Kuqi nuk mendon për pensionin
Shefki Kuqi nuk mendon për pensionin. Sulmuesi kosovar vlerëson se ende nuk është momenti për t’u pensionuar nga futbolli aktiv, edhe pse është 35-vjeçar. Kuqi së fundi ka firmosur kontratë me skuadrën e elitës së futbollit skocez, Hibernian.
“Unë ndihem i fortë dhe kam qenë me fat në karrierë që kurrë nuk kam munguar nëpër ndeshje, shkaku i lëndimeve. Sa gjatë do të kem karrierë nuk e di, ndoshta edhe një vit, dy apo tri. Për mua është me rëndësi që të zgjohem në mëngjes, të ndihem mirë dhe të kem dëshirë të shkoj në stërvitje. Unë kam thënë se nëse zgjohem në një mëngjes dhe nuk më pëlqen të shkoj në stërvitje, atëherë do të largohem. Futbolli si çdo gjë tjetër në jetë po ndryshon. Si shembull, 20 vite më parë po të ishe 30-vjeçar do të ishe në fund të karrierës. Tash të gjithë po kujdesen për veten, mund të shihni lojtar si Ryan Giggsi që është 38-vjeçar dhe po luan për një prej skuadrave më të mëdha në botë dhe atë vit pas viti”, ka thënë Kuqi për “Edinburgh Evening News”.
Hiberniani është skuadra e 15-të në karrierë për Kuqin. Ai më herët ka luajtur edhe në Premier Leaguen e Anglisë për skuadra si Blackburn Rovers, Fulham e Newcastle United, shkruan Koha Ditore.




