Bushati: Imuniteti, data 6 gusht jo kusht i Brukselit! Qeveria s’ka plotësuar detyrimet

Deputeti i PS, Ditmir Bushati

Partia Socialiste akuzon mazhorancën se po shpërdoron çështjen e imunitetit në funksion të nevojave të politikës së ditës. Përmes një deklarate për mediat, Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati, tha se përmes debatit në lidhje me imunitetet mazhoranca po synon të tërheqë vëmendjen nga problemet e mprehta ekonomike e sociale me të cilat përballet jeta e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi.

Duke hedhur poshtë deklaratat e mazhorancës, sipas të cilës, çështja e imunitetit është e vetmja pikë e paplotësuar nga Shqipëria në rrugën për marrjen e statusit, Bushati tha se “e vërteta është krejt tjetër, dhe për këtë mjafton të lexohet letra e Komisionierit për Zgjerimin Fyle, adresuar kryeministrit Berisha, apo deklarata për shtyp e Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri Ettore Sequi, ku listohen në mënyrë të sintetizuar arritjet e deritanishme dhe veprimet konkrete që duhen përmbushur deri në shtator, në mënyrë që të sigurohet një masë kritike reformash, të nevojshme për statusin e vendit kandidat”.

Sipas tij, nga 12 detyrat e shtëpisë që Komisioni Europian i ka lënë Shqipërisë, deri më sot janë përmbushur vetëm ato që kanë lidhje të drejtpërdrejt me kontributin e opozitës në këtë proces. “Si opozitë e sotme dhe qeveri e nesërme, në përputhje me angazhimet e marra përsipër në “Marrëveshjen e Nëntorit”, kemi ushtruar sensin e përgjegjësisë kombëtare duke bërë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë Shqipërisë shansin e merituar Europian. Këtë e treguam me punën për reformën zgjedhore, ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe zgjedhjen transparente të Avokatit të Popullit”, tha ligjvënësi socialist.

Në lidhje me datën e përcaktuar për votimin në Kuvend të heqjes së imunitetit, Bushati tha se “data 6 gusht nuk përfaqëson as ndonjë afat kohor të përcaktuar nga Brukseli, as ndonjë datë të shënuar, të vendosur bashkërisht e me konsensus nga forcat politike, për të votuar kufizimin e imunitetit”. “Data 6 gusht është thjesht dhe vetëm një datë, e përcaktuar në mënyrë të njëanshme nga Sali Berisha. Por çka është edhe më e rëndësishme, është se kufizimi i imunitetit në asnjë rrethanë nuk mund të barazohet me përmbushjen e detyrimeve që ka vendi ynë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për Sali Berishën kufizimi i imunitetit është një veprim ligjor që barazohet automatikisht me shembjen e murit të korrupsionit. Për ne, kufizimi i imunitetit është veçse pikënisja që duhet të shoqërohet me masa të qarta antikorrupsion për sa i përket kontrollit mbi kompanitë shtetërore ku shteti është aksioner, adresimin e konfliktit të interesit, kuadrin normativ në fushën e prokurimeve publike dhe të të gjithë sektorëve që vuajnë nga metastazat e korrupsionit, si: tatimet, doganat, sistemi shkollor, shëndetësor”, vijoi Bushati.

Sipas tij, për socialistët, kufizimi i imunitetit duhet shoqëruar me veprime kushtetuese e institucionale që krijojnë kushtet e përshtatshme për të siguruar gjurmë provash të pakundërshtueshme për çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë.

 

 

 

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard