Arben Ristani, kandidati i mazhorancës për Kryeprokuror
Arben Ristani, Kryetari aktual i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shihet si kandidati kryesor i mazhorancës për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ristani pritet të lërë detyrën e kreut të KQZ-së në shtator, kohë kur do të nisë procedura parlamentare për zgjedhjen e kreut të rid he 6 anëtarëve të institucionit më të lartë që menazhon zgjedhjet, në përputhje me Kodin e ri Zgjedhor. Ndërkohë në të njëjtën periudhë, skadon edhe mandate 5 vjecar i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, e sulmuar nga mazhoranca dhe me shpresa pothuajse zero për një mandate të dytë në këtë pozicion. Burime nga Partia Demokratike shprehen se Ristani plotëson kriteret e nevojshme për të drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme. Me eksperiencën si gjyqëtar, më pas si avokat dhe si drejtues i KQZ-së, Ristani shihet brenda partisë më të madhe qeverisëse, si një kandidaturë serioze. Në anën tjetër, LSI pritet të propozojë Spartak Braho, kandidat që mund të mos mbështetet nga PD për shkak të punës së tij në kohën e diktaturës. Burime nga PD shprehen se Arben Ristani është një nga emrat që mazhoranca ka për tia propozuar Kuvendit, i cili me shumicë të thjeshtë votash, zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm, që dekretohet më pas nga Presidenti. Nëse Ristani do të jetë kandidati zyrtar i mazhorancës, atëherë pritet një reagim, i ashpër nga opozita, e cila ka sulmuar në jo pak raste kreun e KQZ-së, madje duke ndërmarrë edhe rrethimin e institucionit me protestues gjatë kohës që KQZ morri vendimin për numërimin e votave të hedhura gabim në kuti, në zgjedhjet vendore të 2011.





