Berisha: Nisma për referendumin në shtator. Ja pse e hoqa Bahri Shaqirin! Prokurori, kompetencë e Nishanit

Kryeministri Sali Berisha paralajmeroi sot se brenda dy javëve të para të muajit shtator deputetët e mazhorancës do të paraqesin kërkesën ligjore për referendum popullor në lidhje me heqjen e imunitetit. Berisha tha se do të jenë deputetët e mazhorancës, të cilët kanë 10 vite që luftojnë për heqjen e imunitetit, që do të kenë të drejtën ti drejtohen sovranit për një cështje kaq të ndjeshme. “Shpresoj që deputetëve të mazhorancës ti bashkohen edhe deputetë të opozitës, të cilët janë dakort me heqjen e imunitetit për zyrtarët apo kufizimin e tij”, tha Berisha. Në një konferencë për shtyp, Kryeministri bëri një ekspoze të gjithë përpjekjeve të Partisë Demokratike, nga viti 2003 dhe në vazhdim në lidhje me heqjen e imunitetit. Por sipas, Berishës, pengesa kryesore në gjithë këtë process, ka qenë qëndrimi i Partisë Socialiste dhe Kryetarit të saj Edi Rama, që nuk ka pranuar asnjë nga variantet për heqjen e imunitetit. “Imuniteti për zyrtarët që e gëzojnë atë, përbën pengesën kryesore që sot ka organi i akuzës për të hetuar korrupsionin. Unë nuk them se heqja e imunitetit do të zhdukë korrupsionin, por është e provuar se në vendet kur ky mur është rrëzuar, niveli i korrupsionit është ulur disa herë”, tha Berisha. Sipas tij, opozita në 10 vite ka pasur vetëm një qëndrim për heqjen e imunitetit: jo dhe vetëm jo. Në këtë kuadër, Berisha u shpreh se duket se pamundur që Edi Rama të bindet për heqjen e imunitetit.

Berisha tha se zyrtarët e lartë duhet të zhvishen nga mburoja e imunitetit dhe për këtë çështje mazhoranca vendosi t’u drejtohet shqiptarëve për të marrë mendimin e tyre në referendum. “Imuniteti është një pengesë e rëndësishme për hetimin e zyrtareve. Eshtë e pandershme dhe e padrejtë që qeveritarët dhe gjyqtarët të kenë imunitet”, tha Berisha. “Kjo është një pengesë e padiskutueshme për institucion e akuzës dhe hetimit ndaj zyrtarëve imunitarë të cilët kanë në vendimarrje e tyre jo vetëm tërë buxhetin e shtetit, por ligjet e vendit dhe problemet civile dhe penale të një shoqërie dhe të një kombi”, tha Berisha.

Kryeministri tha më tej se pikërisht në bindjen e rëndësisë jetike të zhveshjes nga parizmorja e imunitetit, Partia Demokratike në vitin 2003 dorëzoi në Parlament amendamentet për kufizimin e imunitetit, të cilat, sipas tij, u hodhën poshtë nga mazhoranca e atëhershme socialiste. “Këto amendamente u hodhën poshtë nga mazhoranca socialiste me pretekstin që ky problem kërkon ndërhyrjen në kushtetutë. Në alternative që ne i ofruam PS-së, aplikimin e parkitës së parlamentit gjerman i cili me një deklaratë të gjithë deputetëve vendosi në fillim të çdo sesioni kufizimin e imunitetit dhe autorizon institucionin e akuzës të procedojë për parlamentarët njëlloj si qytetarët e tjerë ku bëhet fjalë për veprat penale, të krimit të zakonshëm dhe korrupsionit”, tha Berisha.

