Berisha: Referendumi popullor për imunitetin, sipas Kushtetutës! Rama bllokoi statusin e vendit kandidat

Kryeministri Sali Berisha, gjate mbledhjes se qeverise
Kryeministri Sali Berisha shprehu vendosmërinë e mazhorancës për zhvillimin e një referendum popullor për heqjen e imunitetit, ndërsa akuzoi kreun e opozitës, Edi Rama, se me bllokimin që i bëri ndryshimeve kushtetuese, bllokoi për të tretën herë rradhazi marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria për në Bashkimin Europian.
Seanca e djeshme parlamentare dhe cështja e imunitetit ishin temat kryesore të fjalës së Kryeministrit Berisha në mbledhjen e përjavshme të Qeverisë. Ai deklaroi se referendumi për heqjen e imunitetit do të bëhet në respekt të plotë të Kushtetutës, ndërsa shtoi se koha kur do të zhvillohet do të përcaktohet nga Komisionet përkatëse. Berisha theksoi se në vend ka politikanë që nuk pranojnë të heqin mburojën e imunitetit, ndërsa theksoi se ky prioritet i vendosur nga Bashkimi Evropian duhej të arrihej me konsensus të plotë. “Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bllokoi për të tretën herë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Bllokimi i heqjes së imunitetit nuk pengon dot vullnetin e qytetarëve. Rama duhet të mbrojë interesat e socialistëve dhe qytetarëve . Zyrtarët e BE na thanë bëhuni burra dhe tregoni se nuk keni frikë nga vetja juaj, hiqni imunitetin. Shqiptarët tashmë do shprehen me referendum popullor, pavarësisht vështirësive, referendumi do bëhet sipas Kushtetutës ndaj Këshilli Legjislativ i Parlamentit të hartojë platformën për referendumin”, u shpreh Berisha.
Duke analizuar më në thellësi diskutimet e djeshme parlamentare, Kryeministri vuri në pah faktin se “pavarësisht se per variantin ishte rënë dakord mes forcave tona politike, Edi Rama dhe klubi i miliarderëve nuk pranuan dje që të votojnë atë projektligj të përgatitur në çdo gërmë me konsensus të plotë dhe me propozimet e PS”. “Megjithëse vetë shtypi i opozitës informoi qytetarët e këtij vendi se 94% e qytetarëve ishin për heqjen e imunitetit, megjithëse socialistët në seancën e parlamentit, në Komisionin e Integrimit, në marrëveshjen e muajit nëntor, në të gjitha rastet kishin mbështetur heqjen e imunitetit si një kërkesë kryesore për statusin e vendit kandidat por dhe si një vullnet për një nivel të ri transparence në vend. Ishte Edi Rama dhe klubi i miliarderëve që nuk pranuan dje që të votojnë atë projektligj të përgatitur në çdo gërmë me konsensus të plotë dhe në propozimet e PS” u shpreh Kryeministri.
Një tjetër cështje për të cilën Kryeministri Berisha bëri komentet ishte edhe tek situata në hidrocentralet e vendit. Berisha u shpreh se janë me dhjetëra hidrocentarle në ndërtim e sipër, ndërsa 120 HEC-e të tjerë janë në procesin e marrjes së lejes apo në fillesat e tyre.
“Këtij hovi të madh në zhvillimin e tyre duhet ti përgjigjemi me mbështetje më të madhe. Energjia është përparësia jonë, është dega më e përparuar, është investimi më i shkëlqyer që bëhet për ne dhe ata që vijnë pas nesh, është shtylla më e fuqishme e zhvillimit të qëndrueshëm të një vendi. Në një hark kohor të shkurtër 4-5 vjeçar, shqiptarët do kenë në prodhim prej 1420 kë shtesë energji elektrike, në një kohë që çmimi i energjisë elektrike shkon gjithnjë e në rritje. Energjia nga uji mbetet energjia me koston më të ulët dhe qytetarët shqiptarë do kenë mundësi të përballojnë dhe të mbajnë çmime të arsyeshme për shkak të kostos së ulët të energjisë. Shqiptarët do kenë mundësi që kostoja e energjisë të rëndojë më pak se në të gjitha vendet e tjera në botë”, deklaroi Berisha.
Me poshte fjala e plote e Kryeministrit per ceshtjen e imunitetit gjate mbledhjes se Qeverise.
“Natyrisht në këtë mbledhje nuk mund të mos jetë kryefjalë e komunikimit me publikun, përpjekja jonë e re, e madhe, për një nivel të ri transparence në politikën shqiptare, i domosdoshëm për standardet europiane, por i domosdoshëm edhe për standardet e një vendi të qytetëruar.
Pas dhjetë vitesh përpjekjesh të ndershme, të bëra në opozitë dhe tani në qeverisje; pasi u pranuan një për një të gjitha propozimet e Partisë Socialiste, me qëllimin më të mirë që vendimi për heqjen e imunitetit të ishte një vendim konsensual, një vendim që nuk synonte përbaltjen e askujt, përkundrazi, synonte një akt dinjiteti e kuraje, me të cilin ne, imunitarët e këtij vendi, do t’u tregonin shqiptarëve se hodhëm mënjanë mburojën e imunitetit; pavarësisht se varianti i rënë dakord midis dy forcave tona të mëdha politike pati shmangie nga varianti i përgatitur nga ekspertët ndërkombëtarë, që për mua ishte varianti më i mirë, më i drejtë e më i ndershëm, sërish varianti i dytë kishte meritën e madhe se kishte brenda një marrëveshje e konsensus të gjerë; edhe pse vetë shtypi i opozitës informoi se 94 përqind e qytetarëve ishin për heqjen e imunitetit; edhe pse socialistët në seancën e parlamentit, në Komisionin e Integrimit, në marrëveshjen e muajit nëntor, në të gjitha rastet kishin mbështetur heqjen e imunitetit, si një kërkesë kryesore për statusin e vendit kandidat, por edhe si vullnet për një nivel të ri transparence në vend, zoti Rama, klubi i miliarderëve të Partisë Socialiste, nuk pranuan dje që të votonin atë projektligj, të përgatitur në çdo germë, me konsensus të plotë e me propozimet e Partisë Socialiste.
Natyrisht, nuk ishte ky lajmi që prisnin qytetarët shqiptarë, nuk ishte ky qëndrimi që ata prisnin nga politikanët e tyre, nuk ishte ajo që meritojnë qytetarët e këtij vendi. Zoti Rama mori përsipër një përgjegjësi të paimagjinueshme: të bllokojë për të tretën herë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, duke i thënë Europës që unë nuk pranoj heqjen e imunitetit, me fjalë të tjera, unë do ta mbaj këtë mur si një mur korrupsioni, si një mur që nuk lejon hetimin e lirshëm të ofiqarëve imunitarë të vendit. Nuk ka mesazh më negativ se ky. Të dashur qytetare e qytetarë, ky vend ka marrë mbi 1 miliardë euro nga taksapaguesit europiane nëpërmjet Komisionit Europian. Natyrisht, gjëja e parë që zyrtarët e lartë të Brukselit janë të detyruar të konsiderojnë është si përdoren këto para, nëse përdoren në interes të qytetarëve shqiptarë, apo për të mbushur xhepat e qeveritarëve shqiptarë. Në Kroaci, sot ka një hetim pikërisht për këto para. Nuk ka përse të paguajnë taksapaguesit europianë për xhepat e qeveritarëve, deputetëve e gjyqtarëve shqiptarë. Por, edhe nëse nuk do të ishte kjo, nuk ka diskutim që interesi i qytetarëve është i njëjtë dhe ne që duam të ecim drejt tyre, duhet të pranojmë standardet transparente. Ata na thanë hiqeni mburojën e korrupsionit. Bëhuni burra e gra kurajozë e tregoni se nuk keni frikë nga ligji, se nuk keni frikë nga vetja juaj, nuk keni frikë nga veprimtaria juaj. Kërkesa është e thjeshtë, ashtu siç kanë bërë pothuajse të gjitha vendet e lira dhe që është një proces, i cili ka ardhur gjithnjë duke u thelluar. Çfarë do t’u thotë qeveria italiane taksapaguesve të saj, për ndihmat që i jep Shqipërisë, në një kohë që drejtësia italiane ndjek çdo autoritet të vendit të saj, nga kryeministri e poshtë, pa pengesa. Mund ta konceptojnë taksapaguesit amerikanë, një kohë kur drejtësia tyre ndjek edhe presidentin në detyrë, pa folur pastaj për të tjerët! Mund ta konceptojnë këtë taksapaguesi britanik, francez apo gjerman! Dje zotërinjtë e opozitës merrnin për shembull Severin [kryeministri i Rumanisë], por edhe Rumanisë i kërkohet të ecë në këtë mënyrë. Sllovakia që ende nuk e kishte bërë, e realizoi këtë akt fisnik e të rëndësishëm.
