Muaji i Ramazanit, Berisha shtron Iftar në rezidencën qeveritare

Kryeministri Sali Berisha shtroi një Iftar për besimtarët muslimanë, në një prej rezidencave qeveritare, në nderim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Kjo darkë mblodhi së bashku shumë miq dhe të ftuar si, drejtues dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryetari i këtij komuniteti Haxhi Selim Muça, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, myfti, imamë, intelektualë islamë, drejtues të tjerë të bashkësive fetare në vend si, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit, dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë,  Imzot Rrok Mirdita, Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Fitor Muça, përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vend, përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe drejtues të shoqatave të ndryshme fetare.

I ftuar nga kryeministri Berisha, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça çeli Iftarin dhe më pas Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij u shpreh se “para së gjithash është një detyrë e imja dhe një nder i veçantë të përulem me nderim të madh para të gjithë atyre besimtarëve, të cilët në përkushtimin e tyre ndaj Zotit , agjeruan muajin e Ramazanit, në kushte të një vere ndër më të nxehtat”.

Berisha tha se me dëshminë se përkushtimi ndaj Zotit, është frymëzimi i madh për njeriun, për dashurinë, për tolerancën, për mirëkuptimin, cdo besimtar burrë, grua, i përkushtuar ndaj Zotit ka rastin e madh të dëshmojë vlerat e mëdha të këtij besimi dhe përkushtimi.  “Këtë vit, që kemi edhe vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit është një rast për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj udhëheqësve të kombit të të gjitha besimeve, të cilët dhanë një kontribut historik në pavarësinë e Shqipërisë, në pavarësinë e shqiptarëve, në lirinë e shqiptarëve.  Këtë vit këtë 6 mujor, ne kryesojmë institucionin më të vjetër demokratik të Europës të pasluftës, Këshillin e Europës dhe ky është një nder shumë i madh për ne dhe një nga motot e këtij drejtimi që kemi përzgjedhur, është “Të bashkuar në diversitet” dhe këtë moto ne shqiptarët mund ta ilustrojmë bukur me trashëgiminë tonë shpirtërore, me respektin tonë të madh të ndërsjellë për besimin e  tjetrit, me tolerancën fetare të shkëlqyer që ne kemi”, tha Berisha.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard