Universitetet, përcaktohet tarifa e regjistrimit për konkurim në disa programe studimi. Datat sipas degëve
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nxjerrë udhëzimin për zhvillimin e konkurseve të pranimit, tarifën e regjistrimit për konkurim në disa programe studimi të ciklit të parë me kohë të plotë. Udhëzimi përcakton datën e konkurimit për secilën degë në Universitetet publike të vendit. Gjithashtu udhëzimi përcakton edhe rregullat, kriteret dhe pagesën në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë. Më poshtë po japim të plotë Udhëzimin e MASH.
UDHËZIM
PËR ZHVILLIMIN E KONKURSEVE TË PRANIMIT, TARIFËN E REGJISTIRMIT PËR KONKURRIM NË DISA PROGRAME STUDIMI TË CIKLIT TË PARË ME KOHË TË PLOTË DHE NË PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË, NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, VITI AKADEMIK 2012-2013
Mbështetur në nenin 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si edhe në nenin 33 dhe 75 të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, vendimi nr. 420, datë 27.6.2012 të Këshillit të Ministrave “Për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të larët, cikli i parë i studimeve me kohë të plotë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, si edhe tarifat e shkollimit për vitin akademik 2012-2013”, si dhe në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 78, datë 8.2.2006 “Për krijimin e maturës shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, të ndryshuar
UDHËZOJ:
1. Pranimet në programet e ciklit të parë të studimeve me kohë të plotë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, për vitin akademik 2012-2013, në:
1.1 Universitetin e Arteve të Tiranës (të gjitha programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë);
1.2 Akademinë e Arteve Shkodër (të gjitha programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë);
1.3 Universitetin e Sporteve të Tiranës (të gjitha programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë);
1.4 Universitetin Politeknik të Tiranës (programet e integruara të studimit të ciklit të dytë “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë-Urbanist”);
1.5 Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër (programi i studimit të ciklit të parë me kohë të plotë “Edukim Fizik dhe Sporte”);
1.6 Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan (programi i studimit të ciklit të parë me kohë të plotë “Edukim Fizik dhe Sporte”);
1.7 Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën FASTIP), të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve të fituara nga konkursi i pranimit, i organizuar nga këto Institucione Publike të Arsimit të Lartë.
2. Në Universitetin e Arteve të Tiranës dhe në Akademinë e Arteve në Shkodër, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70%, sipas tabelës nr. 1, bashkëngjitur këtij udhëzimi. Konkurrimi për kandidatët e Akademisë së Arteve të Shkodrës do të kryhet në bashkëpunim me Universitetin e Arteve të Tiranës, në ambientet e këtij të fundit. Kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit, në programin ku ka konkurruar, sipas tabelës nr. 2, bashkëngjitur këtij udhëzimi, sipas përcaktimit për program studimi, nuk fiton të drejtën e studimit.
3. Në Universitetin e Sporteve të Tiranës rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 50%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 50%, sipas tabelës nr. 1, bashkëngjitur këtij udhëzimi.
4. Në Universitetin Politeknik të Tiranës, në programet e studimit “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë-Urbanist”, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 40% kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 60%, sipas tabelës nr. 1, bashkëngjitur këtij udhëzimi.
5. Në universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, në programin e studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 50%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 50%, sipas tabelës nr. 1, bashkëngjitur këtij udhëzimi.
6. Në programet e studimit të FASTIP të universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 40%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit (gjuha angleze dhe intervista e punësimit) në masën 60%, sipas tabelës nr. 1, bashkëngjitur këtij udhëzimi.
7. Për të gjitha programet e studimit, sipas pikës 1, të këtij udhëzimi, pikët minimale dhe maksimale të konkurseve përcaktohen në tabelën nr. 2, bashkëngjitur këtij udhëzimi.
8. Rregulloret dhe programet e konkurseve, të miratuara nga IAL Publike përkatëse, të bëhen publike, duke filluar nga data 1 gusht 2012.
9. Kandidatët që kanë kërkuar në formularin A2, programet e studimit sipas pikës 1, të këtij udhëzimi, si edhe kandidatët shqiptarë që do të marrin pjesë në konkurset e pranimit për këto programe studimi nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi dhe nga Lugina e Preshevës të regjistrohen për zhvillimin e konkursit pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës. Periudha e regjistrimit të jetë nga data 16 gusht 2012 deri në orën 12:00 të datës 27 gusht 2012.
10. Agjencia Kombëtare e Provimeve AKP, deri në datën 14 gusht 2012, të përgatisë listën e konkurrentëve për konkurset e pranimit në programet e studimit sipas pikës 1, të këtij udhëzimi, sipas preferencës së kërkuar prej tyre në formularin A2.
