Imuniteti, PD-PS vijojnë akuzat e ndërsjella në Kuvend
Deputetët e pozitës dhe opozitës vijojnë të debatojnë në Kuvend në lidhje me heqjen e imunitetit, ndërsa nuk kanë munguar akuzat e ndërsjellta mes tyre. Deputetët e opozitës kanë vënë theksin se nuk do të pranojnë që Kushtetuta e vendit të ndryshohet dy herë brenda një muaji, njëheerë në gusht dhe njëherë në shtator. Por për mazhorancën, séanca e sotme është historike dhe solemne.
Në njërën anë deputetët e mazhorancës, Aldo Bumci, Arenca Trashani, Mark Marku e Eduard Halimi dhe në anën tjetër Sajmir Tahiri, Valentina Leskaj, Ditmir Bushati, Arta Dade, kanë akuzuar palët kundërshtare në lidhje me imunitetin. Ndonëse si mazhoranca dhe opozita në parim janë shprehur dakort për heqjen e imunitetit, duket se më i rëndësishëm sesa ky process është data se kur Kuvendi duhet të votojë ndryshimet Kusshtetuese.
Kryeministri Sali Berisha duke marrë fjalën për herë të dytë në seancë, ka kërkuar sërisht nga opozita që të heqë dorë nga bllokimi dhe të votojë draftin konsensual për heqjen e imunitetit. Berisha është vënë nën akuzat e opozitës, jo vetëm për periudhën që po qeveris vendin, por edhe për vitet 1992-1997 kur ai mbante postin e Presidentit të Republikës. Por në përgjigje të akuzave, Berisha u shpreh se nuk mundet që të mbrojmë veten duke gënjyer. Në këtë kuadër, Kryeministri kërkoi votimin për heqjen e imunitetit, ndërsa shtoi se séance e sotme parlamentare duhet të ishte ajo e të vërtetave politike. Berisha gjithashtu ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, sipas të cilës data 6 gusht për caktimin e seancës është vendosur vetëm e vetëm për kapital politik.
“Në emër të atij parimi universal që është barazia para ligjit kemi miratuar ligje e marrëveshje dhe sot këtu jemi për të miratuar ligjin për veten tonë. Kjo është seancë historike në të cilën ne nuk mund dhe nuk duhet që një çështje të tillë që pasqyrohet direkt mbi moralin tonë dhe mbi vullnetin tonë ta shndërrojmë në një seancë ku përpiqemi të gënjejmë për të mbrojtur veten në çdo gjë dhe në çdo skaj”, tha Berisha. Në vijim të debatit me deputetët e PS-së, Berisha tha se “ju thoni se jeni dakort për të hequr imunitetin, por nuk votoni për heqjen e tij”. Madje në fjalën e tij, Kryeministri është treguar i ashpër, teksa theksoi se “edhe kur revolet tona imunitare shtrijnë përdhe ne nuk jemi vrasës, revolet tona nuk janë vrasëse, janë revole imunitare. Ne na pëlqen pluhuri i bardhë dhe veturat që e transportojnë atë nuk preken se janë vetura imunitare. Pallatet tona janë imunitare, mund ti japë të gjitha thotë Sadri Abazi por imunitetin nuk e lëshoj. Ne bëjmë gjithçka por nuk dënohemi se kemi ligj që na mbron”, vijoi më tej Berisha.




