Qeveria miraton kuotat për edukimin me kohë të pjesshme dhe në distancë

Këshilli i Ministrave miratoi sot kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, në vitin akademik 2012-2013.

Vendimi parashikon që kuotat e pranimeve në këto institucione të jenë 10 045 kuota, duke u rritur me 695 kuota më shumë se viti i kaluar akademik. Për aplikantët nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi, nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës janë parashikuar 400 kuota në vitin akademik 2012-2013. Për ish të përndjekurit politikë, për të verbrit, komunitetin rom dhe ballkano-egjiptian janë planifikuar të jepen kuota të veçanta pranimi, në programe të ndryshme studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë.

Me poshte po japim te plote vendimin e miratuar ne mbledhjen e Qeverise.

V E N D I M

PËR

KUOTAT E PRANIMEVE NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË PËR STUDIMET E CIKLIT TË PARË, ME KOHË
TË PJESSHME, E TË EDUKIMIT NË DISTANCË,  NË VITIN AKADEMIK 2012-2013 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 33, 35, 36 e 75, të        ligjit nr.9741, datë 21.5. 2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidëve të punës”, të ndryshuar, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”,  të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8098,    datë 28.3. 1996, “Për statusin e të verbrit ”, të ligjit 104/1992, “Ligji kuadër për asistencën, integrimin social dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, të ligjit nr.7748, datë 29.7. 1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politike nga sistemi komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

Me poshte po japim te plote vendimin e Qeverise.

V E N D O S I:

1.    Kuotat e përgjithshme të pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2012-2013,  të jenë 10 045, të cilat ndahen, si më poshtë vijon:

a)    Kuotat  e pranimeve të reja, në programet e studimit
të ciklit të parë, më kohë të pjesshme                9165;

b)    Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit
të ciklit të parë, të edukimit në distancë                   40;
c)    Kuotat për transferim studimesh                    200;

ç)   Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit         400;

d)    Kuota për personat që nuk shikojnë                  20;

e)    Kuota për romët/ ballkano-egjiptianë                  20;

ë)   Kuota për të përndjekurit politikë                    150;

f)    Kuota për shtetasit e  huaj                           50.

2.    Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, sipas shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1, të këtij vendimi, shpërndahen sipas tabelës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.

Kuotat e çdo programi studimi ndahen në raportin 7:3, përkatësisht 70 % të tyre, për pranimet e reja, për programe të para studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, dhe 30 % për pranimet e reja për programe të dyta studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme.

3.    Kuotat për transferim studimesh, të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve publike të arsimit të lartë.

4.    Kuotat e përcaktuara në shkronjën  “ç” të pikës 1, të këtij vendimi, për kandidatët shqiptarë nga Republika e Kosovës, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, pasqyrohen në tabelën nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi.

Kandidatët nga Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Rishpërndarja e kuotave të paplotësuara kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke marrë parasysh edhe kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë.

5.    Kuotat e pranimeve për personat që nuk shikojnë ndahen, për kandidatët me statusin për personat që nuk shikojnë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e të Verbërve.

6.    Kuotat e pranimeve për romët dhe ballkano-egjiptianët ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare të Romëve dhe Shoqata Kombëtare e Ballkano-Egjiptianëve, të vërtetuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

7.    Kuotat e pranimeve për të përndjekurit politikë ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe plotësimit të kritereve të vendosura nga institucionet publike të arsimit të lartë.

8.    Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, të përcaktuara në shkronjën “f”, të pikës 1, të këtij vendimi, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe  Shkencës nga personat e interesuar.

9.    Çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron diplomë të maturës shtetërore, dëftesë pjekurie apo çdo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, ka të drejtë të aplikojë për në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, dhe edukimit në distancë, në institucionet publike të arsimit të lartë.

Kandidatët që zotërojnë dëftesë pjekurie apo diplomë të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme  me të, duhet të kenë fituar provimet me zgjedhje dhe të paraqesin në aplikim certifikatën përkatëse të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

10.    Transferimet e studentëve në numrin përkatës të kuotës, të përcaktuar shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, bëhen nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë, në përputhje më kriteret e përcaktuara e të bëra publike paraprakisht.

11.    Kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, brenda kuotës së përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, e fitojnë këtë të drejtë, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë e të bëra publike paraprakisht.

12.    Tarifat e shkollimit për të gjitha programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, për vitin akademik 2012-2013, të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

13.    Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard