Pensionet, kategoritë që përfitojnë dhe skema e rritjes

Pensioniste duke terhequr pensionin

Të gjithë pensionistët, në qytet apo në fshat, duke filluar nga data 1 korrik do të marrin pensionin së bashku me rritjen. Kjo u bë e ditur se Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, e cila gjithashtu ka shpjeguar edhe skemën e rritjes së pensioneve. Rritjen në masën 4% do e përfitojnë të gjithë pensionet e pleqërisë, pensionet familjare dhe të invaliditetit të qytetit, ndërsa rritjen në masën 5% do e përfitojnë të gjithë pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjar në fshat.  Po kështu, rritjen në masën 4% do e përfitojnë edhe të gjithë pensionet e ish-ushtarakëve, të caktuara dhe  rillogaritura sipas Ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, trajtimet e veçanta të pilotëve fluturues, të detarëve, të ish- punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake, të ish-punonjësve të nëntokës, si dhe pensionet suplementare të profesorëve.

ISSH thekson se, rritja e pensioneve ka filluar prej datës 1 korrik 2012. Kjo do të thotë se çdo pensionist që e ka tërhequr pensionin ditën e hënë pa rritje, do të mundë ta marrë në muajin gusht pensionin e rritur së bashku me shtesën për muajin korrik.

Sipas ISSH-së, edhe pas kësaj rritjeje, pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni, do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me Vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave si 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjestar të familjes, që është në varësi ekonomike te pensionistit etj.

Gjithashtu, pensionisti, do të vazhdojë të përfitojë nga politikat e kompensimit të pensioneve sipas VKM nr. 401, datë 21.06.2006, kompensim në masën 500 lekë dhe sipas VKM nr. 763, datë 27.12.2006 në masën prej deri 760 lekë në muaj dhe në masën 190 lekë në muaj, sipas Vendimit nr. 415, datë 27.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”, si dhe 200 lekë në muaj,sipas VKM nr. 474, datë 30.06.2010.

Në total, numri i përfituesve nga rritja e pensionit është  552 904 persona, nga të cilët 291.893 pensione pleqërie urbane, 50 167 pensione invaliditeti urbanë dhe 50 656 pensione familjare urbane. Në fshat përfitojnë 160 188 pensionistë, si dhe 30 900 persona nga programe speciale si ushtarakë, minatorë, punonjës të ish-industrisë ushtarake/pilotë/detarë dhe profesorë.

Pas kësaj rritje pensioni minimal në qytet do të jetë 11.562 lekë në muaj, ndërsa pensioni maksimal do të jetë 23.123 lekë. Ndërsa të ardhurat minimale për pensionin e plotë në qytet nuk mund të jenë më të vogla se 13.712 lekë në muaj dhe të ardhurat maksimale do të jenë 23.623 lekë.

Pensioni i plotë minimal në fshat do të jetë 7.841 lekë në muaj dhe pensioni maksimal në fshat është 11.562 lekë në muaj. Të ardhurat minimale në fshat arrijnë në 8.731 lekë në muaj. Më poshtë po japim të plotë skemën e rritjes së pensioneve dhe vendimin e qeverisë.

-    Të ardhurat minimale për pensionin e plotë në qytet  nuk mund të jenë më të vogla se 13.712 lekë në muaj;

−    Të ardhurat minimale për pensionin e plotë në fshat nuk mund të jenë më të vogla se 8.873 lekë në muaj;

−    Të ardhurat për pensionin maksimal në qytet bëhen 23.623 lekë.

Nga kjo rritje do të transferohet drejt buxheteve familjare të pensionistëve shuma 1.602 milionë lekë,  fond i cili është vënë në dispozicion të ISSH-së nga Qeveria.

Llogaritja e shtesës:

−    Të ardhurat totale mujore për pensionin e plotë minimal të pleqërisë llogariten jo më pak se 13.712 lekë në muaj;

−    Pensioni minimal i pleqërisë që është caktuar para datës 30.06.2012 përfshirë edhe këtë datë dhe që është në masën 11.117 lekë në muaj, në datën 01.07.2012 arrin në masën  11.562 lekë në muaj, pra pëson një rritje prej 445 lekësh në muaj, çka bën që të ardhurat minimale të pensionistit  të arrijnë në  13.712 lekë.

Kjo e ardhur përbëhet nga:

−    11 562 lekë, masa e pensionit minimal;

−    350 lekë kompensim nga VKM nr. 138, datë 31.03.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndeve djegëse”;

−    150 lekë kompensim nga VKM nr. 471, datë 15.07.1996 “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”;

−    500 lekë kompensim nga VKM nr. 401, datë 21.06.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”;

−    760 lekë kompensim nga VKM nr. 763, datë 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve;

−    190 lekë kompensim nga  VKM nr. 415,  datë 30.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”;

−    200 lekë kompensim nga  VKM nr. 474, datë 30.06.2010 “Për rritjen e pensioneve”.

11 562 + 350 + 150 + 500 + 760 + 190 + 200 = 13712 lekë.

Në këtë llogaritje nuk përfshihen ata pensionistë, të cilët përfitojnë kompensimin e energjisë elektrike në masën 640 lekë në muaj si çift pensionistësh apo pensionist i vetëm.

Pensioni i pjesshëm i pleqërisë, që është caktuar para datës 30.06.2012, duke përfshirë edhe këtë datë, që në datën e sipërshënuar që është psh 10. 608 lekë në muaj do të arrijë një total të ardhurash në masën 12 705 lekë në muaj.

Kjo e ardhur përbëhet nga:

−    10.608 lekë, masa e pensionit të caktuar;

−    350 lekë kompensim nga VKM nr. 138, datë 31.03.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”;

−    150 lekë kompensim nga VKM nr. 471, datë 15.07.1996 “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm;

−    500 lekë kompensim nga VKM nr. 401, datë 21.06.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”;

−    725 lekë kompensim nga VKM nr. 763, datë 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”;

−    181 lekë kompensim nga  VKM nr. 415,  datë 30.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”;

−    191 lekë kompensim nga  VKM nr. 474, datë 30.06.2010 “Për rritjen e pensioneve.”

10 608+350+150+500+725+181+191=12 705 lekë.

Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:

Ishte:

22 234 lekë + 350 + 150 = 22 734 lekë.

Bëhet:

23 123 lekë + 350 + 150 = 23 623 lekë.

Të ardhurat e pensionit të  plotë të fshatit:

Ishte:

7 468 + 200 + 690 = 8 358 lekë

Bëhet:

7 841+ 200 + 690 = 8731 lekë

Të ardhurat e pensionit maksimal të fshatit:

11 562+200 = 11 762.

 

VENDIM

Nr. 387, datë 27.6.2012

PËR RRITJEN E PENSIONEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 88 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të nenit 13 të ligjit nr. 10 487, datë 5.12.2011 “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Rritjen, në masën 4 për qind të:

a) pensioneve të caktuara sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe  ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përjashtuar pensionet e caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara në përputhje me ligjin nr. 7703,  datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr. 326, datë 21.6.1993 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;

 ç) pensioneve të caktuara me dekretin nr. 758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”;

d) shtesës mbi pension, të dhënë me nenin 33 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

dh) shtesave mbi pension, të dhëna me nenet 38, 39 dhe 48, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe me nenin 24 të ligjit nr. 4171, datë 13.6.1966  “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

e) pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr. 10 142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; 

ë)  trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara me ligjin nr. 8455, datë 4.2.1999 “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar dhe trajtimit të veçantë financiar të pilotëve fluturues sipas ligjit nr. 9128, datë 29.7.2003 “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”;

f) trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr. 9361, datë 24.3.2005 “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare në pension”;

g) trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë të caktuara sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar;

gj) trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr. 9179, datë 29.1.2004 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”;

h) pensioneve suplementare, të caktuara sipas ligjit nr. 10 139, datë 15.5.2009 “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë.”.

2. Rritjen, në masën 5 për qind, të pensioneve të caktuara në përputhje me ligjin nr. 4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Rritjen, sipas përcaktimeve në pikat 1 e 2 të këtij vendimi, e përfitojnë edhe pensionet  të cilat caktohen nga data 1.7.2012 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit apo trajtimit të jetë deri më 30.6.2012, përfshirë edhe këtë datë.

4. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96 të këtij ligji, që kanë datë fillimi nga 1.7.2012 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 11 562 (njëmbëdhjetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë në muaj dhe më shumë se 23 123 (njëzet e tri mijë e njëqind e njëzet e tre) lekë në muaj.

5. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.7.2012 e në vazhdim, nuk caktohen më pak se 7 841 (shtatë mijë e tetëqind e dyzet e një) lekë në muaj, por jo më shumë 11 562 (njëmbëdhjetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë në muaj.

6. Përfituesit e pensioneve dhe të ardhurave, të caktuara sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të caktuara në përputhje me         ligjin nr. 4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe me ligjin nr. 10 142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, me  datë fillimi deri më 30.6.2012, përfshi edhe këtë datë, edhe pas rritjes së pensionit të caktuar në pikat 1 e 2 të këtij vendimi, do të vazhdojnë të marrin kompensimin e çmimeve dhe kompensimin e të ardhurave mujore, sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 138, datë 31.3.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, nr. 471, datë 15.7.1996 “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”, nr. 401, datë 21.6.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr. 763, datë 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr. 415, datë 27.4.2009 “Për rritjen e pensioneve”, nr. 477, datë 30.6.2010 “Për rritjen e pensioneve” dhe nr. 17, datë 20.1.2007 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”.

7. Kompensimin e çmimeve, sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 138, datë 31.3.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, dhe nr. 471, datë 15.7.1996 “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”, do ta marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione me datë fillimi nga 1.7.2012 e në vazhdim.

8. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 401, datë 21.6.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr. 763, datë 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr. 415, datë 27.4.2009 “Për rritjen e pensioneve”, nr. 477, datë 30.6.2010 “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr. 17, datë 20.1.2007 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, do ta marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione me datë fillimi nga 1.7.2012 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave të jetë:

a) deri në 13 212 (trembëdhjetë mijë e dyqind e dymbëdhjetë) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë dhe pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi;

b) deri në 12 712 (dymbëdhjetë mijë e shtatëqind e dymbëdhjetë) lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare;

c) deri në 8 531 (tetë mijë e pesëqind e tridhjetë e një) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare, të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

9. Pas datës 1.7.2012 të ardhurat minimale:

a) të personave që përfitojnë pensionet e plota të pleqërisë dhe pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, përjashtuar ato të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk mund të jenë më të ulëta se 13 712 (trembëdhjetë mijë e shtatëqind e dymbëdhjetë) lekë në muaj;

b) të personave që përfitojnë nga pensionet e caktuara sipas ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972 “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk mund të jenë më të ulëta se 8 731 (tetë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) lekë në muaj dhe më të larta se 11 762 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë në muaj.

 10. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 1 602 milionë lekë, përballohen nga fondet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Kontingjencës, të parashikuara në buxhetin e shtetit të vitit 2012 dhe ndahen:

a) për mbulimin e pagesave të pensioneve, në shumën 1 586 milionë lekë;

b) për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga “Posta Shqiptare” sh.a., në shumën 16 milionë lekë.

11. Ngarkohen Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe “Posta Shqiptare” sh.a., për të nxjerrë udhëzimet teknike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.7.2012.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Leave a Reply

Log in | Designed by GSC