11. Listat e konkurrentëve për secilin konkurs pranimi, të pikës 1, në formë të shkruar dhe elektronike, t’u dorëzohen institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas programit të studimit, në datën 15 gusht 2012 nga AKP për të gjithë kandidatët që kanë plotësuar formularin A2 dhe nga MASH-i për kandidatët shqiptarë që do të marrin pjesë në konkurset e pranimit për këto programe studimi nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi dhe nga Lugina e Preshevës.
12. Rektoratet dhe dekanatet e IAL-të Publike të shpallin në mjedise të dukshme të institucioneve të tyre deri në datën 10 gusht 2012: datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për të siguruar një ecuri normale të procesit të regjistrimeve në konkursin e pranimit në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.
13. Sekretaritë mësimore të fakulteteve përkatëse, të programeve të studimit të pikës 1 dhe 2, pas verifikimit të listave të të regjistruarve, me listën e dorëzuar nga AKP dhe nga MASH, në datën 17 gusht 2012, ora 12:00 të shpallin listat e konkurrentëve të regjistruar dhe t’i afishojnë ato në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve të tyre.
14. Datat e konkursit të pranimit në këto institucione publike të arsimit të lartë, të jenë sipas këtij kalendari:
14.1 Universiteti i Arteve, Tiranë, për të gjitha programet e studimit në:
a) Fakultetin e Muzikës 27 gusht-1 shtator 2012;
b) Fakultetin e Artit Skenik 27 gusht-1 shtator 2012;
c) Fakultetin e Arteve Figurative 27 gusht-1 shtator 2012.
14.2 Universiteti i Sporteve të Tiranës, për programet e studimit:
a) Shkenca e lëvizjes 29-31 gusht 2012;
b) Fushat e veprimtarisë fizike, të shëndetit dhe të rekreacionit 29-31 gusht 2012.
14.3 Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, për programin e studimit:
a) Edukim Fizik dhe Sporte 27-29 gusht 2012.
14.4 Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan për programin e studimit:
a) Edukim Fizik dhe Sporte 27-29 gusht 2012.
14.5 Universiteti Politeknik i Tiranës, për programet e studimit:
a ) Arkitekturë 3-5 shtator 2012;
b) Arkitekturë (Urbanist) 3-5 shtator 2012. 5442
14.6 Universiteti “A. Moisiu” i Durrësit (FASTIP) për programet e studimit (programe në gjuhën angleze):
a) Menaxhim i bankave 27-29 gusht 2012;
b) Menaxhim Hoteleri Turizëm 27-29 gusht 2012;
c) Menaxhim i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme 27-29 gusht 2012;
d) Multimedia dhe Teknologji Informacioni 27-29 gusht 2012.
14.7 Akademia e Arteve Shkodër, për të gjitha programet e studimit në:
a) Fakultetin e Muzikës 27 gusht-1 shtator 2012;
b) Fakultetin e Arteve Figurative 27 gusht-1 shtator 2012.
15. Tarifat e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit në këto institucione publike të arsimit të lartë të jenë si më poshtë:
a) Në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Sporteve të Tiranës: 5,000 (pesë mijë) lekë.
b) Në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Arteve, Tiranë: 5,000 (pesë mijë) lekë;
c) Në programet e studimit në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër: “Edukim fizik dhe sporte”, 5,000 (pesë mijë) lekë dhe “Pikturë-Grafikë”, 5,000 (pesë mijë) lekë.
d) Në programin e studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan: 4,000 (katër mijë) lekë;
e) Në programin e studimit “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë-Urbanist” në Universitetin Politeknik të Tiranës: 8,000 (tetë mijë) lekë.
f) Në të gjitha programet e studimit në Akademinë e Arteve, Shkodër: 5,000 (pesë mijë) lekë.
16. Të gjitha tarifat e regjistrimit për konkurrim në programet e ndryshme të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë të arkëtohen nëpërmjet sistemit bankar ose zyrave të postës shqiptare, për llogari të IAL-së Publike përkatëse.
17. Konkurset e pranimit në këto institucione Publike të Arsimit të Lartë të monitorohen nga përfaqësues të MASH-it.
18. Rezultatet e konkurseve të pranimit të dërgohen në MASH e në AKP, në letër dhe CD, brenda 3 ditëve nga përfundimi i tyre. Për konkurrentët nga Republika e Kosovës, vetë IAL-të publike përkatëse, të shpallin kandidatët fitues, sipas kuotave të miratuara për çdo program studimi.
19. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Drejtoria e Arsimit të Lartë dhe e Kërkimit Shkencor, Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) dhe Institucionet Publike përkatëse të Arsimit të Lartë.
Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë.
MINISTRI i ARSIMIT DHE SHKENCËS
Myqerem Tafaj




