PD vijon akuzat ndaj Ramës: E ktheve PS në SHPK miliarderësh, bllokove statusin për të tretin vit rradhazi
Partia Demokratike vijon akuzat ndaj opozitës në lidhje me heqjen e imunitetit, ndërsa përmes një deklarate për mediatka rishprehur qëndrimin e saj për zhvillimin e një referendum popullor në lidhje me këtë cështje. Zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, për të disatën ditë rresht ka akuzuar kreun e opozitës, Edi Rama, si bllokuesin e votimit në Kuvend të draftit të hartuar me konsensus për ndryshimet Kushtetuese, që do të bënin të mundur heqjen e imunitetit për zyrtarët që e gëzojnë atë, dhe kufizim imuniteti për prokurorët dhe gjyqtarët. “Dy ditë më parë në një takim me të rinjtë eurosocialistë në Jalë, ish – Kryeministri Pandeli Majko zbuloi para shqiptarëve shkakun e vertetë të bllokimit më datë 6 gusht nga Edi Rama të heqjes së imunitetit dhe bllokimit të statusit të vendit kandidat. Pyetjes së njerit prej të rinjëve se përse PS bllokoi më datë 6 gusht heqjen e imunitetit dhe statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, Majko iu përgjigj troç se: Partia Socialiste nuk mund të pranojë heqjen e imunitetit për faktin se këtë e pranojnë ministrat të cilët sipas tij paskan të tyre gjykatësit dhe prokurorët”, theksoi Bardhi gjatë konferencës së rradhës për shtyp. Sipas saj, “e vërteta absolute është se miliardierët në krye të Partisë Socialiste dhe z. Rama që e ka kthyer Partinë Socialistet në një SHPK të miliardirëve të saj, nuk mund të pranojnë kurrë të heqin imunitetin sepse tmerrohen nga e pasuritë e tyre të paligjshme, origjina e tyre nga fshehja e taksave, kontrabanda, grabitja e trojeve dhe pronave të të tjerëve, ndërtimet pa leje dhe trafiqet kriminale”. Në vijim të akuzave, Bardhi tha se “Qeveria socialiste hodhi poshtë në vitin 2003 propozimin e Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit edhe pse në krye të Gjykatës së Larte dhe Gjykatës Kushtetuese ishin dy ish-anëtarë të kryesisë së Partisë Socialiste, Thimio Kondi dhe Fehmi Abdiu, dhe në drejtim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishte ish-ministri socialist Ilir Panda”. Në qëndrimin e saj zyrtar, PD thekson se “pohimi i hapur i z.Majko para të rinjëve socialistë, fakton në mënyrë të qartë se Edi Rama nuk kishte kurrë ndërmend të hiqte imunitetin në shtator si ç’deklaroi dhjetra herë para datës 6 gusht, por vetëm sa u perpoq që me mashtrimin e rradhës të mbulonte sado pak aktin e shëmtuar të bllokimit nga ai personalisht, për të tretin vit me rradhë të statusit të vendit kandidat për Shqiperinë”. “Ky zbulim i hapur i Majkos, paralajmëron haptas shqiptarët se Edi Rama dhe kupola e miliarderëve të Partisë Socialiste jo vetëm që nuk do të pranojnë thirrjen e referendumit por ata do të bëjnë gjithçka, do të përdorin të gjithë pasuritë e tyre të mbrojtura nga muri katran i korrupsionit për sabotimin e tij. Partia Demokratike deklaron edhe nje herë publikisht se asgjë nuk do të mund të bllokojë të drejtën e qytetarëve të lirë shqiptarë për të zhveshur me votën e tyre zyrtarët e këtij vendi nga imuniteti, maska dhe mburoja e zezë e pasurimit të tyre të paligjshëm”, theksohet në deklaratën për mediat.