Ndërkaq, Berisha akuzoi PS se mundohet të bllokojë heqjen e imunitetit, duke ftuar njëherësh deputetët socialistë të firmosin këtë kërkesë të mazhorancës. “PS mundohet me cdo kusht të bllokojë heqjen e imunitetit”, tha Berisha. “Në mënyrë qesharake socialistët u thanë shqiptarëve, ne e heqim, por nuk e votojmë. Nuk besoj të ketë në histori një rast analog me të që një forcë politike të mos votojë vetë draftin me amendamentet e tij. Socialistët spekulojnë kur thonë se edhe po të hiqet imuniteti do të ketë korrupsion. S`ka hipokrizi më të madhe se të derdhësh lot për të papunët, kur u thua atyre se pasuritë e mia nuk preken, paçka se ato konkurojnë konkurencën e ndershme, nëpërmjet fshehjes së taksave falimentojnë ndërmarrje që nuk fshehin taksat”.

Ndërkohë, Kryeministri ka mohuar gjatë krijimin e një grupi pune, apo nisjen e ndonjë procesi, në lidhje me kufirin detar me Greqinë. Berisha tha se cdo nisje negociate do të jetë në përputhje të plotë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën dhe ligjet e vendit. “Jemi të vendosur të diskutojmë me cdo vend problemet që mund të ekzistojnë dhe gjithcka do të bëhet në bazë të Kushtetutës”, tha Berisha.

Përsa i takon, Prokurorit të Përgjithshëm, Berisha tha se ky është një atribut i Presidentit të Republikës, ndërsa shprehu besimin se Kreu i Shtetit do të zbatojë të gjitha kompetencat e tij kushtetuese.

Përsa i takon ndryshimit të Kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Berisha tha se gjithcka është bërë me konsultime me partnerët e Shqipërisë. Berisha tha se në të ardhmen bashkëpunimi i Shqipërisë me vendet partnere, vecanërisht me SHBA do të shtohet në të gjitha fushat, përfshi edhe atë të sigurisë. Në vijim të kësaj cështjeje, Berisha tha se zëvendësimi i kreut të SHISH ka pasur dy arsye, së pari mandati i kufizuar dhe së dyti mosdhënia e informacionit për protestën e 21 Janarit. “Cdo zyrtar i ekzekutivit duhet të ketë një mandat të përcaktuar. Ligji i vendit e barazon drejtorin e SHISH me ministrin. Madje ligji e con pak më tutje, pasi jashtë përcaktimit kushtetues, zëvendësi i tij i takon sërisht Presidentit. Cdo kush duhet të ketë një mandat të përcaktuar, kushdo qoftë ai”, tha Berisha. Ndërkohë në lidhje me arsyen e dytë, Berisha tha se “21 Janari ishte një nga ngjarjet më tragjike në historinë e kombit, ishte një nga skenarët më ogurzi, i cili filloi me fjalime puciste, si  në vitin 1924, u montua një video ku u implikua direkt Kryeministri dhe për të gjithë këto, burime nga më të shumtit, përfshi agjensi të huaja, informuan qeverinë se data 21 Janar do të jetë një përpjekje shumë e rëndë për dhunë dhe përdorim force. Institucioni i vetëm që me ligj varet nga Kryeministri i vendit, nuk dha qoftë edhe një gërmë informacion ishte SHISH.  Ju garantoj se kjo është një motiv i plotë për ta shkarkuar, cilido që të ishte ai”.

Berisha shprehu bindjen që 21 Janari do të hetohet dhe do të zbardhet deri në fund, pasi në atë protestë të dhunshme u vranë 4 qytetarë. “Po, cështja do hetohet deri në fund dhe do të zbardhet, pasi me qindra herë janë bërë protesta poshtë zyrës sime dhe në asnjë rast nuk i ka hyrë qoftë edhe një gjemb në këmbë”, tha Berisha.

Përsa i takon rrezikut të rritjes së borxhit, Berisha tha se niveli i borxhit aktualisht është rreth 58-59.7 %, ndërsa në vende që kanë pasur borxhe 2 apo 3 herë më pak se Shqipëria, gjatë 4 viteve të fundit borxhi i tyre është rritur 2 apo 3 herë më shumë se vendi ynë. Berisha tha se borxhet janë marrë për të ndryshuar Shqipërinë dhe jo për rritjen e rrogave dhe pensioneve.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard