Universiteti i Shkodrës, 3 në 4 studentë blejnë provimet
Pothuajse 3 në 4 studentë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë dhënë para për të blerë provimet. Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88%, ndërsa më të ultin Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 58%. Kjo u bë e ditur nga Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës, që bazohet në rezultatet e një pyetësori me studentët.
Përmes një deklarate, Këshilli Studentor bëri të ditur se “sa i takon pyetjes së parë në lidhje me korrupsionin në USH-në ‘Luigj Gurakuqi’ rezultatet tregojnë shifra vërtet shqetësuese, ku pyetjes se a keni dhënë qoftë dhe vetëm njëherë para (lekë) për të marrë një lëndë i janë përgjigjur po 74% e studentëve, pra thuajse 3 në 4 studentë kanë dhënë para për të blerë provimet. Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88%, ndërsa më të ultin Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 58%”.
Përsa i përket përmirësimit të kushteve në sallat dhe auditoret e Universitetit « Luigj Gurakuqi », 67% e studentëve përgjigjen se kushtet nuk janë përmirësuar. Nga të gjashtë fakultetet e këtij universiteti, Fakulteti Ekonomik paraqitet më problematiku, ku 90% e studentëve të këtij fakulteti shprehen se kushtet nuk janë përmirësuar. Ky fakultet prej vitesh vuan mungesën e theksuar të mjediseve për të zhvilluar normalisht procesin mësimor. Nga ana tjetër fakulteti që paraqitet më mirë është ai i Shkencave të Edukimit, ku 52% e studentëve të të cilit shprehen se kushtet janë përmirësuar. Sivjet në këtë fakultet janë realizuar disa investime në infrastrukturë.
Thuajse 40,3% e studentëve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” shprehen se media ka luajtur rol në uljen e korrupsionit. Në Fakultetin e Drejtësisë 82% e studentëve përgjigjen se media nuk ka luajtur rol në uljen e tij, ndërsa 54% e studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja përgjigjen se media ka luajtur rol të rëndësishëm në uljen e korrupsionit.
Ndërsa 54,3% e studentëve përgjigjen se Sekretaritë Mësimore (SM) respektojnë oraret e tyre të punës. Në dy fakultete situata paraqitet më tepër problematike, në Fakultetin e Drejtësisë ku 66% e studentëve shprehen se orari i punës nuk respektohet nga Sekretaria Mësimore dhe në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, ku 58% e studentëve të saj mendojnë po të njëjtën gjë. Situata paraqitet më e mirë në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, ku 68% e studentëve përgjigjen se respektohen oraret e punës nga Sekretaria Mësimore dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 64%.
Në pyetësor morën pjesë 300 studentë, 50 për secilin fakultet të USH-së. Pyetësori u realizua nga Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës.
REZULTATET SIPAS FAKULTETEVE DHE NË TËRËSI
Shënim/ Këtu e mëposhtë, Universiteti i Shkodrës=USH; Fakulteti i Drejtësisë=FD; Fakulteti Ekonomik=FE; Fakulteti i Shkencave të Natyrës=FSHN; Fakulteti i Shkencave Shoqërore=FSHSH; Fakulteti i Shkencave të Edukimit=FSHE; Fakulteti i Gjuhëve të Huaja=FGJH.
- Rezultatet e pyetjes së parë: A keni dhënë para (lekë) qoftë dhe vetëm njëherë, për të marrë një lëndë?
| FAKULTETI | Përgjigjur « PO » | Përqindja % | Përgjigjur « JO » | Përqindja % |
| FD | 44 | 88 | 6 | 12 |
| FE | 33 | 66 | 17 | 34 |
| FSHN | 40 | 80 | 10 | 20 |
| FSHSH | 41 | 82 | 9 | 18 |
| FSHE | 35 | 70 | 15 | 30 |
| FGJH | 29 | 58 | 21 | 42 |
TOTAL: 222 studentë janë përgjigjur PO dhe 78 studentë janë përgjigjur JO
74% përgjigjur PO dhe 26% përgjigjur JO
- Rezultatet e pyetjes së dytë: A janë përmirësuar kushtet ku zhvilloni procesin mësimor?
| FAKULTETI | Përgjigjur « PO » | Përqindja % | Përgjigjur « JO » | Përqindja % |
| FD | 7 | 14 | 43 | 86 |
| FE | 5 | 10 | 45 | 90 |
| FSHN | 20 | 40 | 30 | 60 |
| FSHSH | 19 | 38 | 31 | 62 |
| FSHE | 26 | 52 | 24 | 48 |
| FGJH | 22 | 44 | 28 | 56 |
TOTAL: 99 studentë janë përgjigjur PO dhe 201 studentë janë përgjigjur JO
33% përgjigjur PO dhe 67% përgjigjur JO
- Rezultatet e pyetjes së tretë: A ka ndikuar media në uljen e korrupsionit?
| FAKULTETI | Përgjigjur « PO » | Përqindja % | Përgjigjur « JO » | Përqindja % |
| FD | 9 | 18 | 41 | 82 |
| FE | 25 | 50 | 25 | 50 |
| FSHN | 20 | 40 | 30 | 60 |
| FSHSH | 14 | 28 | 36 | 72 |
| FSHE | 26 | 52 | 24 | 48 |
| FGJH | 27 | 54 | 23 | 46 |
TOTAL: 121 studentë janë përgjigjur PO dhe 179 studentë janë përgjigjur JO
40,3% përgjigjur PO dhe 59,7% përgjigjur JO
- Rezultatet e pyetjes së katërt: A respektohen oraret e punës nga Sekretaritë Mësimore (SM)?
| FAKULTETI | Përgjigjur « PO » | Përqindja % | Përgjigjur « JO » | Përqindja % |
| FD | 17 | 34 | 33 | 66 |
| FE | 30 | 60 | 20 | 40 |
| FSHN | 29 | 58 | 21 | 42 |
| FSHSH | 21 | 42 | 29 | 58 |
| FSHE | 34 | 68 | 16 | 32 |
| FGJH | 32 | 64 | 18 | 36 |
TOTAL: 163 studentë janë përgjigjur PO dhe 137 studentë janë përgjigjur JO
54,3% përgjigjur PO dhe 45,7% përgjigjur JO





