Qeveria, urdher per mbrojtjen e femijeve. Kategorite qe perfitojne

Ministria e Brendshme dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta kanë nënshkruar sot një urdhër të përbashkët “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të cilët janë të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të abuzimit ndaj tyre”. Urdhëri parashikon që cdo fëmijë, që gjendet në situatë emergjente, të merret në mbrojtje të menjëhershme nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e Shërbimin Social Shtetëror, edhe jashtë orarit zyrtar të punës. Më poshtë po japim të plotë urdhërin për mbrojtjen e fëmijëve.
Në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës dhe të Ligjit Nr.10347, datë 4.11.2010 “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” dhe VKM NR 265, datë 12.04.2012 “Për krijimin dhe funksionimin e mekanizmit të bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse për referimin e rasteve të fëmijëve në rrezik, si dhe mënyrën e procedimit te tij” të dy institucionet urdhërojnë:
1. Çdo fëmijë, që gjendet në situatë emergjente, të merret në mbrojtje të menjëhershme nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e Shërbimin Social Shtetëror, edhe jashtë orarit zyrtar të punës.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, me anë të strukturave të tyre në varësi, të identifikojnë në terren të gjitha rastet e fëmijëve në rrezik.
3. Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror që me anë të strukturave të saj, t’u ofrojë shërbimet e përkujdesjes sociale, fëmijëve të referuar nga Policia e Shtetit konform Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 425, datë 27.06.2012 “Për zbatimin e kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për pranimin e personave në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror”, pika 3 germa “ç”, në rastet e emergjencës.
4. Të gjitha rastet emergjente të fëmijëve në rrezik, të identifikuara nga Policia e Shtetit, në çdo rast, në bashkëpunim me punonjësit socialë të zyrave rajonale të shërbimeve sociale dhe Shërbimit Social Shtetëror, i referojnë në Njësinë për të drejtat e fëmijës në nivel qarku dhe në njësitë për mbrojtjen e fëmijëve në nivel bashkie/komune, ku janë të ngritura aktualisht.
5. Komitetin Drejtues për bashkërendimin e punës ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse, të kryesuar nga kryetari i Këshillit të Qarkut, që të procedojë me referimin e këtyre rasteve para organeve të drejtësisë, me qëllim sigurimin e mbrojtjes së interesit me të lartë të fëmijës.
6. Kohë-qëndrimi i fëmijëve të sistemuar në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike të përkujdesit shoqëror, të referuar në njësinë për të drejtat e fëmijes në nivel qarku dhe në njësitë për mbrojtjen e fëmijëve në nivel bashkie /komune, do të jetë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga organet e drejtësisë.
7. Ky urdhër hyn në fuqi me nënshkrimin e tij.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC