Provimi i Shtetit, Urdhri i Infermierit: 50 pike nga praktika. Procedurat e reja

Urdhri i Infermierit ka paraqitur kushtet e reja të kandidatëve të interesuar për të hyrë në Provimin e Shtetit. Ndërkohë Urdhri sqaron të gjitha hapat që duhet të ndiqen nga kandidatët për t’u regjistruar në Provimin e Shtetit dhe se çfarë parashikon në të vërtetë ky provim për matjen e aftësive praktike dhe si do të realizohet ai.

Udhri i Infermierit sqaron se të gjithë studentët që mbarojnë një program të akredituar për profesionet ‘infermier’, ‘mami’, ‘fizioterapist’, ‘teknik laboratori’, ‘teknik imazherie’ dhe ‘logopedist’, duhet që pas marrjes së kësaj diplome, të regjistrohen tek Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, i cili është edhe urdhri përkatës profesional, ku do të njihen me detyrimet që kanë për të plotësuar në zbatim të këtij ligji.

Këto detyrime fillojnë në fakt me realizimin e praktikës profesionale, për një periudhë jo më pak se 3 muaj. Duke u përmirësuar zbatimi i ligjit të lartpërmendur, duhet thënë se kjo praktikë ka ndryshuar tashmë nga vitet e tjera.

Konkretisht, studenti i diplomuar në degët e mësipërme, ditën që regjistrohet, merr librezën e praktikës profesionale. Në këtë librezë, janë të shkruara të gjitha udhëzimet dhe detyrimet që ai duhet të realizojë gjatë këtyre periudhës së praktikës. Përveç kësaj, aty janë edhe të gjitha temat të cilat do të jenë pyetje në provimin e posaçëm që do të bëhet për testimin e aftësive profesionale. Aty do të mbahen shënimet ditore përgjatë 12 javëve që studenti do të realizojë praktikën profesionale, të cilat do të firmosen çdo ditë nga drejtuesi i kësaj praktike.

Në fund fare, kjo librezë, pasi studenti ka realizuar 12 javët e praktikës profesionale, do të firmoset nga drejtuesit e saj, dhe do të vlerësohet me një numër pikësh të caktuara. Saktësisht, ato janë nga 10 deri në 25 pikë, të cilat do t’i njihen kandidatit gjatë realizimit të Provimit të testimit profesional. Ai e merr librezën dhe 10 ditë para datës së provimit, e dorëzon atë pranë urdhrit profesional dhe regjistrohet për dhënien e testimit profesional. Ky i fundit, jepet para një komisioni të posaçëm të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Infermierit, ku kandidatët do të përgjigjen me gojë dhe praktikisht, nëpërmjet manekinëve apo vendit ku do të zhvillohet provimi, pranë një fakulteti infermierie. Konkretisht, ata do t’u përgjigjen 5 pyetjeve, të cilat në fakt i kanë në programin e praktikës së tyre profesionale, pra u janë bërë të ditura paraprakisht.

Çdo pyetje vlerësohet nga 1 deri 25 pikë. Dhe pikët maksimale janë deri 100 pikë. Që kandidati të vlerësohet “Kalueshëm” dhe të regjistrohet pranë Provimit të Shtetit, ai duhet që të marrë të paktën 50 pikë. Nga të cilat, një pjesë i ka përmes vlerësimit në librezë, deri në 25, kurse pjesën tjetër duhet ta fitojë nga përgjigjet e pyetjeve që do të japë gjatë këtij testimi.

Dhe vetëm kur vlerësohet “Kalueshëm” nga ky testim, atij i çohet emri në Agjencinë Kombëtare të Provimeve për të dhënë Provimin e Shtetit. Pasi realizon edhe këtë të fundit, atij i lind e drejta që të marrë lejen e ushtrimit të profesionit të lirë, pranë urdhrit profesional, në këtë rast, Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë.

Pra, këto janë disa detyrime për të cilat ky institucion kërkon të informojë të gjithë studentët që kanë mbaruar studimet e tyre në vitin 2011-2012, të cilët nuk duhet që të humbasin kohë dhe nëse dëshirojnë që ata t’i futen seriozisht këtij profesioni dhe të dalin në profesion të lirë, duhet që menjëherë të realizojnë detyrimet e lartpërmendura. Pra, t’i futen rrugës ligjore për ushtrimin e profesionit, në bazë të ligjeve dhe rregullave të caktuara nga organet kompetente të cilat janë ministria e Arsimit dhe Shkencës; ministria e Shëndetësisë si edhe urdhri profesional, që në këto kushte është Urdhri i Infermierit të Shqipërisë.

Nuk duhet harruar se ky testim i praktikës profesionale, shërben vetëm si prag për të kaluar në Provimin e Shtetit, dhe mendimi i UISH ka qenë që ky është provimi i licencimit. UISH ka shprehur mendimin të kishte dy provime në fakt, njëri i diplomimit dhe tjetri, i testimit të aftësive profesionale. Ligji “Për Profesionet e Rregulluara” në fakt, nisi zbatimin e tij në vitin 2011, dhe Provimi i parë i Shtetit është realizuar në muajin janar 2012, ndërsa i dyti është realizuar brenda afateve ligjore, në muajin maj dhe tani i bie të jetë në muajin nëntor 2012. Por ligji thotë se para se të hysh në këtë provim, duhet të testohesh nga një komision i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe urdhri profesional, për matjen e aftësive praktike. Në zbatim të kësaj, janw krijuar edhe komisionet e pyetjet përkatëse, krahas librezave për t’ua shpërndarë kandidatëve të interesuar për pjesëmarrje në këto provime shteti, të cilat do të realizohet çdo vit, në muajin prill dhe në muajin tetor. Datat do të bëhen të njohura në faqen e UISH-së, por edhe përmes organeve të medias.

Nëse deri tani, praktika e nevojshme profesionale në kuadrin e tij, realizohej këtë pa librezë, pa kontroll dhe pa vlerësim pikësh, vetëm duke paraqitur një vërtetim për kryerjen e praktikës, kandidatët quheshin të mirëqenë për të hyrë në Provim Shteti. Ndërsa tani e tutje, atyre u takon që të japin dy provime.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

1 Koment per “Provimi i Shtetit, Urdhri i Infermierit: 50 pike nga praktika. Procedurat e reja”

  1. Luida

    Pyetja ime ishte:Keto rregulla vlejne edhe per ne qe e kemi perfunduar praktiken e urdherit te infermierit qe ne gusht dhe qe nuk jemi pajisur me libreze praktike,thjeshte kemi marre nje vertetim se kemi perfunduar praktiken e Urdherit te infermierit?Dhe me Sa informacion na dhane punonjesit e Urdherit te Infermierit ne qe kemi provimin ne nentor nuk kemi provim praktike ,ju lutem ,mund te me jepni nje informacion me te sakte? Faleminderit

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC