Londër 2012, Blake zemeron IOC me orën 500 mijë $
Yohan Blake ishte atleti që cilësohej si rivali më i madh i Usain Bolt, dhe si i vetmi që mund t’a mposhte, të paktën e në garën e 200 metrave. Por, me Bolt që dominoi garën nga fillimi deri në fund, duke fituar pa vështirësi, vëmendja te Blake duket se nuk ka qenë te paraqitja në pistë, sesa te një ngjarje e veçantë.
Sprinteri xhamajkan është vënë në qendër të diskutimeve, pasi është paraqitur në garat e Londër 2012 me një orë të dizajnuar nga Richard Mille, me vlerë 500 mijë dollarë. Atleti e ka mbajtur orën edhe në finalen e madhe të 100 metrave, duke zemëruar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe organizatorët e Lojërave Olimpike. Kjo për faktin se partner zyrtar i Olimpiadës është “Omega” dhe ora e personalizuar për Blake, me ngjyrat e flamurit të Xhamajkës cilësohej si reklamë e paautorizuar. Sipas mediave ndërkombëtare, ora është unike, e krijuar posaçërisht për të, në mënyrë që t’a mbante gjatë Lojërave Olimpike.
Sprintieri 22 vjeçar e mbajti gjatë gjysmëfinaleve dhe finales në 100 metra, si edhe në gjysmëfinalet e garës së 200 metrave. Por, prej presionit të IOC-së dhe faktit se mund të rrezikonte penalizime, ku masa më e vogël ndëshkimore ishte gjoba financiare, Blake u detyrua t’a hiqte orën me vlerë 500 mijë dollarë, kur garoi në finalen e 200 metrave.





