Mbi 1 milion shtetas të huaj vizitojnë Shqipërinë, pjesa më e madhe nga Kosova

Mbi 1 milion shtetas të huaj kanë hyrë në territorin shqiptar në periudhën 1 qershor-31 korrik 2012, bëri të ditur Policia e Shtetit përmes një deklarate zyrtare. Ndërsa në total, duke përfshirë edhe shtetasit shqiptarë, në këtë periudhë të vitit kanë hyrë nga pikat e kalimit kufitar 1.775.808 persona, ose 138.888 më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Policia e Shtetit bëri të ditur se gjatë sezonit turistik ka marrë të gjitha masat e nevojshme në drejtim të garantimit të sigurisë publike në të gjithë zonat turistike të vendit, parandalimit të aksidenteve automobilistike dhe rritjes së sigurisë rrugore, rritjes së standardeve të shërbimit në Pikat e Kalimit Kufitar, sigurimit të një shërbimi policor në përputhje me Kodin e Etikës së Policisë, si dhe ofrimit e sigurimit të ndihmës ndaj komunitetit në çdo rast nevoje.

Po kështu bëhet e ditur se strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit kanë marrë të gjitha masat për forcimin e regjimit të ruajtjes dhe kontrollit të kufirit, krijimit të lehtësirave gjatë procesit të përpunimit, duke shtuar sportelet pranë pikave të kalimit Kufitar, si dhe duke bashkëpunuar ngushtë me shërbimet e tjera qe operojnë në kufi, si dogana, shërbimi fito sanitar, si dhe me operatoret turistike.

“Në Pikat e Kalimit Kufitar, gjatë periudhës 1 qershor- 31 korrik 2012 kanë hyrë 1.775808 shtetas, nga të cilët 715.808 shtetas shqiptarë dhe 1.060000 shtetas të huaj. Krahasuar me vitin 2011 rezulton se gjatë këtij sezoni kanë hyrë 138.888 shtetas më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2011. Ndërkohë që vetëm gjatë ditëve të para të muajit gusht 2012 kanë hyrë në territorin e Shqipërisë 333. 579 shtetas”, thuhet në deklaratën zyrtare të policisë.

Sipas saj, gjatë këtij sezoni turistik vihet re një rritje e shtetasve të huaj që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë. Përpos shtetasve kosovarë, numri i të cilëve është mjaft i madh, deri tani kanë hyrë gjithashtu 114.270 shtetas maqedonas, 47.910 shtetas grekë, 34.878 shtetas Italianë,  31.230 shtetas gjermanë, 28.035 shtetas anglezë, 22.049 shtetas zvicerianë,  si dhe mjaft shtetas suedezë, polakë, francezë, belgë, etj. Pjesa më e madhe e këtyre vizitorëve të huaj kanë preferuar turizmin malor në Shqipëri.

Gjithashtu, si rezultat i shtimit të madh të fluksit të lëvizjes së automjeteve në akset rrugore gjatë këtij sezoni,  është bërë përforcimi me forca shtesë i shërbimeve të policisë në segmentet rrugore më problematike me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit bëri të ditur se vetëm gjatë fundjavës së kaluar, në territorin e Shqipërisë kanë hyrë mbi 21.000 automjete.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard