kemi rritur rrogat, pensionet dhe asnjë nga vendet e tjera nuk ka mbidyfishuar rrogat e pensionet si ne dhe kjo ka qenë dhe mbetet politikë konstante. Do bëjmë gjithçka të rrisim rrogat dhe pensionet, por mbi të gjitha që të keni vende pune. Asgjë më shumë se ndërtimi i infrastruktës nuk ndikon në krijimin e vendeve të punës”, tha Berisha, duke shtuar se ndërtimi i rrugëve veç punësimit krijon mundësi të krijimit të sipërmarrjeve, bujqësi, industriale, etj.