Janë dhjetë vjet përpjekje të vazhdueshme e shumë të ndershme, të bëra kur ishim në opozitë, përpjekje të bëra sapo erdhëm në pushtet, përpjekje të bëra me vendosmërinë më të madhe në 2008, kur po bëheshin ndryshimet kushtetuese, por që u hodhën poshtë me argumentin se imunitetin do ta lëmë për një herë tjetër. Në muajin prill duhej të mblidhej në Tiranë, seminari ndërkombëtar për imunitetin në Shqipëri. Partia Socialiste kërkoi të mos bëhej, me argumentin se duhet të merremi me reformën zgjedhore dhe nuk duhet t’i ndërlikojmë gjërat. Pastaj bërtasin përse Berisha nuk e solli më parë, nismën. Seminari u shty për në javën e parë të muajit maj, por nuk u bë dhe u shty sërish për në javën e fundit të majit, por sërish PS-ja nuk pranoi, derisa ekspertët ndërkombëtar bënë publike dokumentet e tyre, me të cilat përcaktuan qëndrimet e tyre ndaj imunitetit në Shqipëri.
Nuk kam dashur në asnjë rast që kjo të bëhej çështje debati të ashpër politik, përkundrazi, doja që ky të ishte një faktor konsensusi e mirëkuptimi. Faktikisht, mbrojtja patologjike që i bëri dje, në parlament, Partia Socialiste, murit të imunitetit, për pasojë murit të korrupsionit, do të shkruhet me germa të zeza në muret e kohës e historisë së parlamentit shqiptar e do të nxijë, derisa imunitarët e Shqipërisë të barazohen me qytetarët e tyre para ligjit.
Në këto rrethana, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse midis një akti votimi të dështuar që kërkonte 96 vota dhe shumica ishte larg këtyre votave, midis një akti për të larë duart dhe shtytjes përpara të procesit për një nivel të ri transparence, mbetet rrugë e vetme t’u drejtohemi shqiptarëve në një referendum popullor. Pavarësisht nga disa vështirësi të padiskutueshme, referendumi do të bëhet në respekt të plotë të Kushtetutës, në germë e frymën e saj. Asgjë nuk mund të ndalojë e pengojë që të dëgjohet zëri i qytetarëve shqiptarë.
Ndaj do t’i kërkojmë Këshillit Legjislativ të parlamentit të elaborojë platformën për hapat e mëtejshëm të këtij akti madhor, me të cilin qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të shprehen. Zëri i tyre duhet të dëgjohet. Verdikti i tyre duhet të respektohet. Përse ne i lejojmë vetes kaq të drejta që na i delegojnë ata, për të marrë me dhjetëra e qindra vendime ndërsa ata të mos kenë të drejtë të marrin një vendim për ne, përveçse kur hedhin votën e na zgjedhin. Edhe ata do të kenë të drejtën e plotë të flasin për ne. Kush ka frikë të dalë mënjanë, të ikë nga politika. Ka frikë nga vetja e tij.
Zoti Rama harron se për çdo qytetar shqiptar është e qartë si drita e dielli se bllokimin dje, të shembjes së murit të korrupsionit dhe bllokimin e statusit të vendit kandidat nuk e bënë qytetarët shqiptarë, socialistët e thjeshtë, demokratët apo qytetarët pa parti, por e bënë kryekëput interesat e lidhura me pasuri të paligjshme, me taksa të fshehura të mamasë, babait apo dajkos, duke përdorur imunitetin, me trafiqe të paligjshme, përfshirë edhe “pluhurin” e trafiqe të tjera kriminale, e bënë përfitimet e paligjshme mbi trojet publike e toka të tjera të grabitura. Kam respektin më të madh për të gjithë ata që pasurohen në mënyrë dinjitoze e të ligjshme, por nuk mundet që një grup miliarderësh, që sheh vetëm interesat e tij në krye të PS-së, të mposhtë e të shkelmojë mbi vullnetin e qytetarëve shqiptarë, për të parë zyrtarët e tyre pa imunitet, mbi një akt transparence të madhe. Sigurisht që është shumë e nevojshme që parlamenti të ketë biznesmenë, sepse ata sjellin zërin e promotorit të zhvillimit të vendit, por a keni dëgjuar ndonjëherë Fidelin [Ylli] të shqiptojë fjalën biznes apo klimë biznesi në parlament, apo që t’i thotë kryetarit të tij të mos sulmojë çdo ditë bizneset e huaja. As edhe në një rast të vetëm! E keni dëgjuar ndonjëherë kupolën e PS-së, miliarderët e saj të flasin për interesat e biznesmenëve, qoftë edhe të thonë se qeveria po tregohet klienteliste? Kurrë ndonjëherë! Për ta, përveç pasurimit të tyre të paligjshëm, nuk ekziston kush e asgjë tjetër. Unë i them zotit Rama se ai është aty, për të mbrojtur interesat e socialistëve e qytetarëve, për të dëgjuar zërin e tyre dhe jo zërin e Koços [Kokëdhima] që e ka shndërruar de factonënkryetar të Partisë Socialiste dhe i cili ka një ksenofobi ndaj investitorëve të huaj dhe investimeve në tërësi. Faktikisht, vendimmarrës de facto është ai, madje më kanë thënë se gjysmën e Kurbanit, zoti Rama ia kushton këshillave që ai i jep çdo ditë. Të paktën t’i japë këshillë pozitive.
Ndaj do të ecet drejt referendumit popullor, duke respektuar plotësisht të gjitha përcaktimet ligjore e kushtetuese për referendumin. Koha e zhvillimit të referendumit do të përcaktohet nga institucionet përkatëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese dhe institucionet e tjera. Natyrisht, ky referendum kërkon t’u japë të drejtën e fjalës qytetarëve, pasi deputetët e tyre nuk plotësuan kërkesën më legjitime të tyre. 6 gushti do të mbetet në histori si një datë, në të cilin kryetari i Partisë Socialiste dhe një grup miliarderësh, që sundon me dorë të hekurt në atë parti, nuk lejoi grupin parlamentar që të votojë në favor të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, që nuk lejoi grupin parlamentar të votojë për të shembur murin e korrupsionit të zyrtarëve, që rëndon çdo ditë mbi shpatullat e fëmijëve, grave, burrave, pensionistëve, të papunëve, më rëndë sesa pallatet e grupit të miliarderëve.
Vendosmëria jonë është e plotë për të ecur drejt konsultimit, dëgjimit dhe votimit të qytetarëve shqiptarë, në një referendum popullor, për një çështje do të thosha jetike për transparencën. Nuk mund të pretendohet se transparenca ka arritur në nivelet e saj, në një kohë kur qeveritarët, deputetët, gjyqtarët janë të veshur me mburojë imuniteti.
Ky është mesazhi që unë dëshiroj t’u përcjell nga kjo mbledhje qytetarëve shqiptarë. I garantoj se sot jam më i vendosur se dhjetë vite më parë, për të vazhduar me ta këtë betejë të ndershme, në interesin më të mirë të çdo qytetari.”




