Rrënjët e Presidentit Obama
Barak Obamën mund ta kuptosh krejtësisht, nëse kupton Havain”, tha Michelle Obama, bashkëshortja e presidentit të 44-t amerikan. Sepse lindja e Obamës në Paqësor është ndryshe nga pjesa tjetër e vendit.
Plazhe të bardha, ujë i pastër si kristali, muzikë e ëmbël, këmisha shumëngjyrëshe, hotele luksoze dhe shëtitore të mbushura plot, një idil pushimesh në Paqësor. Ky është Havai, së paku për turistët. Dhe meqenëse shteti më i ri nga 50 shtetet e SHBA-së jeton kryesisht nga turizmi, është ky imazhi që u ofrohet vizitoreve të plazhit Waikiki.
Më pak se dhjetë minuta me makinë nga Waikiki, në drejtim të veriut, Honolulu duket krejt ndryshe. Në lagjen Kapiolani makina të ndryshkura gjenden para shtëpive një ose dykatëshe, në ballkone janë varur rroba për t’u tharë. Muret prej betoni të rreshtit të dyqaneve në King Street janë të mbuluara me grafite. Dyqanet janë të vjetra dhe jo tërheqëse, disa të mbyllura qëkur. Në sfond ngrihen lart ndërtesat e larta të South Beretania Street. Ky është Havai i fëmijërisë së Barack Obamës.
Dyqani i akullores së Obamës sheshi i basketbollit janë akoma aty
Presidenti amerikan u lind me 4 gusht 1961 në spitalin Kapiolani, vetëm një rrugë më tutje, vitet e para i kaloi në Honolulu. Në një shtëpi me shumë kate në rrugën South Beretania jo larg spitalit ka banuar gjyshja e Obamës, deri sa vdiq në vitin 2008. Edhe Obama jetoi këtu nga viti 1971 deri 1979, pastaj nëna e tij, Stanley Ann Dunham, e mori me vete në Indonezi. Shkolla e tij të lartë, shkolla sprestigjioze Punahou, është vetëm disa rrugë më tutje.
Shtëpitë pranë shumëkatëshe, por edhe një apo dykatëshe nuk kanë ndryshuar që nga fëmijëria e Obamës, thotë DeSoto Brown. Ai është Historian në muzeun Bishop në Honolulu, që merret me historinë e ishullit. Dyqani i akullores, ku Obama si adoleshent fitonte paratë e xhepit, është sot akoma i hapur. Sheshet e basketbollit, ku ai ushtrohej për të bërë kosha, shfrytëzohen koma sot për stërvitje nga të rinjtë. Dhe ende këtu si në ishujt e tjerë të këtij shteti amerikan përzihen ndikimet kineze, japoneze dhe ndikimet e tjera aziatike me traditat polineziane: “Këtu nuk mund të rritesh pa u influencuar nga traditat joevropiane dhe joamaerikane”, mendon Brown.
Përzierje kulturash
Edhe gazetari Robert Kay pohon, se Obama “mishëron më të mirën e Havai-t, ai nuk është as arrogant dhe as mendjemadh”. Kay jeton prej gati 20 vjetësh në Havai, ai vjen nga San Francisco. Ai ka hapur një faqe interneti me informacione për “fqinjët e Obamës” dhe familjen e tij. Nuk ka dyshim se në Hawai secili duhet të mësojë të jetojë me kultura nga më të ndryshmet dhe të sillet me respekt ndaj secilës. Edhe vetë Obama ishte në Havai diçka e veçantë: Fëmijët me lëkurë të zezë përbënin përjashtim në ambjentin përreth tij.
Pastaj edhe fëmijëria në Indonezi dhe nëna, që e rriti e vetme: “Eshtë normale që ai të ketë një tjetër qëndrim ndaj pjesës tjetër të botës dhe popujve të tjerë se sa dikush, që është rritur në një mjedis, ku dominon një racë e vetme”, mendon historiani DeSoto Brown. Orientimi i politikës së jashtme amerikane në Azi nën Barack Obamën ka shumë arsye, që nuk kanë të bëjnë aspak me biografinë e tij. Por vështirë me siguri që ai nuk do ta ketë patur.
Fqinji president
Fëmijëria e tij ndryshon edhe në një aspekt tjetër nga historia e presidentëve të deritanishëm amerikanë. Barack Obama është rritur në një apartament krejt normal, dy dhoma gjumi, ballkon, në katin e 10-të të një ndërtese të lartë në rrugën South Beretania. Gjyshja e tij Madelyn Dunham është ngjitur nga sekretare në zëvendëspresidente të bankës së Havait, por ka jetuar gjithë jetën me qira. Ashtu si edhe gjyshja e Arnie Saiki. Edhe ai jetonte për disa në javë te gjyshja e tij në ndërtesën e lartë ngjyrë bezhë. Arnie është tre vjet më i madh se presidenti i SHBA-së dhe tregon, se ai duhej të shkonte dy herë në ditë në supermarket në qoshen e rrugës, për blerë mallra me çmime të zbritura.
Për gjyshen e tij presidenti Obama tha në vitin 2008 në Denver, kur pranoi kandidaturën presidenciale: “Prej saj kam mësuar se çfarë do të thotë të punosh fort. Ajo ka hequr dorë nga një makinë më e mirë, apo nga një fustan më i mirë, që unë të kisha jetë më të mirë.” Njerëzit në Havai janë të mrekulluar që presidenti ka patur të njëjtat përjetime si ata dhe ka ndjekur të njëjtën shkollë si dhe ata. Historiani DeSoto Brown shpjegon: “Fakti, që një president, i cili normalisht është shumë larg prej asaj, që përjetoj unë, ka jetuar me të vertetë të njëjtën gjë, ndoshta më ka shitur një akullore, ndoshta e kam parë në rrugë, më duket shumë i çuditshëm.”
Të bësh çdo ditë kompromise
Edhe Arnie Saiki flet për frymën e fortë të komunitetit në ishull. Këtu të gjithë duhet të punojnë së bashku, thotë ai. “Havai është një vend me shumë anë dhe për të arritur gjërat, shpesh duhet të bësh kompromise, jo vetëm përsa i përket gjuhës tende dhe ushqimit, por për të gjitha.” Secili nga grupet e emigrantëve ka sjellë me vete kulturën e vet dhe madje brenda një kohe shumë të shkurtër: Kinezët, japonezët, koreanët, filipinasit, portugezët. Kandidati për president Obama në vitin 2008 e bëri pikërisht këtë frymë komuniteti mesazhin qëndror të tij, kujton Arnie Saiki: “Ishte shumë interesante, që ai i është referuar shpesh kësaj ideje havaiane, që i bashkon njerëzit, demokratët dhe republikanët, si motiv unifikues.” Obama do të mësonte shpejt, që rreth 8.000 kilometra larg në Uashington DC nuk shkonte dot larg me këtë filozofi.
“Mentaliteti Aloha”
“Havaianët kanë kaluar një periudhë të gjatë të gjetjes së vetvetes dhe të kërkimit të identitetit”, tregon DeSoto Brown. Nga viti 1900 deri në vitet 1960-të shumica e havaianëve e shihnin vetem si amerikanë, që kishin rastësisht rrënjë havaiane. “Por që nga vitet 70-të, 80-të ata e shohin veten gjithnjë e më shumë në rradhë të parë si havaianë, që janë edhe amerikanë.” Dhe disa janë të mendimit se bashkimi me SHBA-në ka ndodhur kundër dëshirës së banorëve.”
“Ne jemi kontinenti”, thotë edhe senatori Brickwood Galuteria në zyrën e fushatës zgjedhore për Obamën në Honolulu, “dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për historinë tonë të dhimbshme.” Për Obamën jemi shumë krenarë, ai është një “local boy”, thotë me gëzim Galuteria. Ai shpreson, që biblioteka tradicionale, që ngrihet pas mandatit të një presidenti, të vijë në Hawai, ose së paku një pjesë e saj. Por Havai ka një konkurrent të fortë: Chicagon. Metropolin në shtetin federal amerikan Illinois, ku Obama nisi karrierën e tij politike dhe me të cilin Obama ndjehet së paku aq i lidhur sa me Havain. Ai ka mësuar heret, që të përshtatet. (DW)



