Imuniteti, ministrat-PS: Votoni heqjen e imunitetit, po bllokoni statusin e po ndëshkoni shqiptarët

Debatet në Kuvend përsa i takon heqjes së imunitetit për të gjithë zyrtarët që e gëzojnë atë, kanë angazhuar si rrallëherë në fjalime pothuajse të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar. Ministrat Bregu, Olldashi, Bode, Noka, Bumci, Halimi, Pollo e Imami kanë akuzuar kreun e opozitës, Edi Rama, si personin që po pengon konkretizimin me votim në Kuvend të heqjes së imunitetit.

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u shpreh se i vetmi detyrim brenda pikës 8 për luftën kundër korrupsionit, vazhdon të mbetet heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë. “Nuk duhet që përsëri të vazhdojë i njëjti avaz e zakon i vjetër me bllokimin. E lidhim heqjen me statusin? Sigurisht që po. Sot jemi mbledhur për datën 6 gusht për të votuar heqjen e imunitetit. Duhet të votoni e të mos bllokoni, që qytetarët të na besojnë se votojmë për interesat e tyre. Ju duhet të votoni, jo të bllokoni. Shqiptarët duan heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë”, tha Bregu, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës. Ajo theksoi se opozita vazhdon të mos votojë heqjen e imunitetit edhe pas mbylljes së reformës zgjedhore. “Edhe pas mbylljes së reformës zgjedhore, ju nuk e votoni heqjen e imunitetit. Në çdo dokument të prodhuar nga ndërkombëtarët, heqja e imunitetit është kusht i domosdoshëm. Të gjitha këto deklarata janë deklarata të cilat janë përcjellë në një retorikë politike”, tha ajo.

Ndërkohë, ministri i Transporteve,Sokol Olldashi, u shpreh se deputetët e PS thonë se kanë vullnet për të votuar, por nuk po e shprehin. “Ne kërkojmë që të ndryshojmë skemën e imuniteteve dhe skemën e drejtësisë. Ju keni qenë kundër Partneritetit të Paqes që në `92. Ju e konsideroni qeverinë tonë si armike dhe jo si kundërshtar. Kërkoni të përbaltni gjithçka, duke thënë se e gjithë klasa politike është e korruptuar” deklaroi Olldashi.

Për ministrin e Financave, Ridvan Bode, deputetët e opozitës po bllokojnë miratimin e një p/ligji që vetë e kanë hartuar. “Ne vijmë në parlament me propozimin e bërë nga PS.Korrupsioni është përdorim i pushtetit publik dhe ai matet me perceptimin e qytetarëve. Heqja e imunitetit krijon kushte për të luftuar korrupsionin.Çështja e imunitetit lidhet ngushtë me proçesin e korrupsionit dhe mosvotimi i imunitetit nga ju do i shkaktojë shqiptarëve dëme. PS nuk është e interesuar për të luftuar korrupsionin.Lufta kundër korrupsionit është çështje proçedurash”, tha Bode.

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në fjalën e tij u shpreh se mosvotimi i heqjes së imunitetit do të bllokojë për herë të tretë statusin e vendit. Sipas tij, tashmë është koha që me votë deputetët t`i thonë po heqjes së imunitetit. “Kryetari juaj kur ka parë që PD pranoi draftin me propozimet tuaja paraqiti pretendime të reja, edhe më të forta, duke zbuluar më në fund arsyen e vërtetë pse ju nuk votoni dot heqjen. E para, dëshira e kryetarit për të bllokuar statusin dhe kjo siç e dinë të gjithë nuk është se ndodh për herë të parë, është hera e tretë që ai bën përpjekjet për të bllokuar statusin. E dyta, tendenca që ka kryetarit për të rrëzuar pushtetin e shumicës dhe për të imponuar vullnetin e pakicës”, tha Noka. Sipas tij, shumica e deputetëve të opozitës kanë marrë urdhër që të mos ndryshojnë asgjë nga qëndrimi i vjetër. “Edhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar ka një njeri që nuk ka ndryshuar fare, është kryetari juaj, i cili vazhdon të jetë i ndukur thellë në bunkerin e vetizolimit, vazhdon të fshihet sa më thellë në guaskën e imunitetit. Më vjen keq që shumë prej jush po vazhdoni në të njëjtën linjë dhe kur vjen puna që ju themi hiqni imunitetin, ju ktheheni pas e thoni jo nuk e heqim imunitetin. Ky mur është pengesa kryesore në luftën kundër korrupsionit që ju herë pas here edhe flisni”, theksoi ai.

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, e cilësoi imunitetin si një pengesë serioze në luftën kundër korrupsionit dhe aspak si një mbrojtje të demokracisë. Imami e konsideroi si të papranueshëm qëndrimin e opozitës mbi një draft të hartuar prej vetë asaj, ndërsa shtoi që kushtet e vendosura nga PS mbi kushtin e vendosur nga BE është tërësisht i papranueshëm.

Për ministrin e Inovacionit, Genc Pollo,  opozita nuk duhet të nxjerrë justifikime për heqjen e imunitetit, pasi në Konferencën e Kryetarëve, ku u vendos data 6 gusht për miratimin e draftit, asnjë prej përfaqësuesve të PS-së të pranishëm në atë mbledhje nuk shprenë kundërshtime. Pollo më pas akuzoi kreun e opozitës, Edi Rama, si përgjegjës për bllokimin e situatës, ndërsa theksoi se ai ka arsye objective për ta bërë një gjë të tillë. Kryetari i PS-së ka arsye objektive, nuk them se është malinj nga natyra, apo dashakeq me popullin e tij, por ka një leverdi thjesht elektorale, çdo opozite në botë i intereson të shkojë drejt zgjedhjeve me një frymë pesimizmi të përhapur. Për arsye natyrale historike Shqipëria ndodhet në 100 vjetorin e pavarësisë së saj dhe ky është një rast të festojmë të gjithë, pavarësisht se për kë votojmë “, tha ministri Pollo.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard