Dështon seanca për imunitetin, Berisha shpall referendumin

Kuvendi nuk hodhi për votim në seancë plenare heqjen e imunitetit, ndërkohë që kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar mbajtjen e një referendumi popullor. “Nesër do t’i drejtohemi popullit për një referendum qytetar për heqjen e imunitetit. Do të jetë një votim plebishitar për shembjen e murit të turpit”, tha Berisha, pas dështimit të votimit për heqjen e imunitetit.

“Duhet të pranonin barazinë para ligjit, të shembnin murin zyrtar të korrupsionit dhe të hapnin dyert e statusit kandidat. Rrallë ndonjëherë në historikun e këtij vendi ligjvënësit shqiptarë do mund të kishin merita dhe efekte të mëdha për zgjedhësit e tyre dhe të ardhmen europiane. Por mjerisht me gjithë rëndësinë jetike të këtij votimi për të çelur dyert e statusit në BE, sot nga 10 e 30 deri në këtë moment deputetët e opozitës ngritën tullë pas tulle gur pas guri murin e bllokimit, u zotuan se do bllokojnë votimin për heqjen e imunitetit, një akt i paprecedentë në historinë e parlamenteve të vendeve demokratike. Kjo seancë mbaron këtu dhe unë zotohem sot para jush se mazhoranca që nesër do të nisë procedurat për mbajtjen e një referendumi popullor për heqjen e imunitetit”, u shpreh në përfundim të sëeancës që zgjati për rreth 8 orë Berisha.

Në emër të grupit parlamentar të PS, deputeti Pandeli Majko tha se duhet të hiqet së pari imuniteti politik, sepse është ky imunitet që mban ligjin, drejtësinë dhe tremb prokurorinë e gjykatësin e çdo niveli. “Ne socialistët nuk do të votojmë ndryshimet kushtetuese. Nuk ndjehemi të lodhur për të votuar disa ndryshime kushtetuese. Sot shoqëria e publiku shqiptar ka nevojë të kuptojë realitetin përtej demagogjive, përtej korrupsionit. Kjo seancë nuk mund të jetë një betejë për fatin e opozitës”, tha Majko.  “PS u angazhua, debatoi në realizimin e një kompromisi për nenet e imuniteteve të gjyqësorit. Mëkat i opozitës ishte se propozoi disa ndryshime të tjera që konsistonin në mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë e prokurorit të përgjithshëm. Në vend të gjakftohtësisë PD, këtë periudhë e ka menaxhuar me inflacion deklaratash. Ajo që kërkoi opozita ishte e drejta për t`u shprehur për propozimet e saj, përgjigja ishte e prerë, JO. Opozitës iu lanë dy alternativa, ose të përballej me talljen dhe e dyta të pranonte mallkimin e mazhorancës si bllokuese e integrimiet në BE” tha më tej Majko.

Seanca e sotme u shoqërua me debate përsa i takon heqjes së imunitetit për të gjithë zyrtarët që e gëzojnë atë, ku si rrallëherë në fjalime janë angazhuar pothuajse të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar. Ministrat Bregu, Olldashi, Bode, Noka, Bumci, Halimi, Pollo e Imami kanë akuzuar kreun e opozitës, Edi Rama, si personin që po pengon konkretizimin me votim në Kuvend të heqjes së imunitetit.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard